Teuta Koço me filmin 'The Magic Flute' ne Venecia
Sopranoja shqiptare debuton në festivalin kinematografik të Venecias

Teuta Koço
Nga Ralf Gjoni
7 Shtator 2006
Teuta Koço, sopranoja e re shqiptare prezantohet në Festivalin Kinematografik të Venecias (Bienale di Venezia) me filmin 'The Magic Flute' të regjizorit dhe aktorit të mirenjohur hollivudian Keneth Branagh. Filmi është realizimi kinematografik i operës së famshme të Moxartit, Flauti Magjik. Eshtë një projekt i një karakteri të vecantë ku Teuta interpreton rolin e zonjës së parë. Teuta Koço shprehet për AlbMuzikën se është jashtezakonisht e gëzuar dhe e emocionuar që ky film i përmasave botërore po shfaqet në një nga festivalet më prestigjioze në botë dhe se pjesëmarrja e saj ne Venecia është një eveniment i vërtetë në jetën e saj .
Gjatë një interviste të mëparshme tek Radio AlbMuzika, Koço shpjegon:
"M'u desh të bëja konkurse të shumta për të marrë rolin e “First Lady” ose të Zonjës së Parë dhe është një film që realizohet nga një regjizor dhe aktor i famshëm hollivudian, Kenneth Branagh. Gjithashtu incizuam operën në Abbey Road Studios që ishte një fat i madh për ne muzikantët, nën dirigjimin e James Conland, po ashtu një emër tjetër i njohur Amerikan. Momentalisht jemi ende në fazë provash dhe në datën 18 Janar fillojmë filmimin. Eshtë një eksperiencë krejt e re dhe jemi të gjithë tepër të lumturuar nga ky projekt. Filmi xhirohet në Shepherton Studios ku janë filmuar ‘James Bond' dhe filma të tjerë të famshëm. Gjithnjë duke qëndruar në lidhje muzikore patjetër, sepse është një film i operas."
Pas një recitali ne Carnegie Hall, New York dhe pas recitaleve të shumta në Francë dhe Angli, zëri i sopranos shqiptare bëhet një përcues i vlerave kulturore shqiptare në skenat botërore. Teuta nuk është thjesht një soprano shqiptare, ajo është gjithashtu vajza e dirigjentit të mirënjohur shqiptar Eno Koço dhe pa harruar patjetër, mbesa e këngëtares lirike Tefta Tashko Koço. Tradita e vjetër muzikore e familjes Koço merr trajtë moderne nëpërmjet zërit të Teutës dhe filmit hollivudian ku ajo kendon, duke ngritur në një nivel më të lartë vlerat e saj muzikore. Në një mënyrë indirekte, ajo bëhet edhe një ambasadore e kulturës shqiptare në botë. Teuta është gjithashtu Goodwill Ambassador për Organizatën Botërore të Migracioneve (IOM).

Logo e Biennale di Venezia
Rreth Festivalit te Filmit te Venecias
Festivali Kinematografik i Venecias (italisht: Mostra Internazionale d'Arte Cinematografica) është festivali më i vjetër kinematografik në botë. Filloi të organizohej në vitin 1932 nën emrin Ekspozita Nderkombëtare e Artit Kinematografik dhe që prej asaj periudhe organizohet cdo fund Gushti / fillim Shtatori në Lido di Venezia pikërisht në Pallazo del Cinema në Venecia. Cmimi kryesor i tij quhet "Leone d'Oro" ose Luani i Artë. Kohët e fundit është shtuar edhe cmimi San Marco për filmin më të mirë të seksionit të 'kunder-rrymës'.
Festivali Kinematografik i Venecias është pjesë e Biennale di Venezia, një bashkëorganizim shfaqjesh dhe festivalesh për artin kontemporan që e ka gjenezën e tij mbi një shekull më parë, pikërisht në vitin 1894. Ky festival konsiderohet si një nga më prestigjiozët në botë duke u radhitur mes Festivalit te Kanës, Torontos dhe Berlinit.

Pamje nga Venecia
------------------------------------------------------------------------

Degjoni Intervisten e Plote tek Radio AlbMuzika
________________________________________________________________________
AlbMuzika.Com