Fytyra Franceze e Tiranes
22 Shkurt 2004
Tirana e shumë viteve me vonë do të ofrojë një qendër teresisht tjetër. Do duhen 30 vjet nese jane te gjitha fondet. Në vend të gropave e rrugëve të ngarkuara do të ketë qendra biznesi dhe shëtitore të mbushura me dyqane mode e kafene të vogla. Ndërsa bulevadri Dëshmorët e Kombit do të rrethohet nga shatërvane që do krijojnë pasqyra uji. Stacioni i Trenit do kthehet në një qendër të madhe biznesi. Do shtohen sipërfaqet e gjelbra në gjithë këtë hark. Ky është projekti i francezve i cili realizohet vetëm pasi qeveria të gjejë financimet. Me poshte, Albmuzika ju sjell fotografite-skica ekskluzive te pergatitura nga Architecture Studio ne Paris. Klikoni mbi cdo fotografi per te pare nje format me te madh.

Sheshi Nene Tereza ne te ardhmen
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar detyrën e projektimit të Studimit Urbanistik të Qendrës së Tiranës. Kjo mbledhje u zhvillua nën drejtimin e kryeministrit Fatos Nano, në ambjentet e Pallatit të Brigadave. Ky studim e fut përfundimisht Tiranën në Hartën Europiane të Urbanistikës Moderne, zhvillim i nisur në vitet '30, nga Mbreti Zog. Studimi i përgatitur nga studio franceze "Architecture Studio" merr në konsideratë ruajtjen e formulimit urban dhe funksional të aksit qendror të qytetit të Tiranës si dhe ruatjen e traditës arkitekturore të trashëguar. Në fazën e tanishme, e cila u paraqit në KRRTRSH, studimi konsiston në zhvillimet e disa zonave të këtij aksi. Në sheshin kryesor të qendrës së qytetit do të bëhen ndërhyrje në organizimin më të mirë funksional dhe estetik te sheshit qendror, duke krijuar hapësira publike dhe ndërhyrje arkitekturore. Gjithashtu, në këtë zonë trafiku është i eliminuar, me përjashtim të një linje publike tramvaji, që përshkon të gjithë gjatësinë, për një komunikim dhe komoditet të qytetarëve. "Realizimi i kësaj ndërhyrjeje, do të bëjë që Tirana të mos përmendet në ekranet e televizioneve ndërkombëtare dhe të botës ku po integrohemi vetëm si kryeqyteti i revoltave të dhunshme, imazhin e të cilave duhet kohë për ta kuruar", deklaroi Nano. Gjithashtu, studimi parashikon shtimin dhe pasurimin e pjesës së gjelbërt ekzistuese, në territorin e Parkut "Rinia", vazhdimin në anën lindore të tij me pjesën e gjelbërt tek Galeria Kombëtare e Arteve dhe në vazhdim pranë Sallës së Kuvendit. Studimi nuk parashikon dendësimin me objekte, por ruan një ekuilibër të volumetrisë, duke mbrojtur këtë pjesë të rëndësishme të zonës qendrore të qytetit. Nga rezultati i deritanishëm i punës që po bën kjo studio vihet re një lehtësim për sa i përket ndërtimeve, në raport me variantin që e shpalli fituese këtë studio. Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, guri më i çmuar i këtij mozaiku kohërash e stilesh që përmban brenda saj qendra e kryeqytetit tonë do të jetë parku i madh që zbulohet pas Hotel Dajtit dhe që lidh, me një vijimësi të gjelbër e plot surpriza në nivele, tematika e bimësi, Parkun Rinia me Parkun e Namazgjasë.
Lana e rregulluar
Do te vihet dore mbi nje zone te lanes ku do te ndertohet nje ure e cila do te rrethohet me peme nga te dyja anet e lumit. Sic vihet re edhe nga fotografia e mesiperme, pemet e shumta dhe ura ne mes do te krijojne nje pamje me te kendeshme te lanes.
Ndersa pjesa e trete e ketij projekti do te jete sheshi i universitetit (me poshte) i cili do te pastrohet nga shatervani i vjeter. Ai do te zevendesohet nga nje platforme te ngritur mbi nivelin e rruges, e cila do te permbaje nje shatervan te ri ne formen e drejtkendeshit, me te ceket dhe me te paster. Shatervani do te rrethohet ma gjelberim dhe e gjithe platforma do t'i jape nje dimension tjeter vizual universitetit te Tiranes.
Sheshi i universitetit te Tiranes
Një element i veçantë i studimit është dhe organizimi tepër i veçantë dhe i vlerësuar i zonës së stacionit të trenit. Sipas arritjeve të deritanishme, kjo zonë pretendon të bëhet një qendër e re dhe e rëndësishme tregtare, shërbimesh, rezidenciale dhe e transportit publik. Një Park i Ri Kombëtar do të ngrihet matanë Stacionit të Trenit duke i shtuar Tiranës një mushkëri të dytë e të shumënevojshme prej afro 235,000 m2. "Ky park, i cili bëri për vete Jurinë Ndërkombëtare dhe u dha arkitektëve francezë epërsinë finale mbi projektin e kolegëve të tyre gjermanë, nuk është aq utopik e i largët sa na u duk të tërëve në fillim", u shpreh Rama. Kryetari i Bashkisë shpjegoi se, shumatorja e metrave katrorë gjelbërim që do t'i shtohen Tiranës me këtë plan nuk mbaron me mbledhjen aritmetike të hapësirave të Parkut Qendror me ato të Parkut të Ri Kombëtar, pasi në tërë zonat e riformuluara të banimit në të dy krahët veriorë të aksit të Brazinit parashihet krijimi i ishujve të gjelbër për çdo bllok banimi në afro 9000 m2 gjithsej. Ndërkohë paralelisht me dizajnin urbanistik, në kantierin e këtij plani po punohet bashkë me ekspertë të "Architecture Studio"-s e të Agjensisë Pariziane të Urbanistikës për hartimin e një rregulloreje të standarteve europiane të zhvillimit urban në Qendrën e Tiranës. Kjo rregullore, e cila bashkë me maketin që po ndërtohet prej maketistit francez Zhil Kole në studion e famshme "Njuton", do të dalë për aprovim përpara KRRTRSH-së në javën e tretë të marsit. Me ndërtimin e këtij Parku Qendror, Tirana do të fitojë brenda dy vjetësh një hapësirë të gjelbër prej 130,000 m2 mu në zemër të saj dhe më shumë se 1000 pemë të mbjella rishtaz në të.
Por kush jane keta arkitekte qe fituan nje konkurs kaq te rendesishem per rregullimin e qendres se Tiranes?
Architecture-Studio, është krijuar në vitin 1973 ne Paris nga 8 arkitekte te asociuar dhe perbehet nga qindra arkitekte dhe inxhiniere urbaniste nga kombesi te ndryshme. Qe nga ajo kohë, kjo studio ka realizuar disa projekte të spikatura në shumë vende, disa prej te cileve janë:
Ndërtesa e Parlamentit Europian në Strasburg, Instituti arab në Paris, Shtëpia e arteve të bukura dhe letrave në Athinë, Universiteti i Dukendouf në Francë, salla e ekspozitave në Paris, një hotel në Torino, Kullën e zyrave në Zuo Ying në Kinë, Masterplanin e qendrës Tregëtare në Shangai, Kinë, Bulevardin në Makkal të Arabisë Saudite, Masterplani i fshatit Olimpik në Greqi, Masterplanin e provincës së Milanos, Masterplani në Casa Blanca në Marok, Pallati i Drejtësisë në Gaza dhe Ramallah, Palestinë. Në listën e projekteve të kësaj studio tani është edhe projekti për qëndrën e Tiranës. Sot në Pallatin e Brigadave u paraqiten maketet dhe hartat e skicat për Tiranën që do të jetë në të ardhmen. Zbatimi i ketij master-plani kërkon disa miliona euro dhe kjo do te jete detyrë e Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë Shqiptare.
Falenderojme Gazeten Shqiptare per informacionet e fundit
AlbMuzika.Com