6 Nentor 2004

S K A N D A L
300 filmat u shitën për 2 milion lekë. Si u firmos kontrata mes shoqatës dhe 2 distributorëve...

Kinostudio ne Tirane
Kinostudio ne Tirane

Rreth 300 filma shqiptarë u janë shitur për tre vjet dy shtëpive diskografike Eurostar dhe "Albatr@de. Shuma me të cilën janë blerë është vetëm 2 milion lekë për një vit. Një film shqiptar ka kushtuar rreth 6.6 mijë lekë, dhe kjo shumë mendohet t'u ndahet artistëve. Por shifra 2 milion lekë, me të cilën janë blerë filmat e arkivit është cilësuar dje si skandal në rrethin e kineastëve dhe artistëve. Blerja është bërë përmes një kontrate të nënshkruar nga dy firmat diskografike, "Eurostar" dhe "Albatr@de" me Forumin për të Drejtat e Autorit Audiovisual i drejtuar nga Pirro Milkani. Vetë regjisori Milkani ka pohuar dje, se kjo është e vërtetë dhe se të drejtën ekskluzive për këto filma, për shumëfishimin dhe tregtimin e tyre për tre vjet e kanë pikërisht ata. Por menjëherë pas publikimit të këtij fakti në Gazetën Shqiptare, një ditë më parë, kanë reaguar një numër i madh shtëpish diskografike, të cilat e akuzojnë këtë Forum për veprimtari të paligjshme dhe se shitja është bërë pa një tender. Ende në Parlamentin Shqiptar nuk është miratuar Amandamenti për Shtesa dhe Ndryshime të Ligjit mbi Kinemanë. Në këtë ligj të ri që pritet të miratohet së shpejti, parashikohet të përcaktohet përfundimisht, se cili do të jetë autor me të drejta artistike dhe ekonomike në këto filma. Prodhuar nga Kinostudio "Shqipëria e re" të gjithë filmat deri në vitin 1992, nuk kanë pronësi tjetër veç shtetit, që njihet në këtë rast si distributor. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kulturën Bardhyl Londo tha dje se nuk mund të kryhen veprime të tilla në një kohë kur ligji shqiptar, që përcakton autorin nuk është miratuar ende. Sipas shtëpive diskografike, shuma me të cilën janë blerë këto filma është shuma më e vogël që mund të ekszistonte. Ata parashtrojnë idenë e një tenderi të hapur, ku të marrin pjesë të gjithë të interesuarit dhe të jenë të pranishëm edhe artistë të ndryshëm. Por momentalisht ideja e këtij tenderi duket e pamundur, për shkak të ligjit të ri mbi Kinemanë i cili nuk është miratuar ende. Dy shtëpitë diskografike kanë nisur tashmë punën për kthimin e filmave nga bobinat që ruhen prej vitesh në Arkivin e Filmit në Kinostudio në videolkaseta dhe DVD. Sipas prononcimit të tyre, kjo punë ka nisur dje, ndërsa vetë regjisori Milkani e pohuar këtë fakt në një intervitë dhënë për "Gazetën" duke theksuar, se ato pak para do t'u shpërndahen artistëve në fund të këtij muaji. Forumi për të drejtat e Autorit është ligjitimuar nga Ministria e Kulturës gjashtë muaj më parë dhe cilësohet të jetë një organizatë vullnetare, joqeveritare që lufton për të mbrojtur të drejtën e autorit.

Albanian Films

Drejtoresha e Arkivit të Filmit: "S'shkelim të drejtat e autorëve,
kam kontratë me forumin"
Natasha Lako: Ja çfarë kam firmosur unë

Të gjithë filmat e Arkivit po kthehen nga shiriti 35mm në DVD dhe do të dixhitalizohen. Kështu ka pohuar dje drejtoresha e Arkivit të Filmit, Natasha Lako, duke pohuar se të drejtën e dixhitalizimit përmes Forumit të të drejtave të autorit e kanë fituar "Eurostar" dhe "Albatr@de".

Si është proceduar për dhënien e të drejtës së këtyre filmave që mban Arkivi për dy shtëpitë diskografike Eurostar dhe Alabatr@de?
Ne nuk kemi dhënë ndonjë të drejtë, sepse nuk kemi të drejtë të japim të drejtën e autorit për këto filma. Ne kemi lidhje me Forumin e të drejtave të autorit, ku është kryetar Pirro Milkani. Ne na intereson kthimi dhe dixhitalizimi i tërë fondit. Janë 250 filma shqiptarë, të cilët ne vetë si Arkiv i kthejmë në videokaseta dhe DVD, sepse përdoren shumë më lehtë. Nuk mund t'i përdorim në gjendjen që janë në shirit 35, sepse dëmtohen. Ne na intereson ky kthim, sepse ne duam ta kemi të përdorshëm fondin tonë. Nga ana tjetër shoqatës së mbrojtjes së autorëve u intereson që ta mbrojnë filmin. Janë vetë autorët e filmit të interesuar për ta mbrojtur filmin nga pirateria. Nëpërmjet atyre ndoshta kontrollohet më mirë. Konkretisht ne nuk kemi asnjë marrëveshje konkrete me distribucionin. Kemi marrëveshje vetëm me shoqatën e të drejtave të autorit. Nëpërmjet shoqatës së të drejtave të autorit marrim licencën për ta kthyer filmin dhe një leje për ta përdorur të tjerët, por gjithmonë nëpërmjet atyre. Ne jemi në këtë rast vetëm në rolin e atyre që e kthejnë filmin. Ne kemi një telekinema dhe paguhemi për shërbime. Dy drejtues te këtyre firmave janë shprehur se për këtë kinema kanë investuar një shumë parash… Kjo është një marrëveshje me interes dypalësh. Kësisoj dixhitalizohet fondi, por edhe telekinemaja është jona, e Arkivit. Kësisoj ofrohet edhe një lloj korrektimi dixhital i disa filmave. Ne na intereson që rreth 30 filma shqiptarë, që janë fare të degraduar, me këtë lloj korrektimi, të paktën në DVD të jenë të korrektuar, me ngjyra konkrete, jo në shkatërrim e sipër. Nuk mund të flas për probleme që nuk më takojnë mua si Arkiv, por për telekinemanë mund të them se vërtet është riparuar dhe është dhënë një kontribut, por edhe Arkivi ka kontributin e tij.


Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com

Këto shtëpi diskografike pohojnë se të drejtën ekskluzive të filmave e kanë blerë në bazë të një marrëveshjeje që është nënshkruar mes jush si Arkiv dhe Forumit. Është e drejtë të kryhet një veprim i tillë?
Unë nuk kam asnjë kontratë me ata. Kam bërë kontratë vetëm me forumin, për dixhitalizimin e filmave dhe për interesa të të drejtave të autorëve. Unë veproj sipas shkresave zyrtare. Është shumë mirë që përmes Arkivit të vinte jo vetëm këto dy shpoqëri, por shumë kanale televizive që të merrte në Arkiv, sepse ne kemi me ligj të drejtën e shitjes, madje kemi dhe tarifat. Të papërcaktuara janë vetëm tarifa shumë të ulëta për transmetime televizive, që mund të quhen marrje me qera.

Kush ka të drejtë të shesë të drejtën e autorit?
Këtë të drejtë tani e ka marrë Pirro Milkani, me një vendim të Këshillit të Ministrave. Ne po veprojmë sipas nenit 30 të Ligjit për Kinematografinë. E drejta e autorit nuk është miratuar ende në Parlament dhe ende nuk dihet kush është autor në këto filma… Me ligj ndërkombëtar autor është skenaristi, regjisori dhe kompozitori. Se si janë bërë veprimet nuk e di. Unë kam kontratë me Pirro Milkanin vetëm për dixhitalizimin e filmit dhe të kemi në Arkiv një kopje DVD të filmit.

Nga Gazeta Shqiptare
Admirina Peçi

__________________________________________________________________

A
lbMuzika.Com