18 Tetor 2006
Çmim Nderi për Kompozitorin Simaku
Fiton në Konkursin Ndërkombëtar “Personalitet Muzikore 2006”

Kompozitori Thoma Simaku
Nga Muhamed Veliu, Londer
Kompozitori Thoma Simaku i cili jeton dhe punon në qytetin e Leedsit në Angli, ka fituar Çmim Nderi në Konkursin Ndërkombëtar “Personalitet Muzikore 2006”, i organizuar nga Shoqata Alexander Tansman për Promovimin e Kulturës, nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës të Polonisë.
Vepra e tij e re ‘arc-en-ciel' Koncert për Violonçel dhe Orkestër është një nga pjesët e zgjedhura nga Juria Ndërkombëtare prej 401 kompozitorëve nga 51 vende që morën pjesë në konkurs. Juria perbëhej nga kompozitor mjaft të njohur në fushën e muzikës bashkëkohore si K. Penderecki (Poloni) H.. Holliger (Zvicër) M. Nyman (Angli). Simaku është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 17 Nëntor 2006. Kjo është hera e tretë që Polonia, për tre vite me rradhë, i ka akorduar çmime ndërkombëtare kompozitorit shqiptar: në vitin 2004 Simaku fitoi Çmimin “Serocki”, ndërsa në vitin 2005 Çmimin “Lutoslawski” – tre çmime këto që mbajnë emrat e tre kompozitorëve të shquar polakë të shekullit XX.
Këtë verë Simaku gjithashtu mori pjesë në festivalin Ditët e Muzikës Botërore 2006 në Stuttgart të Gjermanisë, ku vepra e tij Réflexions de la Croix III përfaqësoi Shqipërinë dhe u ekzkekutua nga violinistja gjermane Hannah Weirich dhe ansambli musikFabrik i Këln –it, që është një nga grupet më të njohura të muzikës moderne në Gjermani. Koncerti u rigjistrua dhe u transmetua nga radio gjermane SWR2 më 21 shtator 2006. Gazeta Stuttgarter Nachrichten për këtë vepër shkruajti: “…Réflexions de la Croix III ishte e vetmja vepër në koncert që demonstroi një individualitet të vërtetë karizmatik”.
Flet Simaku pas fitimit të çmimit
“Sigurisht u gëzova nga marrja e këtij çmimi pasi ishte një kunkurs mjaft prestigjoz dhe kunkurenca ishte me të vërtetë e lartë” thotë Thoma Simaku duke folur për Shqip. Kompozitori ynë i njohur zbulon makanizmin interesant të përzgjedhjes së fituesit. Ai tha: “Fakti që një juri ndërkombëtare në përbërje të së cilës janë disa nga figurat më të njohura të muzikës sot në Europë si Penderecki, Holliger dhe Nyman, ka vlërësuar një vepër shqiptare (dhe jo se e dinin që ishte shqiptare, sepse të gjithë pjesëmarrësit paraqiten pa emra, vetëm me numra) pra kjo më gëzon dhe më inkurajon së tepërmi”. Simaku tregon se tani të gjithë e dijmë mirë që nuk është e lehtë të jesh kompozitor sot, aq më tëpër i muzikës bashkëkohore, duke shtuar se tashmë kjo muzikë i është përfshirë nga konkurenca. “Si në të gjitha fushat, edhe në muzikë mbizotëron ligji i konkurencës, me fjalë të tjera ligjii “tregut”. “Ekzotizmi” artistik i tregut që mund të thuash se deri diku ekzistonte gjatë periudhës së luftës së ftohtë (që kur një artist nga Lindja vintë në Perëdnim dhe bëhej “bujë” e madhe) kjo tani nuk përbën ndonjë risi. Por unë jam optimist ('shishja përgjysëm' për mua ka qënë gjysmë e mbushur, jo gjysmë e zbrazur) dhe dua që të jem optimist, sepse muzika i ka rrënjët thellë në qënien time. Kënaqësia shpirtërore që të jep 'tingulli' që krijon vetë, e tejkalon 'mundin' në piano apo në kompjuter, që shpesh zgjat me qindra orë.... për një vepër që matet vetëm me minuta”.

Thoma Simaku
Aktiviteti Aktual Muzikor
Kur e pyet kompizitorin Simaku se me çfarë po merret momentalisht ai me një buzëqeshje të lehtë tregon se për të vitet e fundit kanë qënë të mbara duke filluar e renditur disa prej çmimeve të fituara. “Fitova një çmim nga Leverhulme Trust në Londër (Leverhulme është 'Rockefeller' i Anglisë) që ma dha mundësinë që përvec koncertit për violoncel, kam kompozuar një vepër substanciale për orkestër, pjesë kjo që është frymëzuar nga libri i Kadarese 'Ura me Tre Harqe' . Kjo vepër tani i është dërguar BBC-së, dhe shpresoj se do te luhet së shpejti. Tani jam duke kompozuar një pjesë që është porositur nga Radio Gjermane Deutschland Funk e Koeln-it dhe grupit hollandez 'Insomnio'. Premiera e kësaj vepre do të jepet në Mars 2007 në Koeln” rrëfen ai.
E Ardhmja
Duke rendur nga njëri cep i botës në tjetrin nga ku Simaku është vlerësuar makisimalisht, duket që kjo e ka larguar atë nga veprimtaritë muzikore në Shqipëri që do të mbanin firmën e tij. Kompozitori i mirënjohur e pranon një gjë të tillë. “U bënë disa vjet që nuk kam ardhur në Shqipëri dhe, me të vërtetë më ka marrë malli...Bashkë me Kreutzer Quartet të Londrës, po prëgatisim një koncërt të muzikës së dhomës që do të jept me rastin e 50-vjetorit që po afron... Shpresoj shumë që do të kemi mundësinë që ky koncert të jepet në Tiranë dhe në Londër”. Ndërohë që ai tregon se së shpejti do të dalë në treg një CD me muzikën e tij i prodhuar nga një firmë diskografike prestigjoze. “Por detajet e këtij projekti është më mirë t'ja lëmë kohës” preferon të thotë në fund të bisedës kompozitori Toma Simaku lektor në universitetin e Yorkut në Angli.
__________________________________________________________________
AlbMuzika.Com