14 Janar 2006
Londo: Mirësevini në “Qytezën teatrore”
Teatri Kombëtar, në fund të janarit nisin shfaqjet në ambjentet e reja

Pamje nga Tirana
Gjysma e dytë e janarit do të sjellë 2 skena dhe 350 vende më shumë për spektatorët në Teatrin Kombëtar. Drejtori i këtij teatri, Kiço Londo, shpjegon se kanë përfunduar punimet në 2 teatrot, njëri me 200 dhe tjetri me 150 vende, si edhe galeria e artit figurativ. Përveç shtimit të ambienteve që në fazën përfundimtare do të formojnë një qytezë me 6 salla, është bërë një ndërhyrje e konsiderueshme edhe në sallën me 530 vende, me synimin që këto hapësira të shtojnë më shumë numrin e shfaqjeve, artistëve pjesëmarrës, bashkëpunimeve, etj. Sipas Londos, rrjedhojë e kësaj është edhe ambicia e një repertori të përzgjedhur që do të ngjitet në këto skena. “Closer” do të jetë drama e parë që do të hapë dyert e reja. Dhe më pas do të pasohet dhe nga 5 prodhime të reja. Përzgjedhja e tyre i është nënshtruar shqyrtimit të një “bordi imazhi”. Për këtë procedurë, Londo thotë se nuk duhet të vihet shenja e barazimit me këshillin artistik.
Sa hapa larg jemi nga qyteza teatrore dhe sa do të jetë hapësira që do të ofrojë për spektatorin?
Përpara 6-7 muajsh ne paraqitëm përballë artistëve dhe publikut shqiptar një projekt që synonte realizimin e një qyteze teatrore brenda hapësirave të Teatrit Kombëtar. Thelbi i tij qëndronte në shtimin e sallave, pa prishur strukturën dhe arkitekturën fillestare të ngritur para 70 vjetësh. Ndërtimi i saj po ecën me hapa të shpejta. Qyteza teatrore në finale të saj do të ketë 6 salla, një galeri dhe një hapësirë për panaire libri. Janë përfunduar veç sallës me gati 530 vende që është rinovuar në një masë të konsiderueshme, një teatër me 200 dhe një tjetër me 150 vende dhe galerinë e vet të artit figurativ. Këto do të inagurohen në 10 ditëshin e dytë të janarit.
Çfarë synoni me këtë rikonceptim të ambienteve të TK-së?
Me shtimin e ambienteve ne synojmë që në TK të ketë më shumë shfaqje, spektatorë, artistë cilësorë që aktivizohen në këto shfaqje, më shumë të rinj të talentuar, më shumë hapësirë për eksperimente të domosdoshme, hapësirë për bashkëpunimin midis regjisorit dhe autorit, sidomos me dramën shqipe. Gjithashtu studentët e Akademisë së Arteve do të jenë më afër, duke u vënë në dispozicion ambiente për provim, që atyre ju mungojnë shumë, diplomat e vitit të katërt të degës së dramës dhe regjisë. Do të organizohen në sallën me 200 dhe 150 vende që janë gati. Do të ketë më shumë mbrëmje poetike, më shumë vepra me tre katër autorë, koncerte të vogla instrumentale, ekspozita të artit figurativ, ku përfshihen piktura, skulptura, fotografia, etj.
Si do të menaxhohen ambientet e reja?
Kjo është pjesë e një projekti ambicioz menaxhimi, që është duke u përgatitur. Galeria, studentët e Akademisë dhe panairet që do të zhvillohen në pranverë në oborrin e Teatrit dhe përreth pishinës, janë pjesë e këtij projekti. Ne do tu japim mesatarisht çdo vit 50.000 vetave programin vjetor të TK-së dhe 50.000 të tjerëve do tua çojmë në shtëpi. Gjithashtu do të kemi lidhje për reklamime edhe me televizionet dhe gazetat. Çdo vit ka një rritje prej 30 % të numrit të spektatorëve, por ne duam që ta kthejmë hapësirën e TK-së në qendrën më të rëndësishme kulturore dhe krijuese, jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë vendit.
Sa ka qenë buxheti i përdorur për realizimin e këtyre ambienteve?
Kjo është një nga pikat më të debatuara. Të treja këto ambiente, galeria, salla me 200 dhe 150 vende që është e pajisur me elektronikë të re, kanë kushtuar vetëm 28 milionë lekë të reja. Gjë që tregon se kjo punë është bërë me përkushtim dhe dashuri të madhe, me firma serioze dhe është tregues i një antikorrupsioni. Me këtë ne kuptojmë se sa shumë vidhet në Shqipëri.

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
Cila ka qenë për ju mbështetja më e madhe?
Mbështetja e madhe për këtë punë është dashuria për teatrin. Është bërë nga një grup njerëzish që duan teatrin brenda vetes dhe jo veten e tyre në teatër. Në këtë iniciativë shumë serioze, jam mbështetur nga figura të mëdha të skenës si: Kadri Roshi, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Sulejman Pitarka, Drita Pelingu, Robert Ndrenika, Ndriçim Xhepa, Bujar Lako, Agim Qiriaqi, Fatos Sela, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, etj. Pse jo edhe nga të rinjtë që më përkrahin në të gjitha reformat.
Megjithatë ka patur edhe kundërshtime...
Faleminderit që më kundërshtojnë dhe do t'u thosha që arti nuk bëhet me dhunë. Drama shqipe nuk bëhet me porosi. Nuk mund të kthehemi në vitet '70, kur partia jep urdhër të bëhet letërsi kur nuk ka. Zotërinj, këto ambiente nuk janë pronë e një njeriu, as e individëve, janë pronë e artistëve dhe e publikut shqiptar. Ejani të punojmë së bashku në një vend ku të mbizotërojë cilësia.
Shtimi i sallave do të thotë edhe një repertor më i pasur?
Do të kemi veç “Closer” që do të jepet më 28 janar edhe 5 produksione të reja. Dy regjisorë të huaj, një me “Ëndrra e një nate vere” të Shekspirit dhe “Medea” e Euripidit. Do të kemi një bashkëpunim me komedinë franceze, ku më 30 mars do të vijë një nga aktorët kryesorë të komedisë franceze që do të interpretojë bashkë me një aktor shqiptar. Në një bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, synojmë të sjellim një regjisor për workshop. Po ashtu me Ambasadën Franceze do të sjellim javën franceze të teatrit. Në fund të janarit, Teatri Popullor i Beogradit do të shfaqë në TK “Martesa” e Gogolit. Kërkojmë më shumë komunikim me Teatrin Kombëtar rumun dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me një prej regjisorëve më të fuqishëm që ka sot bota teatrale, Aleksandër Darie. Ne po synojmë të integrohemi në skenën teatrore evropiane dhe duam të bëhemi ambasadori i Shqipërisë në fushën e artit.
Është folur që në përzgjedhjen e repertorit i jeni rikthyer konceptit të këshillit artistik?
Njerëzit mendojnë që unë i jam kthyer bordit dhe këshillit artistik, por sqaroj se është një koncept i gabuar. Ne po mundohemi ta çpolitizojmë teatrin. Është krijuar bordi i imazhit, që do të thotë se sipas politikës së repertorit, do të caktohen 6 veprat që do të vihen në skenë brenda një viti. Mbi këtë caktim do të konkurrojnë koncepte regjisoriale. Këtë bord të imazhit që ka të bëjë me imazhin tonë për tu integruar në Evropë, e ka zgjedhur drejtori i Teatrit Kombëtar. Një praktikë e ndjekur deri tani dhe synohet të aplikohet edhe në ligjin e ri që po përgatitet për teatrin.
350 vende
Në Teatrin Kombëtar do të ketë edhe 305 vende më shumë për spektatorët. Kanë përfunduar punimet në dy teatro të reja, një me 200 dhe tjetri me 150 vende. Gjysma e dytë e janarit do të shënojë inagurimin e tyre dhe të një galerie të re arti.
280 milion
Është shuma e investuar për shtimin e këtyre tre hapësirave të reja që janë pjesë e një qyteze teatri brenda hapësirave të TK-së. Në përfundim të këtij projekti, Teatri Kombëtar do të ketë në funksion 6 salla të reja për veprimtaritë artistike.
Nga Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare
________________________________________________________________________
AlbMuzika.Com