02 Gusht 2005
Ismail Kadare:
“Të thyhet mendimi se krimi s'dënohet”
Intervistë ekskluzive për “Tirana Observer”

Ismail Kadare
Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka pak kohë që ka ardhur nga Parisi të pushojë në vilën e tij në Golem. Pas një viti të suksesshëm, që u konkretizua me çmimin “Man Booker International Prize”, ai po rigjeneron aftësitë krijuese në shtëpinë verore mes pishave, fare pranë bregut të Detit Adriatik me bashkëshorten Elenën dhe mbesën, Doruntinë. Në një intervistë ekskluzive për “Tirana Observer” për herë të parë ai tregon qëndrimin që ka mbajtur shteti shqiptar në promovimin e krijimtarisë së tij pas viteve 90-të.
Zoti Kadare! Për ju është shkruar një libër i tërë “Një dosje për Kadarenë”. Opinioni publik e ka pritur mirë këtë libër, por ka tek-tuk ndonjë mendim se ky është shkruar në një kohë të papërshtatshme. Po ju vetë si mendoni për librin?
Kadare: Mendoj se për zbulimin e së vërtetës koha është gjithmonë e përshtatshme. E kundërta është për ata që jo vetëm nuk e duan të vërtetën, por tmerrohen prej saj.
Libri i shkruar nga Shaban Sinani është si të themi dosja juaj në periudhën e diktaturës. Me pak fjalë, qëndrimi që është mbajtur ndaj jush deri në vitet 90-të. Po sot cili është qëndrimi i shtetit ndaj Ismail Kadaresë?
Kadare: Nuk besoj se ka sot ndonjë shkrimtar serioz që të merakoset nëse shteti demokratik sillet korrekt ose jo me të. Ky është problem i shtetit, jo i shkrimtarit. Është gjithashtu problem i shoqërisë, i nxitjes së zhvillimit kulturor, i imazhit të vendit, sidomos kur vendi ka mungesë njohjeje dhe vetvetiu ka nevojë për ndihmën e kulturës. Kështu, për shembull, Shqipëria ndodhet sot përballë problemit kryesor të saj: hapja e rrugës drejt Evropës. Në kushte të tilla kultura, lot një rol të ndjeshëm. Të gjithë e dinë se shumë vite më parë, kujtimi i qytetërimit dhe letërsisë së vjetër greke, luajti një rol të dukshëm në pranimin para kohe të Greqisë në Bashkimin Evropian.
Sa e ka promovuar, ndihmuar shteti një shkrimtar kaq të madh. A ka ndodhur ndonjëherë që shteti t'i sjellë pengesa Ismail Kadaresë?
Kadare: Një shkrimtar, e sidomos një shkrimtar “kaq i madh”, siç thoni ju nuk ka pse të presë ndihmë ose promovim nga shteti i vet, ose nga ndonjë shtet cilido qoftë ai. Nuk kam patur ndonjëherë kërkesë ndaj shtetit paskomunist, qoftë i djathtë, qoftë i majtë, për asgjë. Ndaj çdo ankim do të ishte në këtë rast pa kuptim. Edhe kur është fjala për shpërfillje, e aq më tepër për pengesa, në rastin e shtetit demokratik, këto nuk mund të jenë asnjëherë serioze. Tjetër gjë është në botën jodemokratike, e sidomos në shtetet totalitare siç kemi qenë më parë ne, e siç janë sot Kuba, Koreja e Veriut e vende të tjera që s'e njohin demokracinë. Në to raportet shkrimtar-shtet janë gjithmonë dramatike.
Tek ne ngrihen megjithatë probleme të raporteve me shtetin nga shkrimtarët dhe artistët...
Kadare: Shteti i sotëm ka për detyrë të mbrojë shkrimtarët dhe artistët, ashtu si gjithë qytetarët nga dhuna. Para ca ditësh opinioni shqiptar u trondit thellësisht nga goditja mizore që iu bë mu në mes të Tiranës, arkitektit, shkrimtarit dhe piktorit të shquar Maks Velo. Maks Velo është persekutuar për një kohë të gjatë nga regjimi komunist, por kjo goditje në mes të rrugës nuk është më pak e shëmtuar. Siç e tha ai vetë është një klimë dhune verbale e nxitur nga shtypi radikal, që përfundon pastaj në dhunë fizike. Gjithë Evropa e sotme demokratike, po rishikon sot ligjet e saj për të kufizuar nxitjen e urrejtjes e të dhunës në çdo trajtë që të ketë ajo.
Arroganca e dhunshme shfaqet në forma të ndryshme. Shtypi sapo ka njoftuar se pas 49 seancash gjyqësore drejtësia shqiptare ende nuk i ka dhënë drejtësi një personaliteti të madh e fisnik të kulturës shqiptare, të ndjerit Vedat Kokona. Për të vërtetuar përvetësimin barbar të veprës së tij madhore do të mjaftonin disa orë, kurse procesi po kapërcen vitin e tretë. Kjo vjen sepse Vedat Kokonën e mbrojnë vetëm dy vajzat e tij jetime, kurse ana e akuzuar ka njohje e mjete të shumta për të sabotuar gjykimin. Po nuk është vendi këtu për t'u zgjatur në një çështje që kërkon shqyrtim të veçantë e tepër serioz.

Është interesant fakti që ju jeni anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale, si një ndër 12 të huajt që bëjnë pjesë në të, e keni zënë vendin e Karl Popperit. Pra jeni anëtar ashtu si edhe Kardinali Raizinger, i cili u kurorëzua Papë. Cili ka qenë vlerësimi i strukturave shtetërore për ju që ia rrisni kështu prestigjin vendit tonë të vogël?
Kadare: Në këtë rast mund të them se vlerësimi i shtetit shqiptar ka qenë krejtësisht i gabuar. Por do të shtoja se nga ky vlerësim unë si shkrimtar dhe anëtar i Akademisë nuk pata ndonjë humbje. Ishte shteti shqiptar, që me bojkotimin që praktikisht i bëri ceremonisë, jo vetëm që humbi shansin e rrallë të ishte i pranishëm në lozhën e nderit, në një nga më të fismet ceremoni të qytetërimit francez dhe atij botëror, por u kujtoi të gjithëve shijen e hidhur të regjimit komunist, kur Shqipëria i largohej çdo kontakti me botën e qytetëruar.
Duke u kthyer pas ia vlen të përmendim se në ceremonitë e anëtarësimit në Akademinë Franceze të Shkencave Morale, merr pjesë edhe presidenti francez, e një ftesë për të asistuar atje ka marrë edhe homologu i tij shqiptar, apo edhe kryeministri e kryetari i Parlamentit shqiptar të asaj kohe. Si u ndjetë nga mungesa e zyrtarëve shqiptarë atëherë?
Kadare: Jua thashë se nga pala shqiptare ceremonia u bojkotua, domethënë nuk erdhi as presidenti shqiptar, as të tjerët. U dërgua në vend të tyre Teodor Laço, ministri i Kulturës, në mos gaboj. Kryesia e Akademisë mbeti gojëhapur, sepse një gjë e tillë nuk u kishte ndodhur. Për vetë rangun e lartë e të kufizuar të anëtarëve të huaj, (në 12-shen e tanishme janë midis të tjerëve mbreti Huan Karlos, presidenti Havel , Papa Bonifaci 16), tradicionalisht në ceremonitë solemne të pranimit i bëhet ftesë gjithashtu presidentit të vendit prej nga vjen akademiku i porsapranuar. Në rast të një pamundësie të presidentit parashikohet përfaqësimi i tij prej kryetarit të Parlamentit ose të kryeministrit. Por kurrsesi të një ministri.
Pra refuzimi i të treve nuk ndodhte kurrë. Ose më saktë ndodhte vetëm me akademikët që ishin në armiqësi me shtetin e tyre. Para ca vitesh kështu ishte pranuar Saharovi, i bojkotuar nga shteti sovjetik, i cili doli krejt i turpëruar nga dueli me Saharovin.
Duke mos e kuptuar dot qëndrimin absurd shqiptar, Akademia propozoi diçka të ngjashme, por unë e refuzova. Ishte viti 1996, Shqipëria kishte shumë probleme dhe unë kurrsesi nuk doja ta rrezikoja imazhin e saj të dëmtuar tashmë. Siç thashë më lart, në raste të tilla është shteti që humbet nga përplasja. Ceremonia u krye sipas të gjitha rregullave dhe në fjalimin tim unë nuk bëra as aluzionin më të vogël se midis meje dhe shtetit shqiptar ka probleme.
Është hera e parë që ju flisni për një gjë të tillë. Do të donim të dinim cilat ishin, sipas jush, arsyet e një qëndrimi të tillë absurd? A nuk do t'i interesonte presidentit Berisha të gjendej në lozhën e nderit me presidentin francez në një ceremoni kaq prestigjioze?
Kadare: Jam i bindur se do t'i interesonte shumë. Ndaj mendoj se nuk do të ketë qenë ndonjë mosdashje e tij. Unë nuk e di ç'ka ndodhur. Ka gjasë që presidenti të ketë dëgjuar këshillën ose më saktë dezinformimin e njeriut që pikërisht nuk duhej ta dëgjonte në këtë rast, atë të ambasadorit të vet në Paris.

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
Nuk keni patur rastin ta sqaroni këtë gjë më pas?
Kadare: Jo. Ka rastisur vetëm të pyes njërin prej të ftuarve, Pjetër Arbnorin, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, i cili, m'u përgjigj, krejt i habitur, se asnjëherë nuk i ka rënë në dorë ftesa e Akademisë së Francës.
Me sa më kujtohet një ambasador shqiptar në Suedi i ka kërkuar institucionit të “Nobelit” që të mos ju vlerësojnë juve me këtë çmim. Çfarë do të thoshte Ismail Kadare për këtë?
Kadare: Ç'mund t'ju them? Sinqerisht nuk di se ç'mund të thuhet në këtë rast.
Jo vetëm shqiptarët por edhe shumë personalitete të njohura ndërkombëtarë mendojnë se ju e meritoni çmimin “Nobel”, madje keni qenë edhe pranë një vlerësimi të tillë. Çfarë mendoni se duhet të bëjë përfaqësia jonë në vendin e “Nobelit” për ju, kandidatin për çmim, për të promovuar kështu më mirë letërsinë, kulturën shqiptare?
Kadare: Nuk besoj se përfaqësia jonë në Suedi ka për detyrë të bëjë ndonjë gjë për këtë çështje. Do të përsëritja fjalët e një gazetari të Kosovës, i cili, kur u pyet për këtë u përgjigj se e vetmja gjë që mund të bënin njerëzit ishte që të mos shpifnin kundër shkrimtarit.
Albanologu Robert Elsie çuditërisht është shprehur “vepra juaj është pak e njohur në botën anglosaksone”. Për ironi të fatit ju merrni një çmim prestigjioz pikërisht në Angli. Çfarë do të thoshit për këtë?
Kadare: Mendoj se një opinion për masën e njohjes së një shkrimtari, nuk është shqetësues. Ka vite që zotit Elsie i është krijuar një problem me një pjesë e shtypit shqiptar. Kjo ka ardhur ngaqë ka patur raste kur pjesë e shkrimeve të tij janë shfrytëzuar në mënyrë dashakeqëse nga spekulantët. Kështu ka ndodhur me rastin e çmimit të fundit, kur një spekulant, në të njëjtin shkrim, një herë e kritikonte z. Elsie për shkak të vlerësimit që i bënte shkrimtarit I. K., e pak më poshtë e miratonte, kur z. Elsie shfaqte një rezervë.
Mendimin tim për këtë problem disi delikat ia kam shprehur zotit Elsie mjaft kohë më parë. Kultura jonë duhet t'i jetë mirënjohëse gjithë atyre të huajve që me përkthime e studime ndihmojnë përhapjen e saj, në një kohë kur Shqipëria ka kaq shumë nevojë për të vërtetën e saj. Zoti Elsie, bën pjesë pa dyshim në këtë ekip.
Për punën e tyre të pavarur, studiuesit e huaj është mirë të mos përzihen e t'u rrinë larg klaneve e pasioneve letrare që tek ne, janë tepër të acarta. Nga ana tjetër studiuesit e huaj duhet të mos joshen nga ideja se ata mund të sillen si arbitra të vlerësimit, siç ndodhte dikur kur koloniziatorët zbarkonin mes fiseve të Afrikës.
A ka të tillë? Pa dyshim që ka. Para pak kohe njëfarë Stefen Shvarc, i cili ka mbi 10 vite që i drejton thirrje Stokholmit që kurrsesi çmimi Nobel mos vijë në Shqipëri, shfaqi revoltën e tij për çmimin e fundit që iu dha shkrimtarit që ai s'e duronte dot. Si argument kryesor përdor këtë herë romanin “Kronikë në gur”. Meqenëse në këtë libër flitet për Gjirokastrën, kjo mjafton që libri të shpallet prej tij “ditiramb për diktatorin Hoxha, që ka lindur atje.”
Një pyetje lind në këtë rast: si është e mundur që të thuhet një mashtrim i tillë, kaq i trashë, kundër një shkrimtari, që i përket një populli që s'është populli yt? Pikërisht këtu qëndron thelbi i shëmtisë. Për njerëz të tillë si Shvarci populli shqiptar, kultura e tij, shkrimtarët e tij, janë si punë fisesh primitive, për të cilët mund të flasësh mbarë e prapë, të shpifësh pa përgjegjësi, si një zuzar i vërtetë. Dhe kështu, si zuzar, trajtohet ai në reagimin e rreptë që bën kundër tij, profesori i Princeton-it, David Bellos: “botimi i sulmit të shpifur të Shvarcit kundër Kadaresë, është shprehje e neveritshme e mentalitetit kolonialist”.

Ismail Kadare ne Paris
Zoti Elsie është përfolur gjithashtu për një “relacion të fshehtë” dërguar jurisë Nobel, për ju.
Kadare: Dërgimi i një relacioni, qoftë dhe i fshehtë (sidomos kur kërkohet nga një juri), është një gjë normale për një studiues. Është tjetër gjë përmbajtja e relacionit.
Ju mund të pyesni nëse ka ndonjë detyrim një albanolog që të japë mendim pozitiv, kur është fjala për një çmim që e nderon, bashkë me autorin, gjuhën dhe kulturën shqiptare?
Natyrisht askush nuk mund të detyrohet për asgjë. Por nga ana tjetër, të jesh albanolog, kjo e presupozon natyrshëm luajalitetin ndaj gjuhës dhe letrave shqipe. Ashtu siç është luajal ndaj botës kulturore franceze një ithtar i frankofonisë, e kështu me radhë.
Në të kundërtën, do të ishte tepër, tepër e habitshme.
Para dhe pas marrjes së çmimit “Man Booker International Prize” ka patur shumë komente, ndonjë edhe fatkeqësisht jopozitiv. Si e shikoni ju këtë fakt?
Kadare: Kjo është e vërtetë. Siç e kam parë në shtypin tonë, nga të 18-të kandidatët për çmim, shqiptarët ishin të vetmit që e kundërshtuan kandidatin e tyre.
Natyrisht që nuk ishin veç një grusht njerëzish, që shfaqeshin shpesh me emra të ndryshëm, por ka raste kur edhe një grusht njerëzish mund ta dëmtojë rëndë imazhin e cenuar tashmë të shqiptarëve. Në sytë e atyre që ndiqnin fletoren zyrtare të çmimit, përshtypja ishte e neveritshme. Pavarësisht se nuk thuhej, një pyetje dukej në sytë e njerëzve: kaq të ligj jeni ju shqiptarët?
Ju mund të thoni se ç'hyn këtu ligësia. Gjithkush ka të drejtë të mos e pëlqejë një shkrimtar. Kjo është e vërtetë. Por, nëse gjithkush ka të drejtë të mos e dojë një shkrimtar, askush nuk ka të drejtë të hedhë baltë dhe shpifje kundër tij. Akuzat e shqiptarëve ishin të tilla: baltë dhe shpifje. Përmblidheshin pak a shumë me këto fraza: I. Kadare është vrasës njëlloj si Enver Hoxha. Pastaj vinin me radhë ato, që u botuan edhe në Tiranë: I. Kadare, armik i të gjithë popujve; I. Kadare, shkrimtar me frymëzim nazist etj. Një shtazëri e tillë natyrisht që nuk mund të luante asnjë rol në gjykimin e jurisë dhe kështu ndodhi paradoksi: i vetmi shkrimtar kundër të cilit u hodh baltë, pikërisht ai e fitoi çmimin.
Kjo lidhet me imazhin tonë në botë, për të cilin flitet shpesh. A mund të përqendroheni më shumë?
Është diçka që dihet. Populli shqiptar gjendet përpara dukurisë së përçmimit racist, që është një rrezik i madh për një popull. Të dhënat e “Eurobarometrit”, që u botuan disa ditë më parë, ishin alarmante. Le ta mësojmë të vërtetën e hidhur: në shumë vende ne nuk na duan!
Ne duhet të gjejmë shkaqet e një mallkimi të tillë. Të gjejmë mungesat tona, në radhë të parë. Të kërkojmë mënyrat e neutralizimit të kësaj lëngate. Të mos ngushëllohemi me faktin se na urrejnë të tjerët. Urrejtjen e kemi në radhë të parë midis nesh. Një popull që prodhon kaq helm kundër vetvetes, është lehtë të mos duhet nga të tjerët.
Letërsia dhe artet janë ndër mjetet më të efektshme dykahëshe: për zbutjen e së keqes brenda vendit, për rrezatimin e së mirës, e së fismes, jashtë vendit, tek popujt e tjerë, me të cilët ne duam të jetojmë së bashku në familjen evropiane. Është ndoshta kjo që shkakton kaq shumë nervozizëm tek disa. E keqja nuk e duron dot fisnikërinë e artit. Ashtu si në rrëfimet e vjetra, kur shfaqja e shenjave fetare iu shkaktonte vuajtje dhe shkatërrim demonëve, ashtu dhe shfaqja e artit është e padurueshme për demonizmin tonë.
Shoh se jetoni në një vilë të bukur këtu në Durrës. A mos është kjo njëfarë përkujdesjeje e shtetit ndaj jush, shkrimtarit më të madh të letrave shqipe, apo jo?
Kadare: Nuk kam përfituar kurrë nga shteti postkomunist shqiptar asnjë centim. Dhe as nga ndonjë shtet tjetër. Sa për shtetin komunist është ai që ka përvetësuar për njëzet vjet rresht honoraret e botimeve të huaja.
Jeni shprehur pro hapjes së dosjeve pa asnjë rezervë. Mos ndoshta e teproni pak me këtë qëndrim?
Kadare: Teprimi, si çdo gjë tjetër është për njerëzit. Veç në këtë rast e kam të vështirë të kuptoj se ku qëndron.
Kam frikë se shpesh fjalët e mia janë keqkuptuar. Kam folur në radhë të parë për hapjen e arkivave të fshehta, që kanë lidhje me letërsinë dhe artet. Lidhur me dosjet në përgjithësi (armatën e pafundme të njerëzve të thjeshtë që kanë rënë në atë kurth tragjik), le ta zgjidhë populli shqiptar, me mënyrat që njeh demokracia (referendumet etj.).
Për t'u kthyer te arti dhe te personalitetet politiko-shoqërorë, mendoj se Shqipëria duhet të kryejë procesin e pastrimit, sa s'është vonë. Pothuajse gjithë vendet e ish-lindjes e kanë kryer atë proces. Në radhë të parë duhet të thyhet ideja monstruoze se denoncuesit, ata që i çuan në burg, në pushkatim, ose bënë çmos për t'i çuar në burg, a në pushkatim shokët, kolegët e tyre, janë sot të mbrojtur e të padënueshëm. Dhe jo vetëm kaq, por janë më agresivë se kurrë, më hakmarrës se kurrë, më sadistë se kurrë.
Prandaj është e ngutshme që ata të thyhen globalisht, si grupim, si klan i tiranisë së përmbysur, e në radhë të parë si ide. Duhet të bjerë në gjunjë krenaria e tyre, triumfi i tyre, që është triumfi i vonuar i krimit.
Përkthimi i veprës së Ismail Kadaresë
01. Gjenerali i ushtrisë së vdekur - 28 gjuhë
02. Kronikë në gur - 15 gjuhë
03. Pallati i Ëndrrave - 15 gjuhë
04. Kështjella / Daullet e shiut - 14 gjuhë
05. Prilli i thyer - 13 gjuhë
06. Dosja H. - 12 gjuhë
07. Piramida - 12 gjuhë
08. Kush e solli Doruntinën - 11 gjuhë
09. Tri këngë zie për Kosovën - 11 gjuhë
10. Ura me tri harqe - 9 gjuhë
11. Pashallëqet e mëdha / Kamarja e turpit - 8 gjuhë
12. Koncert në fund të dimrit / Koncerti - 7 gjuhë
13. Dasma / Lëkura e daulles - 7 gjuhë
14. Përbindëshi - 7 gjuhë
15. Lulet e ftohta të marsit - 7 gjuhë
16. Muzgu i perëndive të stepës - 5 gjuhë
17. Nga një dhjetor në tjetrin / Pranverë shqiptare - 5 gjuhë
18. Nëntori i një kryeqyteti - 5 gjuhë
19. Dimri i vetmisë / Dimri i madh -4 gjuhë
20. Eskili, ky humbës i madh - 4 gjuhë
21. Viti i mbrapshtë - 3 gjuhë
22. Spiritus - 3 gjuhë
23. Nata me hënë - 3 gjuhë
24. Vajza e Agamemnonit - 3 gjuhë
25. Pasardhësi - 3 gjuhë
26. Shkaba - 2 gjuhë
27. Qorrfermani - 2 gjuhë
28. Ftesë në studio - 2 gjuhë
29. Hija - 2 gjuhë
30. Qyteti pa reklama - 2 gjuhë
31. Ikja e shtërgut - 2 gjuhë
32. Legjenda e legjendave - 1 gjuhë
33. Dialog me Alain Bosquet- 1 gjuhë
34. Ra ky mort e u pamë - 1 gjuhë
35. Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut - 1 gjuhë
36. Pesha e kryqit - 1 gjuhë
37. Kohë barbare - 1 gjuhë
38. Katër përkthyesit - 1 gjuhë
39. Stinë e keqe në Olimp - 1 gjuhë
40. Poezi - 1 gjuhë
Kanë thënë për Kadarenë
Proza e Ismail Kadaresë është krahasuar me atë të Gabriel Garcia Marquez-it. Sigurisht, që ai indukton të njëjtën ironi tek lexuesit me anë të këndvështrimit magjik të jetës së një fëmije që është shumë më i madh sesa i të rriturve. ( Leonie Caldecott / The New York Times Book )
Një mjeshtër i tregimit. Ai ka aftësi ashtu si Isak Dinesens për të krijuar një atmosferë shumë të largët në tregime që nuk kanë kohë. ( Chicago Tribune )
Prilli i thyer, një raport fantazmë i shpërthimit të hakmarrjes në Shqipërinë Veriore ndërmjet luftërave, është një nga kulmet e karrierës së Kadaresë. Romani përshkruan një “burg” të pritjes përpara vdekjes së mirëpritur dhe të pashmangëshme. Një fatalizëm të tillë dhe kod të nderit nuk mund të kishte zgjedhur në mënyrë kaq të saktë shkrimtari. ( Andrew Sinclair / The Times )
Përshkrimi i gjallë i një bote të mbushur me koincidenca dhe intriga të pazakonta, e vendos atë në romanet e kategorisë së parë të Elias Canettit Auto da Fe dhe Paul Auster Music of Chance.
( Bruce Bawer / Wall Street Journal)
Kadare e hedh metaforën e tij për burokracinë totalitare me shkëlqim dhe saktësi të madhe.
( Robin Smyth /Observer )
Kadare shkruan në një përmasë krejt të ndryshme nga realizmi profetik i George Orwell-it dhe Arthur Koestler-it, dhe, ndoshta, më errët sesa fantazia profetike e Franz Kafkës. Ai ka dhuntinë e të shkruarit me parabola të një peshe të madhe, në tonet më të lehta.
( Richard Eder / Los Angelos Times Book Review )

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
__________________________________________________________________
AlbMuzika.Com