Ndahet nga jeta ne moshen 70 vjecare
shkrimtari dhe politikani i mirenjohur, Vath Koreshi
Nje semundje ne zemer i merr jeten nje prej shkrimtareve me te mirenjohur shqiptare



Vath Koreshi - 1936-2006

Nga Oliverta Lila
Gazeta Shqiptare
3 Shkurt 2006

Vath Koreshi, shkrimtari, skenaristi dhe publicisti i njohur ka ndërruar dje jetë në moshën 70 vjeçare në orët e para të mëngjesit. Çastet e fundit të jetës së tij i ka kaluar në një klinikë italiane ku edhe kurohej për sëmundjen e zemrës. Humbja e tij ndodhi në një çast kur ai ishte më së shumti i pranishëm në jetën krijuese shqiptare. Kjo jo vetëm përsa i përket letërsisë, por edhe në projektet kinematografike. Vath Koreshi u lind në vitin 1936 në qytetin e Lushnjes.

Në vitin 1955 përfundoi politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, ndërsa në vitin 1960 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë. Ai është autor i shumë librave, ku veçohen një sërë vëllimesh me tregime, novela dhe romane. Por ai nuk do të kujtohet vetëm për krijimtarinë e tij të shumtë letrare. Shumë filma të sukseshëm dhe të pëlqyer për publikun shqiptar e kanë ngritur shtartin mbi skenaret e tij. Duke filluar që nga “Rrugë të bardha” (1974), “Liri a vdekje”(1978), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Dasma e Sakos” (1998), “Porta Eva” (1999) dhe deri te filmi më i fundit “Syri Magjik”, një bashkëpunim i 2005-ës me regjisorin Kujtim Çashku. Ky mbeti edhe suksesi i fundit që ai arriti ta përjetonte. Qetë, ashtu siç ai ishte gjithmonë, vetëm para pak kohësh në prezantimin e filmit flet për detyrën e njohjes së kulturës shqiptare dhe të vlerave të saj jashtë kufijve kombëtarë. Kjo për të nënkuptonte krijuesin.

E pavarësisht se u bë edhe pjesë e politikës ku ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe ministër i Kulturës në vitet 1991-1992, duket se në konceptet e tij ishin të ndara. “Ne jemi përpjekur të krijojmë një vepër, e cila të mos ketë një angazhim të mirëfilltë politik. Arti nuk merret me ngjarje të veçanta, por përpiqet që t'i universalizojë ato”, është shprehur ai në intervistën e fundit që i kemi marrë për realizimin e filmit “Syri magjik”. Vlerësimi i tij në këtë fushë do të mbyllej me çmimin e skenarit më të mirë në edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kajro.

Ndërkohë që në moshën 70 vjeçare pena e tij vazhdonte të ngjyroste mbi faqet e bardha. Pa e ditur, mendimet e fundit letrare i hodhi te romani “Çafka” i botuar në nëntor nga “Onufri”, për të cilin kishte shumë dëshirë të organizonte një promovim me miqtë. Edhe pse zemra ia deshte, nuk e lejoi. Vath Koreshi është nderuar në vitet ‘80, me Çmimin e Republikës për librin “Dasma e Sakos” dhe për skenarin e filmit “Gjeneral Gramafoni”, ndërsa një vit më parë Këshilli i Qarkut të Fierit i dha titullin “Qytetar Nderi”.

KRIJIMTARIA

Filma


“Rrugë të bardha”
“Gjeneral Gramafoni”
“Nga mesi i errësirës”
“Agimet e stinës së madhe”
“Liri a vdekje”
‘Nata e parë e lirisë”
“Në kufi të dy legjendave”
“Plaku dhe hasmi”
“Besa e kuqe”
“Në prag të jetës”
“Botë e padukshme”
“Balada e Kurbinit”
“Dasma e Sakos”
“Lotët e Kosovës”
“Porta Eva”
“Të bekuarit”
“Në kërkim të Hafize Leskovikut”
“O Çoban”
“Bir”
“Syri magjik”

Tregime

“Kur zunë shirat e vjeshtës”
“Toka në hijen e shtëpive”
“Ndërrimi i qiejve”
“Tregime të zgjedhura”
“I dashuri i saj i parë”

Novela

“Dasma e Sakos”
“Konomea”
“Pelegrinët e Samarkandës”

Romane

“Dy të shtunat e Suzanës”
“Mars”
“Mali mbi kënetë”
“Haxhiu i Frakullës”
“Rrugë për larg”
“Balada e Kurbinit”
“Requiem për një grua”
“Ulku dhe Uilli”
“Një grua me të verdha”
“Çafka”

 

AlbMuzika.Com ndan dhimbjen e thelle me familjen, te afermit dhe miqte e tij.

________________________________________________________________________

AlbMuzika.Com