04 Prill 2006

Muzika e Simakut përfaqëson Festivalin Botëror
Kompozitori shqiptar ne skenat e Evropes dhe Amerikes

Thoma Simaku
Kompozitori Thoma Simaku


Nga Merita Bajraktari - Gazeta Shekulli

Kompozitori Simaku në skenat e Evropës dhe Amerikës. Koncerti për violinë “Réflexions de la Croix III”, do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Ditët e Muzikës Botërore 2006 në muajin korrik në Shtutgard.Nju Jork - Krijimtaria e kompozitorit shqiptar Thoma Simaku, nga viti në vit po ekzekutohet nga instrumentistë të njohur dhe grupe prestigjozë në festivalet ndërkombëtare të muzikës moderne në Evropë dhe Amerikë. Aktiviteti i tij ndërkombëtar është zgjeruar sidomos vitet e fundit pas Konkursit Ndërkombëtar Serocki më 2004 në Varshavë ku vepra e tij Plenilunio fitoi Çmimin e Parë ndër 98 konkurrentëve, dhe u ekzekutua nga Orkestra e Radios Polake.

Simaku merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës së Re në Miami që zhvillohet nga data 6-10 Prill 2006. I organizuar nga Seksioni Amerikan i Shoqatës Ndërkombëtare të Muzikës Bashkëkohore në Florida, në këte festival marrin pjesë kompozitorë dhe instrumentistë nga shtete të ndryshme të Amerikes dhe Evropës. Instrumentistja Madëlenë Shapiro nga Nju Jorku, e njohur për interpretim virtuoz, do të japë premierën amerikane të veprës “Soliloquy II” të kompozitorit shqiptar më 8 prill. Shapiro ka një jetë të pasur koncertale. Ka interpretuar për herë të parë vepra të kompozitorëve të shquar amerikanë si Cage, Davidoësky etj.



Pas nje premiere ne Diamant Hall ne Kopenhagen, Danimarke


Disa ditë para festivalit në Miami, Thoma Simaku është ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Shkupit që zhvillohet më 29 mars - 5 prill 2006. Vepra e tij “Soliloquy I” do të interpretohet nga violinisti londinez Peter Sheppard Skaerved. Ai mban nesër një ligjëratë në Universitetin e Shkupit mbi zhvillimet modale dhe inkorporimin e tyre në idiomat e muzikës bashkëkohore, të ilustruara me veprat e tij të viteve të fundit. Në muajin maj, Peter Sheppard Skaerved ekzekuton veprën e Simakut edhe në festivalin e Muzikës së Re në Prishtinë. Po këtë muaj ai është ftuar nga Konservatori Shtetëror i Selanikut për të mbajtur masterclass në kompozicion. Vepra e tij “Voci Celesti” – Kuartet Harqesh Nr.3 – fituese e Çmimit “Lutoslëski 2005”, interpretohet nga kuarteti grek “Disonart” më 29 maj. Radioja greke “Helene” ka transmetuar një portret muzikor të kompozitorit shqiptar janarin që lamë pas.

Ndërsa në Angli, në 31 maj, “Uroboros Ensemble” interpreton veprën “Feim Ibrahimi in Memoriam” në Sallën Warehouse, Waterloo në Londër. Kjo vepër u interpretua për herë të parë në Jork të Anglisë nga instrumentistët shqiptarë Astrit Selita dhe Eglantina Grapshi. Koncerti për violinë “Réflexions de la Croix III”, do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Ditët e Muzikës Botërore 2006 që do të zhvillohet në korrik në Shtutgard. “Réflexions de la Croix III” u kompozua më 2005 dhe u ekzektua për herë të parë nga Sinfonietta e Kopenhagës. Për të, gazeta qëndrore daneze “Politiken” shkroi:
“Kjo vepër është shkruar për violinistin brilant Peter Sheppard Skaerved, interpretimi virtuoz i të cilit e mahniti publikun. Muzika e Simakut është energjike dhe plot shkëndija zjarri, me një forcë të brendshme mjaft bindëse, me integritet struktural, dhe një karakter të fuqishëm impresionues”.


Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com

__________________________________________________________________________

AlbMuzika.Com