I N T E R V I S T E
ENO KOÇO - Dirigjenti i Mirenjohur Shqiptar ne Londer
Interviste Ekskluzive tek Radio AlbMuzika

Eno Koço
Maj 2005
Royal Festival Hall, Londer
Realizuar nga Ralf Gjoni
Degjoni Intervisten E Plote tek Radio AlbMuzika
Radio AlbMuzika:
Sot gjendemi në praninë e Z. Eno Koço në Sallën Mbretërore të Festivaleve në Londër. Jemi këtu për të ndjekur një koncert klasik ku Orkestra Simfonike e Çikagos e dirigjuar nga i famshmi Pierre Boulez, interpreton një program të plotë me veprat e Bela Bartok. Në të njëjtën kohë përfitojmë nga rasti për të realizuar një intervistë me dirigjentin e famshëm Shqiptar. Eno, mirë se vini tek dëgjuesit e diasporës Shqiptare tek Radio AlbMuzika.
Eno Koço:
Mirë se ju gjej. Eshtë kënaqësi që takohemi sot për herë të parë, shpresoj që në të ardhmen të takohemi përsëri.
Radio AlbMuzika:
Enon e njohin të gjithë Shqiptarët si ish-dirigjentin e famshëm të Orkestrës së Radio-Televizionit shqiptar. Ju kemi parë në shumë festivale kombëtare. Shumë nga pjesët e bukura të muzikës dhe sidomos të filmit Shqiptar janë dirigjuar nga ju vetë. Nje pyetje kureshtare për diasporën: Kush është Eno Koço sot, çfarë bën Eno, ku është Eno, cili është aktiviteti juaj kryesor?
Eno Koço:
Unë punoj në Universitetin e Leeds në Anglinë e Veriut ku jap mësime muzike dhe performance si dhe dirigjoj orkestrën e tij. Pak etnomuziokologji për muzikën Bizantine. Gjithashtu, herë pas here shkoj në Shqiperi ku drejtoj ndonjë koncert. Mundohem t'i kem sa më të afërta kontaktet.
Radio AlbMuzika: Pra është e pamundur të ndaheni nga muzika, apo jo?
Eno Koço:
Të ndahem nga muzika, të ndërpritet burimi i jetës në kuptimin e të ardhurave dhe gjithcka që jetoj, ndonëse gruaja ime harxhon pjesën më të madhe të kohës qoftë me lojën e saj në orkestrën e njohur të Anglise së Veriut por edhe me dedikimin që ka ndaj kësaj pune dhe të ardhurave që sjell. Gjithashtu në këtë rrugë të muzikës janë edhe femijët. Të themi që ka të bejë me ndonjë talent apo me ndonjë prirje të jashtëzakonshme, nuk e di ... por ka qëlluar që të katër të merremi me këtë punë dhe fatmirësisht ka gjetur secili veten e tyre.

Eno Koço me Orkestren e Universitetit te Leeds
Radio AlbMuzika:
Para disa kohësh keni botuar një libër shumë interesant me titull "Kënga Lirike Qytetare Shqiptare në Vitet 1930". Patjetër që mendoj se jeni personaliteti i vetem në Shqipëri që mund të shkruani rreth kësaj teme meqë nëna juaj, Tefta Tashko Koço ka qenë një nga këngëtaret më të mirënjohura të muzikës lirike qytetare Shqiptare apo jo. A mund të na tregoni dicka më tepër rreth ketij libri i cili është botuar nga Toena në Tiranë para tre vjetësh por është botuar edhe kohët e fundit në anglisht. A mund të na jepni një prezantim të vogël të ketij libri rreth një fushe muzikore kaq interesante, të pahulumtuar dhe të pashkruar në historinë e muzikës Shqiptare?
Eno Koço:
Kam pështypjen që e egzagjeruam pak në kuptimin e vlerave sepse e vërteta është që në Shqipëri ka muzikologë, etnomuzikologë që merren me të vërtetë me studimin e muzikës dhe që janë edhe më të afirmuar se unë.
Radio AlbMuzika: Kush për shembull?
Eno Koço:
Po do të thoja, përvec Ramadan Sokolit, Sokol Shupo, Vaso Tole apo Fatmir Hysi. Edhe të tjerë që qoftë në fushen e muzikologjisë apo etnomuzikologjisë merren seriozisht dhe kanë kaluar më tepër kohë me këtë fushë.
Tani, specifika e këtij libri, ashtu sic e thatë edhe ju, lidhet me epokën e prindërve të mi që kanë kënduar, regjistruar e kanë bërë aktivitetin e tyre gjatë viteve '30. Kjo ka qenë punë e doktoratës sime dhe pas përfundimit të saj në 1998, pati fatin e mirë që të shohë mundësinë e botimit në SHBA. Në këtë moment mendova që do të ishte mirë të përkthehej në shqip, pasi origijinali pa dyshim ishte në anglisht. Megjithëse versioni shqip erdhi më vonë se sa origjinali, ai u botua me herët në 2002, ndërsa origjinalit iu desh të priste edhe dy vjet për tu botuar në 2004 në Çikago. Prandaj edhe sot, koncerti që do ndjekim me Orkestrën Simfonike të Çikagos përkon me vendin ku është botuar libri. Nuk dua të them që është i jashtëzakonshëm, por i referohet publikut perëndimor. Eshtë shkruajtur për të huajt më teper se sa për Shqiptarët të cilët janë rritur me këto tema dhe e njohin më nga afër muzikën e tyre. Kurse për botën perëndimore, veçanërisht për botën Anglo-Saksone ka interes sepse njihen me muzikën shqiptare në një drejtim tjetër. Nuk është thjesht muzikë folklorike, urbane apo qytetare, por është një gërshetim i asaj edhe me muzikën klasike Shqiptare, ose bazat e muzikës klasike siç ishte kënga lirike e përpunuar në gojën e këngëtarëve lirike të atyre viteve, Maria, Tefta, Kristaq Antoniu, Ciko etj, që e lëvruan këtë dhe krijuan për herë të parë një zhanër të ri me anë të kësaj kënge.

Klikoni ketu per te blere librin ne Anglisht direkt nga Scarecrow Press
Radio AlbMuzika:
Por siç e thoni edhe ju vetë në hyrjen e tij, është një libër që merret me një repertor të veçantë brenda fushës së përgjithshme të muzikës shqiptare. Eshtë e vërtetë që shumë vëmendje i është kushtuar muzikës popullore dhe shumë pak rëndësi i është dhënë muzikës urbane, ose qytetare Shqiptare. Pra mendoj që keni mbuluar një gjini tepër të patrajtuar në fushën e muzikologjisë shqiptare, kështu që në këtë spektër ky libër sjell dicka të re, apo jo?
Eno Koço:
Prapë, është studiuar edhe muzika qytetare, por ky lloj gërshetimi midis muzikës qytetare dhe të kënduarit lirik nga soprano apo tenorë dhe baritonë profesionistë ishte diçka e re që në vitet '30 krijoi një zhanër të ri. Ajo ishte baza në ato vite por edhe sot pas 70 vjetesh vazhdon të lëvrohet kjo këngë. Është pak a shumë si këngët Napolitane që i këndon sot Pavaroti e Domingo apo si këngët Chansons D'Auverne nga jugu i Francës qe jane këngë popullore, por të orkestruara dhe të kënduara nga këngëtarë lirikë. Sigurisht këto këngë qytetare Shqiptare kanë më tepër prirje, jo orientale, por më tepër të lindjes së mesme dhe të lindjes së afërme, me një fjalë s'ka dyshim që kanë një intonacion të lindjes. Kjo pra është e veçanta e këtyre këngëve.

Kengetare Lirike Shqiptare ne vitet 30'
Radio AlbMuzika:
Duke marrë parasysh që ky libër sjell muzikën e viteve '30 në Shqipëri, shohim vitet e fundit ku këngëtarët dhe muzikantët shqiptare janë përhapur në disa gjini të ndryshme dhe të reja. Sipas mendimit tuaj, ku është muzika shqiptare sot?
Eno Koço:
Nuk ka dyshim që muzika shqiptare ka ecur në drejtime të ndryshme. Që nga koha që Shqipëria është hapur, që prej 1991, jam fare i bindur që ka një zhvillim të ndjeshëm e pozitiv në të gjitha drejtimet e muzikës. Sigurisht, diku më teper, diku më pak. Për shembull, muzika e lehtë ka më shumë frymëmarrje, për arsye të ndryshme që nga krijimi i studiove private, tek mundësitë teknologjike më të larta dhe interesi më i lartë në popull. Gjithashtu edhe nga pikëpamjet shtetërore ka më tepër vemendje në këtë drejtim. Për shembull, fakti që Shqipëria merr pjesë për herë të dytë në Festivalin Evropian tregon që muzika e lehtë ka qenë gjithnjë më afër Shqiptarëve. Kurse muzika e kultivuar ka ecurinë e saj por ka edhe probleme si kudo në botë. Nëse më parë kompozoheshin vepra për orkestër të madhe dhe regjistronim çdo kompozim, me ose pa cilësi, sot regjistrohen vepra me formacione më të vogla. Rrallë shkruhen vepra me formacion të plotë orkestral, kryesisht janë formacione të muzikës së dhomës dhe një pjesë e tyre regjistrohen sepse ka më pak instrumentistë apo mundësi. Kështu që në këtë drejtim, do të thoja se muzika e dhomës ka ecur më tepër se sa para 1991. Ajo është ndoshta edhe dy shkallë më përpara. Ndërsa muzika simfonike ka mbetur atje ku ka qenë ose...
Radio AlbMuzika: Inegzistente???
Eno Koço:
Jo inegzistente sepse është orkestra që e levron atë herë pas here nëpërmjet veprave të Zadejës, Zoraqit, Harapit. Biles së fundmi orkestra ishte në Mal te Zi ku bëmë një koncert të bukur me vepra të ndryshme...dmth vazhdon jeta, ka disa gjëra që mund të ndryshohen por...
Radio AlbMuzika:
Për shembull, çfarë rekomandimi do kishit ju se si mund të ecë më përpara muzika shqiptare? Çfarë ndryshimesh do të bënit ju po të ishit në Shqipëri tani?
Eno Koço:
Dëgjo, kjo është një pyetje shumë delikate ( qesh ) dhe të them të drejtën, çfarëdo të them unë, sikur edhe flori të nxjerr nga goja, në Shqipëri do mendohej që tani, ky nga Londra po na jep mend ne se si ta bëjmë punën, hajde jeto këtu dhe pastaj ta shohësh se si bëhen punët në Shqipëri.
Radio AlbMuzika: Jo, po flasim nga ana muzikore.
Eno Koço:
Jo edhe në mënyrën muzikore, do më pëlqente ta shikoja vetëm në aspektin pozitiv. Nuk është e lehtë të punosh atje ku ka patur shumë probleme që të gjithë i dimë, dhe fakti që ata ende janë plot energji dhe kompetencë artistike, tregon një vitalitet të madh. Çfarë do të beja unë? Çdo dirigjent ka vizionin e tij sigurisht, si do të mund të punonte, si mund ta ngrohte tingëllimin orkestral, si mund të bënte një transformim... Por mbi të gjitha rëndësi ka se si do të funksiononte si organizëm, si do të funksiononte një orkestër si orkestra e Radios per shembull. Kam pështypjen se duhet të funksionojë si kudo në botë, të mos jetë dicka krejt e veçantë shqiptare, të moj mbajë vulën shqiptare. S'mund të ketë vulë shqiptare në një orkestër simfonike. Duhet patjetër gërshetimi i tipareve më të mira të lindjes me ato të perëndimit. Ka kaq shumë shembuj të shkëlqyer siç janë BBC, Radio Television Française, Deutche Rundfung, Moskovkoje Radio e plot të tjera që në të dy krahët e lindjes dhe të perëndimit, kishin një destinacion, një qëllim kryesor që ishte sigurisht regjistrimi apo propagandimi i muzikës. Në këtë drejtim ka shumë për tu bërë. Kjo do të ishte aspirata ime, që të mund linim dokumente dhe regjistrime të bukura të muzikës shqiptare por edhe asaj botërore sepse nëpërmjet botërores tregohet më shumë niveli cilësor i orkestrës e të tjerëve parametra.

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
Radio AlbMuzika:
Eno, si e shihni sot ish-karrierën tuaj në Tiranë. E shihni me nostalgji apo jeni më realist dhe shihni të ardhmen dhe se çfarë mund të bëhet në Shqipëri?
Eno Koço:
Jo nostalgjik jo. Unë mundohem të mbaj kontakt vazhdimisht me vendin. Siç të thashë edhe më parë, mundohem të shkoj sa më shpesh. Herë më realizohen, herë nuk më realizohen projektet, por nuk është e lehtë sepse ke të bësh me njerëz të ndryshëm, me ministra të ndryshëm prandaj më duhet të mbaj kontakte të vazhdueshme dhe të jem i durueshëm e të jem realist ndaj kërkesave të mia. Dua të jetoj midis dy vendeve. Ishte një periudhe që prej 1999 deri në 2002 që kisha kontakte më të shpeshta ndërsa tani është zbehur disi. Mbase përsëri ky vit apo viti që vjen mund të më sjellë me tepër shanse. Eshtë bukur të jetosh midis dy vendeve do të thoja, patjetër që do të doja që balanca të anonte më tepër andej, nga vendi im ku u edukova, ku u rrita ku u mësova por edhe kështu është bukur sepse merr eksperiencën e këtushme dhe e çon atje dhe merr energjinë dhe temperamentin e atjeshëm dhe e sjell këtu...Këta e vlerësojnë shumë këtë lloj tipari Ballkanik ose të Evropës Lindore. Pra në rastin tim, i bën mirë të dy palëve, grupeve orkestrale dhe korale dhe individit në të njëjtën kohë. Tani, sa mundësi ka kjo për tu realizuar? Eshtë gjithnjë në kërkim dhe përpjekje për të mbajtur nivelin.
Radio AlbMuzika:
Shpesh herë debatohet në internet dhe në faqet e medias si dhe nga diaspora shqiptare rreth rolit qe duhet të luajë politika ose qeveria shqiptare në mbarëvajtjen e artit apo të muzikës. Si mendoni ju, a duhet që muzika apo arti shqiptar të varet krejtësisht nga politika, apo duhet parë tek mundësite private për ta zhvilluar atë. Mendoni se arti dhe muzika janë monopol i qeverisë shqiptare?
Eno Koço:
Të them të drejtën unë nuk jam kompetent për këto gjëra. Nuk i njoh shumë mire se çfarë është privati apo qeveria apo strukturat shtetërore, jam i painformuar. Me një fjalë nuk e kam aftësinë që t'i gjykoj deri në fund këto gjëra. Një gjë di të them me siguri, që pa dyshim, një orkestër duhet të marrë një karakter të pavarur. Doemos që do varet nga një institucion si Radio Televizioni, duhet të ketë dikë mbi kokë, por nga pikëpamja artistike dhe muzikore duhet të ketë një lloj pavarësie, një kalendar, atë që... pak a shumë bëhet sepse unë nuk dua të jap mend këtu. Por bëhet në një menyrë paksa spontane dhe jo me një bazë të mirëfilltë të strukturave, kështu që kur të vijë ai moment që me të vërtetë qeveria apo parlamenti ta shihte me seriozitet e me dashamiresi çështjen e Orkestrës së Radios (meqë e kemi këtë si shembull tani) do të thoja që është momenti që Shqiperia apo inteligjenca shqiptare ka arritur në atë pikë që duke vlerësuar muzikën klasike, muzikën tonë kombëtare dhe atë të përbotëshme, ai do të ishte një nga pjesët më të bukura të integrimit të Shqipërisë. Nuk ka gjë më të bukur se sa t'i drejtohesh një vendi tjetër dhe ti japesh një CD ku t'i thuash që ky është rezultat i Orkestrës së Radios. Unë kam bëre disa demarshe që të ketë më shumë vëmendje nga ana e atyre që merren me këtë punë se si të organizohej kjo, por nuk e di, të shohim, do durim, do vëmendje...
Eno Koço
Radio AlbMuzika:
Meqë po flasim për demarshe në Shqipëri. Cili është angazhimi juaj personal në fushën artistike muzikore në Shqiperi? Çfarë keni bërë kohët e fundit dhe çfarë keni dëshirë të bëni në të ardhmen e afërt? Duke qenë i vendosur në Angli, çfarë ju mundëson jeta këtu që të bëni për Shqipërinë?
Eno Koço:
Të them të drejtën, sikur karrierës time i ka ardhur pak nga pak fundi...( Ndërhyrje: jo jo jo, Eno Koços nuk i vjen fundi për momentin ) Jo le të spjegohem. Në kuptimin që çdo gjë ka një kufi. Edhe sikur të jesh mrekullia e botës, vjen momenti që njerezit mërziten me të njëjtën fytyrë apo emër dhe kanë dëshirë të shohin diçka të re. Në këtë drejtim, herë pas here kam prezantuar fëmijët e mi atje. Dy herë djalin dhe nja tre herë vajzën ku kemi bërë koncerte të përbashkëta. Por edhe këtu duhet treguar kujdes sepse po e teprove, merr karakter si tepër familjar. Ky ka qenë qellimi im këto tre-katër vitet e fundit. Ndërsa tani fëmijët janë të rritur dhe le të qëndrojnë pak mënjanë. Çfarëdo lloj projekti që të më dalë përpara e pres me shumë kënaqësi. Pra nuk jam selektiv, nuk zgjedh të marr më të mirën apo atë tjetrën. Mjafton të kem mundësi të shkoj dhe të kontaktohem me rrethin tim shoqëror atje. Herë pas here botoj edhe ndonjë libër dhe kam shumë interes. Çuditërisht, megjithëse u bënë 14 vjet këndej, nuk i shkëpus dot as moralisht, as shpirtërisht e as praktikisht marëdhëniet me Shqipërinë.
Radio AlbMuzika:
A mendoni se dëshira juaj për tu përfshirë më tepër me Shqipërinë vjen nga lidhjet tuaja personale apo thjesht nga një dashuri më e madhe për Shqipërinë, për vendin.
Eno Koço:
Mua më duket se është e natyrshme. Nuk e di se si mund të ishte ndryshe. Nuk e bëj as me ndonjë lloj sforcimi apo... më duket sikur atje jam më "unë", më i natyrshëm se këtu. Këtu do të duhej jo një jetë por mbase dy jetë që të "Anglizohesh" nëse ka ndonjë fjalë të tillë. Gjithnjë mbetesh me atë të vendit tënd, ku edhe po the ndonjë gafë njerëzit t'a falin dhe qeshin se janë më tolerantë. Je atje ku në fund të fundit guri i rëndë peshon në vend të vet. Ç'është e vërteta, këtu vlera peshohet dhe të jepet atributi. Kurse në Shqiperi gjërat merren pak si me shaka, pak si me gjoja. ( Ndërhyrje: Ndoshta është shpirti mesdhetar në Shqiperi, apo jo?) Nuk e di por është këndshem ashtu. Nuk ke asnjë lloj tendosjeje. Sa herë që shkoj atje, shplodhem. Eshtë një vend nga i cili kthehem i çlodhur këtu.
Radio AlbMuzika:
Eno, a mbaheni në kontakt me median Shqiptare? Cilat janë mediat kryesore që vizitoni dhe çfarë ju intereson më tepër?
Eno Koço:
Po , i lexoj të gjitha gazetat dhe televizionin e ndjek shumë. Biles të gjithë si familje e ndjekim. Unë jam në dijeni të atyre që ndodhin në Shqiperi, 24 orë në ditë. Pra nëpërmjet televizionit dhe internetit më duket sikur është shumë afër, sikur i prek me dorë të gjithë ata të njohurit në televizor. Koha e teknologjisë na e ka ulur më tepër mallin për Shqipërinë.
Radio AlbMuzika:
Çfarë mendoni për faqe si AlbMuzika.com apo Shqiperia.com? A janë faqe që kontriubojnë në shpërndarjen apo mbajtjen e artit Shqiptar gjallë përmes diasporas?
Eno Koço:
Të them të drejtën unë edhe emrin tënd e njoha nëpërmjet internetit. Pashë faqen tuaj që më tërhoqi menjëherë. Fillova t'a lexoja me vëmendje dhe pashë rreth historisë së muzikës Shqiptare dhe fillova të kërkoja se kush është ky djalë me tërë këto energji? Mendoj se është me të vërtetë një tribunë e mrekullueshme që në këtë pjesë të botës të mund t'i referohesh muzikës shqiptare nëpërmjet regjistrimeve dhe albumeve që ju realizoni. Do të kisha shumë dëshirë që në të një të ardhme të përfshinit edhe muzikën e kultivuar shqiptare si atë simfonike apo vokale që ndoshta është edhe më afër publikut shqiptar. Psh, vepra klasike të kenduara nga Inva Mula, megjithëse nuk e di se si funksionon e drejta e autorit, janë vepra që i tregojnë publikut shqiptar që nuk kemi vetëm muzikë popullore apo qytetare me lodër, daulle e me çifteli. Pak nga pak, duhet të mësohet që edhe ky art është po kaq i dashur për ne dhe që Shqiptarët janë në gjendje t'a vleresojnë një art të tillë të ngritur dhe që jetojnë në një shoqëri ku ky art pëlqehet.
Radio AlbMuzika:
Eno të falenderoj nga zemra, je një nga dirigjentët kryesorë të muzikës shqiptare, je një muzikant i shkëlqyer por mbi të gjitha je një njeri shumë i këndshëm. Të falenderoj nga zemra dhe jam i sigurt që të gjithë dëgjuesit e Radio AlbMuzikës të janë mirënjohës për këtë intervistë që na ke dhënë.
Eno Koço:
Shumë lëvdata më bëre. Këndej në perendim sikur nuk i kanë dhe shumë qejf këto lëvdata, biles kur erdha këtu në fillim dhe bëja lëvdata të tilla, këta qeshnin dhe më shihnin si me dyshim, si të jete e mundur?! Faleminderit për fjalët e mira që sigurisht i bëre me dashuri, të falenderoj.
Radio AlbMuzika: Faleminderit
Për më tepër informacion rreth Z. Eno Koço klikoni këtu
Intervista e realizuar nga Ralf Gjoni për Radio AlbMuzikën
Në Royal Festival Hall
London , Angli
AlbMuzika.Com