Gjurmë të arta në muzikën shqiptare
Në 60-vjetorin e lindjes së kompozitorit Kujtim Laro


Kujtim Laro
Kompozitori Kujtim Laro


11 Maj
2007

Nga ROLAND ÇENE
Gazeta SHQIP

Familja e Neshat Laros në Vlorë njihej si familje shoferi. Ardhja në jetë e tre djemve, Flamurit, Gëzimit e Kujtimit, krahas gëzimit që solli në familje ndryshoi dhe profilin e familjes së xha Neshatit. Tashmë në vitet në vazhdim ajo do të njihej si familja e artistëve të vëllezërve Laro. Kështu, Flamuri në letërsinë humoristike, Gëzimi në interpretimin e muzikës serioze e Kujtimi në krijimin muzikor, përveç vlerave të rëndësishme që sollën në artin shqiptar, krijuan dhe një profil të ri e të qëndrueshëm për krejt familjen, “Familje artistësh”, traditë që e transmetuan edhe në pasardhësit e tyre, fëmijët.

Jeta

Kujtim Laro u lind më 08.05.1947 në qytetin e Vlorës dhe ishte i fundit nga fëmijët e familjes së madhe të Neshat Laros. Që në fëmijëri, nën influencën e vëllait të madh, Gëzimit, i cili studionte violonçel në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, i lindi dëshira për të studiuar muzikë. Kështu, në vitin 1961 fillon studimet e rregullta muzikore në Liceun Artistik, ku për katër vite specializohet për instrumentin e kontrabasit. Pavarësisht arritjeve në mësimin e instrumentit, shpalos dhe disa dukuri të tjera në shkollë e veçanërisht bën hapat e para për të krijuar muzikë. Me mbarimin e shkollës së mesme në vitin 1965, fiton konkursin për kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve. Të dhënat e tij muzikore tërheqin vëmendje e prof. Çesk Zadejës “Artist i Popullit”, i cili e mori në klasën e tij, ku për pesë vite arriti të përgatiste një kompozitor të ri me formim të plotë, i cili do të kishte një karrierë të suksesshme.

Që në bankat e I.L.A, Kujtimi do të shkruante shumë vepra në procesin mësimor që do të ishin lajmëtaret e para të sukseseve të tij në fushën e krijimtarisë muzikore. Të tilla si: “Variacione për violonçel e orkestër” (1967), “Koncert nr. I për violinë e orkestër (1969), “Poema simfonike” (1971) që u shkruan në vitet e studimeve do të përcaktonin dhe profilin krijues të autorit.

Në periudhën 1970-1975, ai punon në redaksinë e krijimtarisë muzikore të RTSH së bashku me Gj. Simonin, F. Dedën, A. Lalon etj...ku jep një kontribut të vlefshëm për inkurajimin edhe të krijuesve të tjerë. Kësaj periudhe i takon një krijimtari e gjerë në shumë gjini e zhanre. Ndër më të rëndësishmet janë: “Baballarët”, “Poemë simfonike nr. 2, muzika e filmave “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Në fillim të verës” (1975), shumë këngë, vepra të mëdha vokale etj...

Prej vitit 1975 emërohet drejtor artistik I ansamblit të UP-së detyrë që vazhdoi ta kryejë me shumë sukses deri në 1993, kur ky institucion artistik u mbyll. Puna 18- vjeçare në drejtimin artistik të ansamblit artistic të UP-së do t'i krijonte Kujtimit hapësira të reja. Nevojave për krijimtari të kësaj trupe, ai diti t'u përgjigjet më së miri e më se cilësisht. Ai u përshtat dhe u integrua plotësisht në profilin e ansamblit, ku vend të rëndësishëm zinte tema e mbrojtjes dhe atdheut. Kështu, në periudhën e ansamblit të UP-së ai krijoi mbi 16 tablo koreografike e ndër të cilat evidentohen: “Labëria”, “Bilbilenjtë trembëdhjetë”, “Vëlla e motër”, “Yje për liri”, “Pesë heronjtë e Vigut” etj...

Periudhës krijuese në ansamblin e UPsë i takojnë me dhjetëra këngë, korale, kantata, përpunime, suita vokale etj...ndër të cilat shquhen: “Baladë për Selam Musanë”, “40 vjet shqiponjë e lirë”, “Baladë për Ismail Qemalin”, “Malet nuk tunden nga era” etj... Gjithashtu, kësaj periudhe i takojnë tre “Poema simfonike”, katër “Rapsodi”, “Koncerti nr.2 për violinë dhe orkestër”, një “Overture”, e shumë krijime vokale e koreografike, si dhe muzikën e shumë filmave artistikë.

Kjo është periudha kur kompozitori Kujtim Laro shpalos energji të pashtershme krijuese. Ai aktivizohet me krijimtarinë e tij në konkurset kombëtare, në dekadat e majit në festivalet e këngës në RTSH, në kinemanë shqiptare etj...duke u bërë një nga krijuesit më aktivë në jetën muzikore shqiptare.

Prej vitit 1993 derisa i pushoi zemra së rrahuri para kohe, ai drejtoi artistikisht Shtëpinë Qendrore të UP-së. Këtu ai përsëri dha një kontribut të rëndësishëm për varietenë dhe orkestrën frymore të UP-së. Pas viteve 1990, krijimtaria e Kujtim Laros kërkon rrugë e shprehje të reja. Ai bën përpjekje serioze për t'u integruar në zhvillimin muzikor-bashkëkohor. Një rol të madh në kurorëzimin e përpjekjeve të tij drejt të resë ka luajtur ISCM Albanian Section, duke aktivizuar Laron në aktivitetin “Vjeshta e Tiranës”, aktivitet i cili i dha drejtime të reja krijimtarisë muzikore të kompozitorëve shqiptarë. I porositur nga ISCM Albanian Sections, ai shkruan një numër të madh veprash për ansamble dhome, muzikë instrumentale, vokale etj. Ndër më të evidentuarat janë: “Monolog” për violet (1998), “Imrovizë” për violonçel e piano(1996), “Dialog” për klarinetë e fagotë (1997), “Koncertini” për violinë e instrumente druri, “Sonata” për violë solo, “Trio për violinë, violonçel e piano, “Improvizim” për violonçel nr.1 e nr.2, Kuartet harqesh , “Variacione” për soprano e violë dhe “Ish një vajzë” për soprano, violë e violonçel etj...

Shumë nga këto vepra me ndihmën e ISCM Albanian Section janë interpretuar edhe në disa vende evropiane si: Austri, Maqedoni, Greqi, Kosovë, Francë, Gjermani, Zvicër etj. Kështu, kompozitori K.Laro “Artist i merituar” në 57 vitet e jetës së tiji kreu më së miri detyrimet ndaj popullit e atdheut, duke lënë trashëgim një opus të gjerë krijues. Kishte shumë për të thënë e dhënë në muzikën shqiptare kompozitori K. Laro, por vdekja e parakohshme në vitin 2004 e ndau atë nga të afërmit, kolegët e dëgjuesit. Për kontributet e shquara atij I janë dhënë shumë çmime, dekorata e urdhra, si dhe titulli i lartë “Artist i Merituar”.

Individualiteti krijues

Hapja e konservatorit të parë shqiptar në 1962-in krijoi mundësi të mëdha për përgatitjen e kompozitorëve shqiptarë. Rezultatet e kësaj shkolle ishin të menjëhershme e të mëdha. Kështu, brezin e parë të kompozitorëve që u përgatitën në atë shkollë si: T. Marapi, K. Lara, F. Ibrahimi, L. Dizdari e Gj. Kapidani, mbas viteve 1970 do të ndiqte brezi i dytë i tyre ku u shquan e sollën zhvillime të reja në muzikën kombëtare: K.Laro, Sh.Kushta, Th.Zaharian, S.Shupo etj. Pjesa më e madhe e këtyre krijuesve u përgatitën në klasën e prof. Ç. Zadesë. Një ndër individualitetet e spikatura të brezit të dytë të kompozitorëve të shkollës sonë është kompozitori Kujtim Laro, “Artist i Merituar”. Pjesa e rëndësishme e individualitetit të tij krijues është sasia e madhe e krijimtarisë muzikore që ai realizoi. Në opusin e tij bëjnë pjesë: 5 poema simfonike, 4 rapsodi, 1 overturë, 3 koncerte për violinë e orkestër, 16 tablo koreografike, 33 kolona zanore për filmin artistik shqiptar, disa kantata, dhjetëra këngë, pjesë korale, përpunime këngë të lehta, pjesë instrumentale, muzikë për ansamble dhome, punime për orkestër frymore, me dhjetëra orkestracione etj...

Vepra muzikore e Laros dallohet për thjeshtësi, qartësi, koncizitet e shprehje më se emocionale. Shumë nga temat muzikore të veprave të tij janë gjetje që krahas spontanitetit përmbajnë edhe një “gjen” të talentit të fuqishëm të autorit. Qartësia e shprehjes së tij muzikore mundësuan një komunikim të fuqishëm e të menjëhershëm me dëgjuesin. Gjithashtu, përhapja e madhe që ka muzika e tij në mbarë dëgjuesin shqiptar, e bën veprën e tij tepër demokratike e edukative.

Pjesa e rëndësishme e individualitetit të Laros është tingëllima kombëtare në veprën muzikore. Kështu shohim që në veprat e tij të jenë të stigmatizuara shumë karakteristika të muzikës tradicionale të Labërisë-Iso- Polifonisë Labe. Shfrytëzimi i pentagonit më se origjinal nga ana e Laros, ngarkesat emocionale me një ekspresivitet të dallueshëm, administrimi racional i teknikave muzikore kanë mundësuar një përhapje që ai ka realizuar e vendos atë në majat e Olimpit të muzikës kombëtare shqiptare. Kolonat zanore të filmave “Lulëkuqe mbi mure”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Vendimi”, “E kuqja dhe e zeza” etj., na jep të drejtën që ne shqiptarët të krenohemi për “Morikonen” tonë, kompozitorin Kujtim Laro.

Gjatë jetës së tij, Laro ishte vazhdimisht në kërkim të së resë e të nevojave që kishte muzika shqiptare. Kështu, ai përmendet natyrshëm me profilin e ansamblit artistic të UP-së, ku punoi, krijoi e drejtoi për 25 vjet me radhë duke realizuar një sasi të madhe veprash muzikore me temë për atdheun, mbrojtjen, punën, vepra të cilat i dhanë kësaj trupe artistike një status të rëndësishëm në jetën artistike të vendit tonë.

Patetizmi, lirizmi, heroizmi me një shkallë të lartë këndueshmërie, shoqërojnë temat muzikore të veprave të K.Laros. K.Laro është një kompozitor i cili ndjek me vëmendje zhvillimet muzikore botërore. Hapja e Shqipërisë mbas viteve 1990 e gjen atë më se të disponueshëm për t'u përfshirë në përpjekjet për një muzikë më bashkëkohore. Kështu, ai mbas viteve 1990 shkruan një sasi të madhe veprash muzikore për ansamble dhome, instrumente solistike, këngëtarë lirikë etj... që dëshmojnë për integrimin e krijimtarisë së tij, në rrjedhat e zhvillimeve muzikore bashkëkohore. Kështu, në fundin e krijimtarisë së tij, ai krijoi një profil të ri në krijimtari.

Përshtatja e integrimi i krijimtarisë së Laros gjithnjë drejt së resë e bashkëkohores është shprehje e talentit, vullnetit e individualitetit të tij krijues. Pas viteve 1990, muzika shqiptare hyri në një fazë të re zhvillimi, në rrugën drejt zhvillimeve të muzikës bashkëkohore, Laro krahas edhe shumë kompozitorëve të tjerë u bënë promotorë të këtyre zhvillimeve në Shqipëri.

Vepra e Laros për nga sasia e cilësia që përçon, është një kapitull i rëndësishëm në historinë e zhvillimeve të muzikës sonë mbarëkombëtare. Kënga “Gjurmë të arta” nuk është e vetmja gjurmë në muzikën shqiptare, ai ka lënë shumë “Gjurmë të arta” në muzikën tone kombëtare.

* “Artist i merituar”
Pedagog në A.Arteve

 

AlbMuzika.Com