14 Shkurt 2005
Ju Flet Radio Vatikani
Gjon Gjomarkaj, zëri i besimit që vinte në Shqipërinë komuniste nëpërmjet valëve të Radio Vatikanit.

Gjon Gjonmarkaj
Nga
Gjergj Marku
Gjon Gjomarkaj, zëri i besimit që vinte në Shqipërinë komuniste nga Vatikani nëpërmjet valëve të Radio Vatikanit. Kush është gazetari që qe kërcënuar me vdekje nga Tirana dhe agjentët e Beogradit. Si arriti të kapërcente kufijtë dhe barrierat e diktaturës me lutje dhe programe fetare. Rrëfehet në moshën 77 -vjeçare
“Qoftë lëvdue Jezu Krishti! Ju flet Radio Vatikani!...”
Për vite me radhë, ky zë i veçantë, ka mundur të vijë tingëllues në veshët e atyre shqiptarëve, që kanë mundur të hyjnë në frekuencat e Radio Vatikanit, gjatë viteve të izolimit total nga bota dhe kur besimi fetar, supozohej nga regjimi se ishte çrrënjosur e fshirë nga faqja e dheut “në të parin truall ateist” në botë. Një zë që vinte pikërisht nga goja e një mirditasi nga dera e njohur e “Kapidanatit”. Pinjolli i Gjomarkajve të Mirditës, Gjoni, që sot është në moshë të thyer, kujton se do t'i takonte atij fati të ishte zëri i Selisë së Shenjtë për të krishterët dhe popullin e përvuajtur shqiptar për disa dekada. 77 -vjeçari i fismë, me flokët e zbardhur, emocionet i ka sjellë në një takim të para pak ditëve në Rrëshen, pas mbledhjes së rrëfimeve të tij në një libër të dr. Nikollë Tomës “Një mirditas në Vatikan”, promovimi i të cilit ishte programuar enkas në Mirditë nga autori dhe personazhi i librit.
Ai ka lindur në derën e Gjomarkajve, dera kapidanore e Mirditës, me jehonë brenda vendit dhe në diplomacitë perëndimore. Por jeta e tij kaloi përmes një kalvari të gjatë, qëkurse ngelet jetim 4 vjeç nga nëna dhe 6 vjeç nga babai, ndërsa iu dogj në zjarr dhe vëllai më i vogël. U rrit nën përkujdesjen e xhaxhallarëve, të cilët vunë re ngasjet e “një biri të squet”, ndaj e dërguan për t'u shkolluar në konviktin e Oroshit dhe më pas në shkollën e njohur bujqësore të Golemit. Më pas përfshihet në lëvizjen antifashiste.
Pas viteve ‘44 Gjon Gjomarku për një vit rresht bën “jetën e malit” si njeri me bindje nacionaliste, derisa shpallet një amnisti. Por me të ardhur në familje ai arrestohet, dhe dënohet në Shkodër. Pas dy vitesh del nga burgu dhe martohet me një qëndistare të talentuar shkodrane, duart e së cilës do t'i siguronin bukën e gojës familjes me tre anëtarë. Thirret për shërbim ushtarak në Pogradec, por pas vrasjes së Bardhok Bibës, gruaja i dërgon një letër ku i këshillon arratisjen: “ke hallallin nga ana ime! Më mirë të jesh larg e i gjallë se afër e i vdekur!” Parandjenja e saj kishte dalë. Pas 7 ditësh 14 burra mirditas do të ekzekutoheshin në një gropë të përbashkët, 500 të tjerë megjithë familje do të internoheshin e degdiseshin.
Arratiset nga malet e Korçës, por në përpjekje me forcat e ndjekjes dhe më pas me ato greke merr 5 plagë në këmbë. Shpëton i gjallë vetëm në sajë të ndërhyrjes në spitalin e Kastorias. Në saj të ndërhyrjes së Komisionit O.N.U, që bënte kontrollin e incidenteve në kufijtë e Ballkanit, i jepet mundësia që të largohej për në Athinë dhe të mos i prekej dokumentacioni që kishte me vete, ndërsa më 3 maj 1951 largohet me një motoskaf për në Bari dhe më pas në Romë. Filloi të organizohej në organizmat politikë të emigrantëve dhe shkruan në disa gazeta, revista; përpilon relacione për Papën, për Departamentin e Shtetit në SHBA, ku bën me dije gjendjen e shqiptarëve nën dhunën komuniste. Bashkëpunon me Abaz Gërmenjin në komitetin kombëtar “Shqipëria e Lirë”, ndërsa mban disa referate në Nju Jork, Çikago, Detroit etj.
Nga Shqipëria i njoftojnë vdekjen e gruas, ndërkohë që dhe kjo e fundit e dinte të vdekur. Në Palermo ku vendoset vite më pas, njihet me një vajzë, Marie Greco, e cila përshkruan takimin e parë me të: “Pikërisht në një nga ato orët e lira e takova duke përshkuar luginën e kopshtit. M'u duk një fytyrë e lodhur me dy sy të gjallë, bjond e i thatë. Nuk e kuptoja nëse ishte një djalë i plakur para kohe, apo një i vjetër me paraqitje rinore. Ishte i trishtuar, por dallova se kisha para një të ri në moshë. E takova përsëri dhe më shikonte me trishtim, por pas disa kohe të qëndrimit në kamp doli nga hija e trishtimit…”
Pinjolli “ndryshe” i një dere të fisme
Gjon Gjomarku e çmon së tepërmi derën nga rrjedh dhe sidomos për meritën që pati kjo derë në krijimin e unitetit 12 bajrakësh të Mirditës, një qeverisje interesante zakonore në përmasat e legjendës, ku problemet zgjidheshin në kuvendet e burrave në formën më demokratike të mundshme. Por është i pari pinjoll i këtij fisi që vë në dukje ato raste kur ndonjë nga kapidanët e kësaj familje kanë vepruar në kundërshtim me traditat e Mirditës dhe vetë vijës politike indipendiste, që ndiqte dera e Gjomarkajve.
Gjoni ka demaskuar përpjekjet e regjimit komunist, që stiste se “Gjomarkajt ishin një familje shtypëse dhe shfrytëzuese e krahinës së Mirditës”, duke sjellë si shembull tre nenet e Kanunit, përmes të cilit vetëqeverisej kjo krahinë, ku shënohej: “ së pari: prona e Gjomarkut është e caktueme me kufij si çdo tokë tjetër, së dyti: çdo dam që bante një i kësaj familje, çmohej, gjykohej e dënohej; së treti: me ra në kundërshtim krenët me Gjomarkun, ai mbledh popullin burrë për shtëpi e vendimeve të kuvendit Gjomarku u rrinte...”.
Gjomarkajt mbeten simbol i Mirditës vetëqeverisëse, ata i dhanë zë asaj, ashtu sikundër ajo u dha atyre si prijës. Kjo simbiozë marrëdhëniesh ka bërë që Mirdita të njihej në kancelaritë e kohës para se të njihej Shqipëria; Mirdita mbeti e panënshtruar nga turqit, madje e privilegjuar në sistemin taksidar më së pari, në saj të marrëveshjeve diplomatike që u lidhen me Stambollin, ndërsa prijësit e dalë nga kjo derë kanë qenë në poste drejtuese që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në qeverinë e Vlorës apo në Kongresin e Lushnjës. Prijës nga kjo derë janë pagëzuar me titujt e lartë “Pashë”, “Princ”, “Kapidan”, “Gjeneral brigade”, dhe jo thjesht për arsye politike, por dhe për meritë të një krahine të panënshtrueme, që falë intuitës së prijësve të kësaj dere, ditën të luanin kartat diplomatike në “kuinta dhe paskuinta” të politikës së kohës.
Gjon Gjomarku mendon se duhet shkruar më shumë për kontributin e prijësve të kësaj dere që nga Lleshi i Zi, Bid Dod Pasha, Preng Bib Doda e Preng Markola, duke qëmtuar me kujdes dhe në shënimet e studiuesve të shumtë anglezë, francezë, italianë, amerikanë e arbëreshë, që e kanë njohur edhe nga afër këtë derë të fisme, por nuk heziton të përmendë dhe ndonjë aspekt negativ, duke kritikuar sidomos ato vrasje, që kanë ndodhur brenda përbrenda këtij fisi për motive të ndryshme. Flet për kontributin e madh, që ka dhënë Marka Gjoni, kapidani i Mirditës gjatë kryengritjeve shqiptare të vitit 1911-1912, por ndërkohë ndalet dhe analizon gabimin që ai bëri më 1921, ku bashkëpunoi me serbët, pavarësisht gabimeve që bëri qeveria e kohës ndaj tij. Gjithashtu në takimet e bisedat që ka patur me emigrantë politikë në Itali, ka kritikuar gabimin e bërë nga kapidani Gjon M. Gjoni, i cili ka qenë pro pushtimit fashist italian.

Vatikani
Një mirditas në Vatikan
Gjon Gjomarku është i pari mirditas, që i takoi fati të punonte në Vatikan dhe pikërisht në radion e Selisë së Shenjtë. Radio Vatikani në të cilën punoi me përkushtim e profesionalizëm, emetoi programacion në gjuhën shqipe me porosi të Selisë së Shenjtë më 3 tetor 1951. Gjoni kujton se kjo radio u drejtohej të krishterëve dhe shqiptarëve në përgjithësi; përmes saj u shkonte shqiptarëve mesazhi i ngushëllimit e durimit, qëndresës e ngrohtësisë vëllazërore. Shqiptarët e pritën me ngrohtësi dhe kjo radio pati ndikim të jashtëzakonshëm sidomos në momentin kur në Shqipëri u zhdukën të gjithë institucionet fetare. Radio Vatikani varej nga Selia e Shenjtë, por Seksionit të Gjuhës Shqipe i ishte lënë autonomi më e gjerë si në përzgjedhjen, ndërtimin e përpunimin e materialeve për transmetim. Mons. Zef Shestani që e ka drejtuar për disa kohë këtë seksion në Radio Vatikani, “shquen timbrin e një zëri të veçantë” tek gazetari i ri mirditas, që sapo ishte futur në këtë radio. “Zani yt ka marr hov e s'e ndal gja. Jeni nderi i programit tonë”, -i shkruante atij.
Aq shumë ngjiste zëri i tij tek dëgjuesit sa, është ndër të paktët gazetarë, që ka qenë i kërcënuar me vdekje nga Tirana dhe agjentët e Beogradit. Për të ndaluar përhapjen në eter të valëve të kësaj radioje, çfarë nuk u sajua, me zhurmues e përgjime, por ato sërish, si me magji, mbërrinin tek besimtarët. Kronikat gazetareske me buletinët e posaçëm ishin nga më të spikaturat në programin shqip. Poshtë mbanin firmën: Gjon Gjomarku. Emblematikë nga lloji mbeten dokumentarët e shumtë kushtuar martirëve të fesë. Ato e tërhiqnin dëgjuesin me saktësinë e finesën që përdorej në stil e figuracion, për atë se çfarë po ngjiste në Shqipëri. Ja si e përshkruan vrasjen e njërit prej dhjetëra martirëve të masakruar në mënyra çnjerëzore, At Giovani Fausti, kur u shkatërrua shtëpia e jezuitëve në Shkodër dhe ai qe arrestuar: “At Faustit iu ba një gjyq kukull. Ndonëse ishte i bamun kockë e lëkurë nga torturat e tmerrshme të sa e sa muajve, ky martir i fesë, i përballoi me qetësinë e të fortit e me vendosmërinë e Jezusit. Më 4 mars 1946 e nisën drejt vendit të pushkatimit. Para se të binte përdhe nga plumbat e gjakësorëve ekzekutues thirri me zë të lartë “Rroftë Krishti mbret!”, dhe gjaku i tij vaditi tokën e Shqipnisë…”
Papa: Kisha nuk mund të zhduket nga zemra e shqiptarëve
Në një takim që Papa Gjon Pali i dytë u rezervoi emigrantëve shqiptarë në vitin 1986, Gjon Gjomarkaj thotë se ka të shënuar një thënie proverbiale të tij për popullin tonë: “Unë e jetoj martirizimin e popullit tuaj. Ju jeni përfaqësues të thjeshtë të tokës martire të Shqipërisë, e cila gjeografikisht është shumë afër e moralisht shumë larg, por kisha nuk mund të zhduket nga zemra e shqiptarëve, sepse asht krijue nga shpirti i shenjtë…”. Ishte momenti, kujton ai, kur dhe ne po e ndjenim se shpejt do të vinte dita që Papa të ishte në tokën e shenjtë shqiptare.
Në kohën kur persekucioni ndaj fesë qe shtuar: kisha të mbyllura, faltore të shkatërruara, klerikë të shumtë të linçuar e pushkatuar, Radio Vatikani, posaçërisht seksioni në gjuhën shqipe, ka meritën e madhe se arriti të mbante ndezur vlerat fetare, të demaskonte botërisht shtypjen që u bëhej të drejtave e lirive themelore në vendin e parë ateist në botë.
Gazetari Gjon Gomarkaj u ka dhënë rëndësi studimeve për kishën, klerikët dhe martirizimin e tyre. Historia e kristianizmit në Shqipëri jepet përmbledhtazi në një studim të tij “Kisha shqiptare dhe martirët e saj dje dhe sot”, studim i cili qe vënë në dispozicion të redaksisë qendrore në përshtatje me qëllimet misionare të Papës për apostolikët në lutjet e Nandorit 1983 për lirinë fetare të shqiptarëve. Aty shkruhet se historia e popullit shqiptar ashtë histori e luftës shekullore e nuk mund të ndahet nga ngjarjet e kishës, nga vlerat e klerit. Në studim bëhej me dije se në Shqipëri kanë ekzistuar 10 dioqeza, 117 kisha, dy seminare, 357 prifërinj e motra, shkolla katolike nga ku kanë dalë dhe shkrimtarë e edukatorë të shquar.

Radio Vatikani
Studimi përshkruante se si priftërinjtë katolikë u dërguan në burgje e kampe përqëndrimi dhe një numër i madh syresh u zhdukën, u vranë e masakruan. Shqipëria ishte vendi me më shumë të burgosur politikë se asnjë vend tjetër. Në Shkodër 1300, Ballsh 4000, Vlorë 900, në Spaç të Mirditës 3500, në Tiranë 1500, e qindra e mijëra të tjerë, që gjendeshin në kampet e përqëndrimit në Berat, Burrel, Ballsh, Bulqizë, Torovicë, Tepelenë, Ishëm, Novoselë, Mifol, Papër e Piqerras. Vendet e kultit u shndërruan në shtëpi kulture, palestra sportive, zyra për kooperativat etj. Më shumë se 2169 kisha e xhami nuk u kishte mbetur asnjë shenjë a rrënojë.
Gjon Gjomarkaj ka përcjellë përmes Radio Vatikanit gjithë vizitat e Papës në komunitetet shqiptare në Itali, duke studiuar mbi historitë e këtyre komuniteteve, ngulimeve të hershme këtu, madje duke hyrë në statistika interesante deri në numrin e saktë të popullsisë shqiptare atje. Në Kalabri mbahet mend një përcjellje brilante që ai i ka bërë vizitës së Papës më 5-7 tetor 1984, ku me rëndësi ishte evidentimi i një dokumenti historik, që pohohet edhe nga Papa në fjalimet e tij, ku cilësohej se shqiptarët e ardhur këtu prej 5 shekujsh kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare dhe besimin katolik. Për këto ardhje flitet në dy dokumente të lëshuar nga Giovanni d'Aragona, mbret i Siçilisë, i cili thoshte se shqiptarët u larguan nga vendi i tyre kur turqit u kishin pushtuar tokat e tyre, janë kristianë dhe njerëz me shumë vlerë, andaj i lamë atëbotë të stabilizohen në tokat e Siçilisë. (Dokument i lëshuar më 18 tetor 1467). Papa u kumtoi shqiptarëve se njëri prej paraardhësve të shqiptarëve që banojnë këtu ishte dhe Papa Klementi XI me origjinë dhe gjak shqiptar, ndërsa gjuha shqipe nuk është as gjuhë e Perëndimit e as e veriut të Europës, por një gjuhë e vjetër, që i ka dhanë kulturës poetë e shkrimtarë me famë si Lekë Matrenga (1560-1619), Girolamo De Rada (1814-1903), Antonio Santori (1819-1189), Gabriel Dara Giusepe Seerembe (1843-1894), Giuseppe Schiro (1865-1927) etj. Andaj kjo gjuhë duhet ruajtur me kujdes e devocion…
Me ardhjen e demokracisë Gjon Gjomarkaj dha një ndihmesë të madhe në vendin tonë nga jugu në veri. Është gazetari që ndoqi vizitën e parë të Papës në Shqipëri dhe e pasqyroi atë gjërësisht në Radio Vatikani së bashku me Sergio Centofanti, ku në thelb të reportazhit të tyre konkludohej “Shqipëria tashmë është një vend në kërkim të kryqit…”, një vend ku të krishterë dhe myslimanë janë në rrugën drejt Europës.
Takimi me Nënë Terezën në Shirokë...
Gjoni ka të shënuar si kujtim të zemrës takimin me Nënë Terezën në Shirokë të Shkodrës më 15 gusht 1992, kur po celebrohej një meshë e shenjtë, që transmetohej nga Radio Vatikani. “Në shpat të malit ishin grumbullue mijëra besimtarë për të asistuar në celebrimin e kësaj meshe në prani të shenjtëreshës së gjallë Nanës Terezë,- kujton ai. Nuk ndihej asnjë za, përveç cicërimave të zogjve, që me sa dukej ishin grumbulluar aq shumë atë ditë për t'ia uruar mirëseardhjen shenjtores me kangën e bukur të tyne. Qenë vendosur në një vend të improvizuem për meshën në natyrë tre karrige; një për Nanën Terezë, një për kryetarin e Parlamentit Pjetër Arbnori dhe në të tretën gjendesha unë. Mbasi u përshëndetëm më dha shej të ulem, pas pak kthehet, më mori dorën e djathtë në duart e saj të buta e të ngrohta duke më thënë “E sheh Gjon, që dhe luetjet tueja për muej e vjet përmes mikrofonit të Atit të Shenjtë në Vatikan, shkuen në vend!...”. Nuk fola, më rrodhën lotët, puna jonë për të ruajtur besimin nuk kishte shkuar dëm…Mjerisht qe takimi i fundit me hyjnoren Nanën Terezë, pasi ajo u nis për në Kalkuta dhe unë për në Radio Vatikanin”.
Vetëm një muaj më pas, më 1 shtator mbyll karrierën në këtë radio, duke bërë kërkesën për pension. Përveç si gazetar, studiues, përkthyes, Gjon Gjomarku mbahet mend si ndër të parët shqiptarë rezidentë prej kohësh në Itali, që do të jepte ndihmesë të çmuar për sistemimin dhe punësimin e shqiptarëve, që u dyndën për në brigjet italiane, duke shëtitur sa në njërin kamp pritjeje në tjetrin, kudo ku kishte shqiptarë. Ndërsa më pas i përkushtohet misionit humanitar duke sjellë pajisje e aparatura mjekësore për spitale si në Rrëshen, Laç, Bilisht, Korçë etj. ndërsa ndihmoi qindra familje në vështirësi ekonomike si dhe pajisjen me ekzemplar librash në gjuhën italiane të shumë bibliotekave nëpër rajone të ndryshme të vendit.
Pas viteve ‘90, edhe pse në pension, i përkushtohet punës voluminoze për sjelljen e librave të përkthyer, sidomos nga librat klasikë, përkthimit të librave të studiuesve shqiptarë në gjuhën italiane etj. Ndërsa për t'u shënuar është prodhimi i dokumentarit kinematografik “Pas 600 vitesh gjurmë të historisë”, që pasqyron legjendën e Zojës së Shkodrës, me skenar të tij dhe regjisor Ylli Pepo, sponsorizuar nga “Luci sull'Est”, një bashkëprodhim me TVSH.
Në vitin 1994 përkthen në gjuhën shqipe, duke e plotësuar me pjesë historike librin “Nana e Këshillit të Mirë”, të shkrimtarit italian Giovanni Scognamiglio, ku argumentohet se Zoja e Shkodrës ka shkuar në Genbazzone në Romë në vitin 1467, dhe se më parë ajo është nderuar në tërë Shqipërinë. Katolikët e kërkonin ndërhyrjen e saj, veçanërisht në raste të vështira të marshimit otoman, që po përbënte një rrezik të madh për njerëzimin. Ishte pikërisht Zoja e Bekuar e Shkodrës, në të cilën kishte besim Gjergj Kastrioti, ndaj si këmbim Zoja e Bekuar e bëri “Model i perfeksionit të krishterë” dhe i dha fuqinë e pamposhtur për mbrojtjen e vendit të vet dhe të tanë krishtërimit.
Së bashku me doktor Sisto Capra, ka dhënë një version të plotë në italisht të Kanunit të Lekë Dukagjinit, ndërsa bashkëpunimi në mes tyre është shtrirë për vite e vite dhe në fushën e gazetarisë, pasi dr S. Capra botoi për vite me radhë “Noi Albanesi in Italia”.
Në vitin 2003, Gjon Gjomarkaj publikoi për publikun italian dhe shqiptar në dy gjuhë librin “La Beatificazioine di Madre Teresa. Chi era questa donna”. (Lumnimi i Nanës Terezë/ Kush ishte kjo grue”. Pa e zgjatur për këtë vepër po sjellim thëniet e peshkopit italian Pio Vigo: “Vepra e Gjon Gjomarkajt ka dy merita kryesore, e para, sepse ka përgatitur e nënvizuar rreshta themelore, që flasin për zemrën e Nanës Terezë, pa i rënduar me thënie të tepërta e të përsëritura, dëshmi reale të zgjedhura e të rëndueme në argumente, që përshkruajnë tamam si një shpirt, që flet për gjërat e botës, duke nxjerrë thellësinë e zemrës së Zotit; dhe e dyta meritë vjen nga fakti që botohet në dy gjuhë, italisht dhe shqip. Dy gjuhë më një të vetme besimtarie, dy kultura të një dashurie të vetme. Dy popuj, një histori që i bashkon sot për të zbuluar bashkë vlerat e lirisë, të pavarësisë dhe përparimit. Kush i lexon faqet e këtij libri mbetet i mahnitur dhe i prekur nga personaliteti i kësaj gruaje, që ka ditur të ndërtojë dhe të jetojë teologjinë e dashurisë. Libri lindi nga puna e zemra e Gjon Gjomarkajt, nga gëzimi i të qenit bashkëkombas i Nanës Terezë dhe për përvujtërinë e thellë dhe nderimin treguar gjithmonë ndaj saj…”.
Një kopje të librit, autori ia dërgoi Shenjtërisë së tij Papa Gjon Pali i Dytë në Romë dhe nuk vonoi përgjigja e ardhur nga sekretaria e shtetit të Vatikanit:
Shumë i çmueshmi zotëri Gjon Gjomarku, Palermo
Me ndjenja xhentile, juve i keni dërguar dhuratë Papës së Shenjtë një vëllim me dedikim të përvujtë. Ati i Shenjtë ju falenderon për gjestin nderues, për ndjesirat e veçanta e me urime paqeje shpirtërore e përparime të krishtera, ju jep përzemërsisht Bekimin e vet Apostolik, duke ua shtrirë edhe njerëzve tuej të afërt.
Monss. Garbriele Caccia, Assesore
Libri doli në një kohë kur kishin filluar të publikoheshin spekulime të mëdha ndaj origjinës së kësaj shqiptare të madhe. Përmes rreshtash studimorë hidhen poshtë ato, duke sjellë në mënyrë të sintetizuar deklaratat e vetë Nanës Terezë dhe të vëllait të saj Lazrit, që më krenari e dëshmojnë origjinën shqiptare.
Në fund të tij shënohet thënia sintezë e profesor Pjetër Gabroni: “Nana Terezë sot është dielli i Shqipnisë e dashtunisë…Qysh në kohët e Skënderbeut e këndej, Gonxhe Bojaxhiu, është lulja më e bukur e racës shqiptare…”