Teorema “Marubi”, një shkollë shqiptare për kinemanë
Si do të jetë e para shkollë shqiptare e filmit dhe multimedias. Sistemi 3-vjeçar, profilet përkatëse dhe programi.
Flasin ata që kanë në dorë mbylljen e një cikli ideal për kinematografinë shqiptare me Alba Film Studion,
Qendrën Kombëtare Kinematografike dhe Shkolla “Marubi” si një sistem edukimi.

“Eshtë vullnet i kohës”,- tha një regjisor kur hapja e shkollës “Marubi” e filmit dhe multimedias, mbahej në një fije shprese, një vit më parë. Mendohej të ndodhte në shtator 2002. Kur kjo gjë nuk ndodhi as vitin e shkuar kur ish –ministrja e Kulturës, Arta Dade, deklaroi se qeveria që ajo përfaqësonte nuk ka për qëllim të mbështesë shkolla private, shpresat gati u hoqën. Papritur dëgjojmë se pasardhësi i saj, ministri Blendi Klosi, ka miratuar projektin disavjeçar të shtëpisë filmike “ORAFILM” drejtuar nga kineasti i njohur Kujtim Çashku, me mbështetje të Shoqatës së Kineastëve “Lumiere”, i cili për zbatim kërkonte nënshkrimin e një kontrate huapërdorjeje për 10 vjet të një hapësire të caktuar në ambientet e AlbaFilmit, në një periferi në Tiranës, ku për 52 vjet është instaluar industria modeste dhe historia e kinematografisë shqiptare.
Njerëzit që e kanë shqyrtuar për më shumë se tre vjet projektin e shkollës fillimisht, një masterprojekt i quajtur “Qyteti i arteve”, tani janë përballë një fenomeni real për të ngritur në këmbë një sistem edukimi kinematografik e televiziv, në një sipërfaqe 200 m2. Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Alba Film Studio që ajo ka në varësi kanë firmosur për këtë copë tokë, e cila do të shfrytëzohet për 10 vjet pa qira, dhe në bazë të kontratës investimi i derdhur aty nga partnerë të huaj që deri tani nuk e kalon shifrën 100 mijë euro, është pronë e shtetit shqiptar. Në intervistën e mëposhtme kineasti Kujtim Çashku, i cili me premisën e drejtorit të përgjithshëm që nuk hoqi dorë për tre vjet nga ideja e shkollës, shpjegon detajet se cili është sistemi i shkollës “Marubi”, që mendohet të hapë dyert në 4 tetor me 20 studentët e parë. Veç në mos nxjerrtë telashe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila për hapjen e një shkolle jopublike lëshon një licencë nga 3-1 vit nga koha e shqyrtimit të projektit.
Hapja e shkollës së filmit mbyll një cikël që ka qenë i paplotë deri tani, për prodhimin kinematografik në Shqipëri. Në fillim ishte Kinostudio që e mbyllte këtë rreth në mënyrë empirike. Ajo vazhdon të jetë aty, por si Alba Film Studio që bën vetëm servis filmi. Pranë saj, prej vitit 1996, kemi Qendrën Kombëtare Kinematografike që administron buxhetin e projekteve filmike. Vetëm ky sistem edukimi kinematografik duhej, me auditoret e veta dixhitale për ata që do shfrytëzojnë qoftë Alba Filmin, qoftë mbështetjen e QKK-së, që ky proces megjithëse i ngadaltë, por i përpiktë në 14 vjet, të mbyllej. Një trinom ideal.
“Shkolla e filmit nuk është as vullnet i një individi të vetëm, as i një qeverie, është vullnet i kohës.” Vijmë tek ai parashikim që regjisori Fatmir Koçi bëri një vit më parë. Koçi do të jetë drejtori i parë i Bordit të “Marubit”.
Në ngrehinat e korpusit gjigant të ish- Kinostudios, aty ku mbarojnë metrat e fundit të hapësirës prej 32 mijë m2, është ngritur një “qendër pelegrinazhi” siç e quan regjisori Çashku, vendin e fshehtë të përdoruesve të drogës. Shiringa, rrypa gome, katrahura e shprepseve të djegura, tapave, bidonave plastike, janë aty, sikur të kesh prekur fundin. Në fillim të kësaj ngrehine, po ngrihet një shkollë.
Intervista
Dyqind metrat katrorë që kërkuat presin ngritjen e shkollës deri në tetor. A do të zbatohet ky projekt i gjithë ashtu siç keni deklaruar prej vitit 2000?
Eshtë modeli i Cine-Citas, ku 100% të aksioneve i merr shteti dhe menaxhimi kryhet nga njerëz të cilët kanë projekte konkrete, por që lidhen drejtpërdrejt me prodhimin e filmit dhe me vazhdimësinë e historisë institucionale, të këtij institucioni që quhet Kinostudio ose sot AlbaFilm Studio. Në mënyrë të tillë që 52 vjet që janë bërë deri tani të numërohen nga gjeneratat e tjera që do të vijnë. Eshtë projekti që prej tre vjetësh ekziston nëpër tryezat e administratave, të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit, të Ministrisë së Financave dhe partnerëve tanë të huaj. Më në fund u dha një dritë jeshile.
Përse kaq heshtje për miratimin e projektit për të parën shkollë filmi dhe të multimedias?
Ministri i Kulturës, Blendi Klosi, pas një vizite në Kinostudio dhe pas një ballafaqimi me komunitetin e kineastëve vendosi që bashkarisht të hapet shkolla e filmit në një mjedis që ju shikoni, po rikonstruktohet. Ka qenë një koordinim me partnerët që gjatë këtyre viteve nuk na braktisën, po na qëndruan pranë dhe po ju them konkretisht cilët janë. UNESCO e cila ka dhënë 26 mijë dollarë për rikonstruksionin e godinës. Ministria e Jashtme Gjermane e cila ka dhënë 38 mijë euro që presupozon gjithë pajisjet dixhitale të figurës dhe zërit të cilat janë nëpër arka, por do të instalohen nesër nëpër studiot që patë. Eshtë biblioteka e filmit e sponsorizuar nga “Pro Helvetia”, me një shumë 18 mijë frangash zviceriane dhe ku janë botime të fundit.
Kjo godinë do të shfrytëzohet për dhjetë vjet pa qira…
Jo se është dhënë falas. Ajo është dhënë në përdorim për 10 vjet dhe mbetet pronë e shtetit dhe investimet tona e të partnerëve tanë i mbeten shtetit shqiptar. Por 100% të aksioneve janë të shtetit shqiptar, i cili i ruan në mënyrë fanatike destinacionin këtij korpusi. Vizioni ynë është që shkolla të shndërrohet në një model që e ka shfrytëzuar bota dhe ka dhënë rezultate.
Kur ne kemi gjetur partnerë të huaj për të investuar në këtë godinë, do të thotë që interesi i shtetit ka qenë të rikonstruktohet kjo godinë me pamundësinë që ai kishte për të hedhur para në tërësinë e korpusit. Në 14 vjet kryesisht ka qenë përqendrimi në krijimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe që është pjesë e ligjit “Për Kinematografinë”, ka qenë krijimi i shtëpive filmike që është kolona e dytë e këtij ligji dhe pjesa e tretë ishte servisi, Alba Filmi. Pra në këtë drejtim nuk u pa një mundësi konkrete që ky korpus të shndërrohej realisht në një servis. Një nga arsyet e tjera që nuk është ndërhyrë deri tani, është si të thuash mungesa e fondeve, por edhe një kompeticion në treg. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për shkollën, por për 32 mijë metër katrorë, hapësirë gjigante.
Çfarë konfliktesh zgjidhi ministri Klosi, ato që paraardhësja e tij i quante të natyrës ligjore?
Ministrja Dade kishte një koncept të ngushtë, jo vizionar lidhur me të gjithë politikën për mbajtjen gjallë të institucioneve, siç janë institucionet kulturore në tërësi. U parapri më shumë nga një politikë e kioskëzimit, për të mbijetuar një grup njerëzish, se sa të krijonte një strukturë që të kishte një vizion më të gjerë dhe më afatgjatë, sikurse është vizioni që ne po mendojmë tani.
Ministrja e mëparshme nuk ishte dakord që 100% të aksioneve t’i kishte shteti shqiptar dhe të bëhej menaxhimi nga njerëz që kishin lidhur jetën me kinematografinë dhe më shtëpitë filmike që kishin lidhje drejtpërdrejt me prodhimin filmit. Ajo kishte ndërmend ta shndërronte në shoqëri aksionere, që nesër mund t’i ndërronin destinacionin këtij korpusi. Në këtë rast ministrja e mëparshme nuk kishte vizion kulturor, mbase jo vetëm ajo, por edhe ministrat para saj, për faktin tjetër që prej 14 vjetësh e lanë këtë institucion vetëm të rrënohej.
Çfarë sistemi do të ketë shkolla “Marubi”?
Shkolla ka një sistem 3-vjeçar. Vitin e parë jepet një kulturë e përgjithshme kinematografike dhe televizive. Dhe në mënyrë graduale konturohen katër profile kryesore të shkollës që është regjia, skenari, kamera dhe montazhi. Këto do të jenë profile të cilat do të konturohen në vitin e dytë dhe në vitin e tretë mbrojnë diplomën me atë çfarë kanë përcaktuar. Kjo është shkollë e filmit dhe multimedias.
Do të hapet në 4 tetor dhe ne po punojmë me këto ritme. Shkolla nuk do të ketë vetëm pedagogë shqiptarë, por edhe amerikanë e evropianë. Që këtu, jemi në një simbiozë të konceptit amerikan dhe atij evropian të shkollës së filmit. Vetvetiu shkolla është konceptuar si e tillë dhe si e tillë do të funksionojë, me qëllim që të homologojë diplomën në vendet përkatëse dhe të krijojë lidhje me shkolla që kanë sot reputacion shumë të madh, si në Kaliforni, Florida.
Çfarë parashikohet në marrëveshjen e nënshkruar me Ministrinë e Kulturës?
Aktualisht ne kemi nënshkruar aktin e kontratës me drejtorin e Alba Filmit i cili menaxhon një sipërfaqe që është në kopetencën e tij, prej 200m2 ku po bëhen punime dhe ndërkohë është një dokument i firmosur nga Ministri i Financave për një sipërfaqe 692 m2. Dhe për një sipërfaqe të tillë është kompetencë e saj. Pritet firma e Klosit që jep pëlqimin si ministër Kulture dhe që drejton politikën kulturore. 200 m2 për 20 studentë është një hapësirë e mjaftueshme, por të mendosh që në dy-tre vjet ky numër do të dyfishohet apo trefishohet atëherë kemi nevojë edhe për më shumë hapësirë.
Si do të jenë tarifat financiare?
Si fillim do të kemi një kuotë regjistrimi, pastaj do të bëhet konkursi, pas të cilit do të caktohet edhe numri i studentëve. Ka një bord që e drejton. Janë katër të huaj që janë edhe partnerët tanë që kanë investuar për shkollën dhe tre shqiptarë.
Si do të jetë struktura e organikës së shkollës?
Ka bordin qendror që është vendimmarrës, një staf organizues dhe dy struktura të tjera për të realizuar kontrollin poshtë e lart: këshillin studentor dhe këshillin pedagogjik.
E veçanta e kësaj shkolle është se jo vetëm pedagogu i vë notën studentit, por edhe studenti i vë notën pedagogut. Kjo do të thotë që në momentin që një student i shkollës “Marubi” konstaton që nuk përfiton asgjë nga një X profesor, nuk mund të jetë pjesë e kësaj shkolle.
Diçka më konkrete për testimin?
Prandaj bëhet regjistrimi. Aty do të jepet një formular aplikimi. Në formular është një pyetësor që grumbullon të dhënat nga çdo individ dhe mbi bazë të të dhënave zgjidhen ata që fitojnë të drejtën për të konkurruar. Jo të gjithë ata që regjistrohen mund të hyjnë në konkurs.
Në këtë shkollë hyjnë njerëz që i përkasin një grupmoshe të caktuar. Me një CV ku duhet të demonstrojnë lidhjet që kanë me këtë fushë, çka do të thotë filmime të bëra prej tyre, fotografi, apo gjëra të shkruara prej tyre. Gjuha angleze do të ketë test të veçantë, testet e imagjinatës etj.
Më katër tetor nis mësimi. Pas dy javësh nisim regjistrimet. Në 20 shtator është konkursi dhe në 25 është shpallja e fituesve. Pasi bëhet fjalë për një numër shumë të kufizuar studentësh.
Sa do të vlejë kjo shkollë për rrjetin televiziv?
Një nga arsyet që na ka nxitur për të hapur shkollën është edhe niveli amator televiziv. Ne sot kemi një rrjet televizionesh. Ka njerëz që njohin teknikat moderne, por nuk njohin konceptet, një strukturë të menduari kreative. Me televizionet tona sot ne nuk po zhvillojmë fuqinë kreative, por fuqinë e plagjiaturës. Si të bëjmë emisione që i ngjajnë rrjeteve Italiane, Franceze dhe nuk kemi arritur të kemi elementë kreativë. Shkolla në këtë rast përgatit njerëz që kanë imagjinatë, fantazi, formulë të konceptuari etj. Krahas saj edhe elementët teknikë që janë pjesë e krijimtarisë. Do të bëjmë edhe marrëdhënie kontraktuale me televizionet. Nuk duam të jemi të mbyllur, megjithëse kjo shkollë produktin e parë ka filmin.
Nga Elsa Demo
Gazeta Shekulli
__________________________________________________________________
AlbMuzika.Com