Pushimet Verore: Mbetet Turqia se nuk marrim dot vizat...
Nga Belina Budini
Gazeta Shekulli

Alanya, Turqi
TIRANË – Duke ëndërruar Spanjën, Tajlandën dhe Egjiptin, shqiptarët zgjedhin për të pushuar edhe këtë vit Turqinë. Jo pse është më lirë siç supozohet, por se është një nga mundësitë e pakta për të kaluar pushime jashtë Shqipërisë pa procedura të pakalueshme vizash. Ndërsa destinacionet e Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë janë më pak atraktive këtë vit, për shkak të tarifave më të larta që ofrojnë në krahasim me vitin e kaluar. Spanja, Tajlanda dhe ishujt ekzotikë mbeten eldorado destinuar për elitën e pushuesve shqiptarë dhe toka të ndaluara për të tjerët. Por surpriza është se në këto vende pushimet kushtojnë shumë më pak se ç'mendohet. E thonë vetë menaxherët e agjencive turistike të Tiranës. “Ofertat e Spanjës për shembull janë shumë të mira dhe kompetitive me ato të Turqisë apo vendeve tona fqinje, por bëhen të pamundura për shkak të vizave”, - shprehet Albina Rado, menaxhere e agjencisë “Alb-Ardent”. Kështu që e vetmja kartë e vlefshme në duart e shqiptarëve, të cilët duan të bëjnë pushime jashtë vendit mbetet Turqia.
Dhe shqiptarët pushtuan Turqinë...
Ka nga ata turistë shqiptarë që zgjedhin të pushojnë në grup në plazhet turke dhe të tjerë që duan të jenë sa më larg shqiptarëve. Kërkojnë që nga hotelet me një yll, deri tek ato me pesë yje. Gjen oferta edhe me 13 euro kosto ditore për person. Ndryshimin e përcakton xhepi. Në hotelet me tre yje, që janë oferta të mesme, çmimet shkojnë deri në 1300 euro në çift për 10 ditë pushime me të gjitha të përfshira. Dhe këto janë ofertat më të preferuara sipas agjencisë turistike ATHS. Bëhet fjalë për plazhet e Turqisë si Kemeri, Alanya dhe Beldibi. Në hotele me katër yje ofertat janë më të kushtueshme dhe shkojnë deri në 1600 euro, kurse në hotelet me 5 yje çmimet janë 1700 euro në çift për dhjetë ditë pushime, por edhe më shtrenjtë. Në këtë rast ofrohen, nëse dëshiron, shumë sporte dhe aktivitete e zbavitje, të gjitha të përfshira në çmimin e përgjithshëm të pushimeve. Sipas menaxherit të “Albtours D” edhe në agjencinë e tyre shumica zgjedhin për të pushuar në Turqi dhe më pak në Mal të Zi e Kroaci, por nuk përjashtohet as Spanja e destinacionet e tjera. Ndërkohë sipas menaxheres së “Alb-Ardent” deri tani ka patur më shumë fluks klientësh me buxhet mesatar, që kërkojnë çmime shumë të favorshme.

Barcelona, Spanje
Pushime aktive
Pushime dhe ture, kjo është zgjedhja e një pjese tjetër turistësh, të cilët nuk duan thjesht të argëtohen por edhe të vizitojnë e të mësojnë për vende të ndryshme duke përfituar nga koha e pushimeve. Por edhe pushimet aktive janë gjithnjë e më të preferuara. Pushime ku ingranohesh në lojëra e aktivitete të ndryshme sportive e muzikore. Në shumicën e rasteve, aktivitetet janë të përfshira në çmimet e pushimeve. Por mundësitë janë të shumta dhe një pjesë edhe me pagesë ekstra. Për shembull nëse zgjedh pushime në një hotel ku ka fushë golfi mund të përfitosh nga rasti për të ndjekur kurse të këtij sporti elitar. Nëse nga zhytja nuk ke fare haber, mjaft të zgjedhësh një hotel ku të ofrohet kursi i zhytjeve. Fitnesi dhe sauna ofrohen pothuajse në të gjithë hotelet. Fitnesi falas, domethënë i përfshirë në çmimin e pushimeve, ndërsa sauna përgjithësisht me pagesë. Ndërkaq të gjithë hotelet janë të pajisur me pishina për fansat e pishinave ose ata që ujin e kripur nuk e preferojnë. Mund të zgjedhësh edhe paketa turistike shumë sportive, me shumë udhëtime dhe sporte në det. Ata që udhëtojnë në familje zgjedhin komplekse të mëdha pishinash përveç detit ku fëmijët mund të zbaviten më shumë. Zakonisht këto ambiente janë shumë të populluara dhe shtrihen në hapësira shumë të mëdha. Tenisi dhe ping pongu janë gjithashtu aktivitete të ofruara përgjithësisht brenda çmimit total për pushuesit. “Janë pikërisht këto mundësi që i afrojnë më shumë shqiptarët me plazhet e huaja, pasi plazhet shqiptare janë shumë të varfra në aktivitete dhe zbavitje”, - shprehen në agjencitë turistike. Sportet ujore kolektive gjithashtu nuk mungojnë në rastet e udhëtimeve të organizuara në grup por edhe për pushues individualë që bashkohen me miq të rastësishëm plazhi. Nga ana tjetër ka edhe komplekse vilash e hotelesh të veçuara për ata që duan të bëjnë pushime më të qeta, zakonisht në çift. Oferta të tilla janë më të kushtueshme, por ofrojnë më shumë intimitet dhe ambiente romantike.
Dubrovnik, Kroaci
Pushime dhe ture
Në Stamboll, në Sofje, në Dubrovnik, në Budapest, në Budva-Ulqin dhe në Paris. Këto janë ofertat e një agjencie turistike për udhëtime turistike të tipit të tureve kulturore e njohëse. Këto janë në plan të dytë si oferta, pas programeve të pushimeve të zakonshme. Një tur i tillë katërditor në Stamboll kushton 295 euro dhe parashikon ndër të tjera vizita në Xhaminë Blu, Muzeun e Shën Sofisë, Urën e Gallatës, Sarajet e Sulltanit, në kodrën më të lartë të Stambollit, në stacionin e anijeve dhe jahtve, në ngushticën e Bosforit, etj. Po kështu udhëtimi turistik në Sofje, Dubrovnik e Budapest përfshin vizita historiko-kulturore. Ndërsa turi në Paris, i cili kushton 689 euro për katër net me fjetje në Paris, përfshin vizita në pjesën më të madhe të monumenteve kulturore të Parisit, përfshirë edhe një udhëtim në Disneyland sipas dëshirës, por vetëm me mëngjes të përfshirë në çmim.

Saranda...Pse jo?
Braktisen Kroacia dhe Mali i Zi
Ndër alternativat më të preferuara vitet e fundit, Kroacia dhe Mali i Zi nuk janë më njëlloj atraktive këtë vit për pushuesit shqiptarë. Kjo pasi çmimet për to janë rritur sipas agjencive turistike. Për në Kroaci ekziston edhe vështirësia e vizave, por çmimet dhe taksat këtë sezon turistik kanë shënuar ngritje të konsiderueshme në krahasim me vitin e kaluar, kur zgjodhën të pushonin në Turqi një numër i madh shqiptarësh. Edhe Mali i Zi nuk paraqet oferta shumë ekonomike këtë vit, ndërkohë që një pjesë e pushuesve preferojnë të mos kalojnë nëpërmjet një agjencie turistike në Mal të Zi, duke i bërë lidhjet e drejtpërdrejta me hotelet dhe ambientet e pushimit. Një pjesë e mirë e pushuesve kanë nisur të bëjnë vetë kërkime në internet për të gjetur oferta më të favorshme, pa patur nevojë të trokasin në një agjenci shqiptare për ndërmjetësim.
__________________________________________________________________________________
AlbMuzika.Com