|

Te Rejat e Fundit nga Kultura Mbare-Shqiptare
03/06/2005
Muzika e re shqiptare, në tri ditë
Për të 13-in vit zhvillohet në Tiranë Festivali i Muzikës së Re. Në këtë aktivitet, të organizuar nga shoqata “Muzika e Re” e që do zhvillohet në datat 7-9 qershor, pritet të marrin pjesë rreth 65 artistë, mes të cilëve kompozitorë, instrumentistë e solistë vokalë. Sipas organizatorëve të festivalit, qëllimi i këtij aktiviteti është të kontribuojë sado pak në shtimin e repertorit të muzikës së dhomës në veçanti dhe asaj kombëtare shqiptare në përgjithësi. Eshtë menduar që data 7 qershor të jetë nata solistike, gjatë së cilës do të interpretojnë instrumentistë të njohur, si violinçelisti Aristidh Prosi, pjanistja Rudina Ciko, apo Astrit Selita, të cilët momentalisht janë ndër solistët më të mirë në vendin tonë. Nata solistike pasohet nga ajo lirike, e cila i kushtohet zërave vokalë ku përmblidhen materiale që i përshtaten muzikës së dhomës. Por ndryshe nga kuadrati klasik, i përbërë nga duoja piano – vokalist, ky i fundit shoqërohet nga 2-3 instrumente të tjerë, në formën e “liedeve” apo punimeve vokale. Eshtë menduar që gjatë ditëve të festivalit të zhvillohet edhe një tryezë e rrumbullaktë ku muzikologë, kompozitorë e instrumentistë të diskutojnë rreth ecurisë së muzikës në vendin tonë. Nata e fundit mbyllet me baletin “Kabare”, me muzikë të kompozitorit Ermir Dergjini dhe koreografi të Arjan Sukniqit. Ky festival do të ndajë edhe tri çmime të para dhe një inkurajues për kompozitorët pjesëmarrës. Sa i përket jetëgjatësisë në skenë të krijimeve që marrin pjesë në këtë festival, ajo nuk është shumë e sigurt. Organizatorët mund të sigurojnë vetëm ekzekutimin e këtyre pjesëve gjatë ditëve të festivalit, pasi për shkak të munges së fondeve, është i pamundur regjistrimi i tyre në CD. Mbetet në dorën e vetë krijuesve të ndërmarrin iniciativa të ndryshme për promovimin e veprave të tyre.
03/06/2005
“Tir Jazz Fest”, kolorit rrymash
Në datën 5 deri në 11qershor zhvillohet në Tiranë edicioni i katërt i “Tir Jazz Fest”, ku marrin pjesë artistë nga Franca, Gjermania, Austria, Italia, Amerika, Rumania, Kosova e Shqipëria. Në një konferencë për shtyp dhënë dje nga organizatorët e këtij aktiviteti, u tha se “Tir Jazz Fest” do të prezantojë tendencat më të fundit në fushën e muzikës xhaz, do të interpretohen krijime të reja, një gërshetim i muzikës instrumentale dhe asaj kompjuterike, por nuk do të mungojë edhe xhazi klasik që do të sjellë atmosferë nga vitet '60. Shumë prej artistëve pjesëmarrës janë të rinj, por do të ketë edhe emra të mëdhenj të muzikës xhaz, që kanë bërë epokë, si Hans Joachim Rodelius e Maria Raducanu. Muaji qershor është muaji i xhazit dhe në shumë vende të botës zhvillohen festivale e koncerte xhazi. 03/06/2005
Kadare triumfon në Londër mbi nobelistët
Ismail Kadare është vlerësuar dje pasdite me çmimin prestigjoz "Man Booker International Prize 2005". Mes 18 shkrimatrëve më në zë të botës, si Gabriel Garcia marquez, Milan Kundera, Gunter Grass, etj, shkrimtari shqiptar është zgjedhur nga anëtarët e jurisë së kësaj gare letrare të përvitshme si fitues i këtij çmimi. "Man Booker International Prize", është një çmim i themeluar në botën anglofone nga shoqata e shkrimtarëve Britanike, Irlandeze dhe e vëndeve të Kommonwealthit që prej vitit 1969. Por në vitin 2002 nga "Booker Prize" ai mori emërtimin "Man Booker International Prize" dhe i ndahet një elite të zgjedhur shkrimtarësh nga e gjithë bota, vepra e të cilëve është e shkruar ose e përkthyer në gjuhën angleze. Ismail Kadare 69 vjeç u nderua me këtë çmim jo për ndonjë vepër të veçantë, por për tërësinë e punës së tij si shkrimtar. Ndërsa jurisë së këtij konkursi ndër shumë vepra të autorit i kanë bërë përshtypje novelat "Prilli i thyer" dhe kryevepra e tij "Gjenerali i Ushtrisë së vdekur". 25/05/2005
Korça, kryeqytet i komedisë dhe i birrës
“Korça është “kryeqytet” i Teatrit dhe i birrës”. Kështu është shprehur Dhimitër Orgocka, drejtor i Festivalit të Komedisë “Ballkan 2005” gjatë ceremonisë së hapjes të Festrivalit e mbajtur para fasadës së Teatrit “A. Z. Çajupi”. Për të përshëndetur të pranishmit, artistë dhe artdashës nga Korça, vendi, diaspora por edhe miq nga vende të Ballkanit e më gjerë mes gotave pa fund të birrës u festua edhe festa e birrës. Dhe në këtë festë të thjeshtë, regjisori Dhimitër Orgocka iu kujtoi të pranishmëve se 115 vjet më parë në këtë qytet u dha shfaqja e parë e teatrit. Një grup intelektualësh që kishin studiuar jashtë vendit, së bashku me disa artdashës korçarë do të vinin në skenë tragjedinë e Shekspirit “Otello”, e cila kishte ngjallur një interes të jashtëzakonshëm në Korçën e asaj kohe. Që atë ditë filloi rrugën teatri në këtë qytet, dhe kjo shfaqje në historinë e artit dramaturgjik njihet si shfaqja e parë teatrore në vendin tonë.
22 /05/2005
Ledina Çelo Përfundon në Vendin e 16-të në EuroFest
Grupi Shqiptar Gjate Finales - Klikoni per t'a zmadhuar
Festivali Evropian përfundoi sot në mbrëmbje me një fitore spektakolare të Greqisë. Helena Paparisu merr trofenë e festivalit për vendin e saj, Greqinë, gjë që do të thotë se vitin e ardhshëm Eurovizioni do të organizohet në Athinë. Ky vit sipas kritikëve muzikore ishte një nga vitet më të mira të Festivalit Evropian për sa i përket cilësisë së këngëve. Një zhgënjim i madh për të gjithë Shqiptarët që prisnin më tepër për vendin e tyre. Shqipëria përfundoi në vendin e 16-të falë votave të Maqedonisë, Serbisë & Malit te Zi dhe Greqisë. Kush tha që Festivali Evropian nuk ka të bëjë me politikën???
29/04/2005
Poetët antikë çelin “Poetekën”
Me vargje poetësh antikë është çelur mbrëmjen e së mërkurës, në qytetin e Durrësit Festivali i parë Ndërkombëtar i Poezisë, “Poeteka”. Nata e parë ka shërbyer si një mirëseardhje për pjesëmarrësit në këtë festival dhe si një prezantim me qytetin bregdetar. Madje këtë e ka dëshmuar edhe pritja që u është bërë në Portin e Durrësit, poetëve të huaj, nga ana e kryebashkiakut Lefter Koka dhe drejtorit të festivalit Arian Leka.
29/04/2005
Klosi: Do të trefishojmë fondet për kulturën
Trefishim fondesh, masivizim i artit dhe sportit, përmirësim i infrastrukturës dhe mbrojtje e të drejtave të autorit. Këto kanë qenë disa nga premtimet që ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi, i ka bërë komunitetit të artistëve dhe sportistëve, dje në “Ditën e kulturës dhe të sportit”. Dje, në ambientet e “Hotel Tirana International”, ministri Klosi ka zhvilluar një takim me drejtues institucionesh kulturore e sportive, aktorë, shkrimtarë, balerinë e sportistë. Këtë takim, ai e ka shfrytëzuar, jo thjesht për të trokitur një gotë e për të ndarë mendime me njerëzit e artit, por edhe për të parashtruar platformën elektorale të qeverisjes socialiste. 11/04/2005
Zagrebi “mban iso” shqiptare në Ditët Botërore të Muzikës
Vepra simfonke “Hyllus” e kompozitorit shqiptar Thoma Simaku është zgjedhur nga Juria Ndërkombëtare dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin “Ditët e Muzikës Botërore” që zhvillohet në Zagreb nga 15-24 prill 2005. Premiera e saj do të jepet nga Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit të Ljubljanës nën drejtimin e dirigjentes angleze Sian Edwards më 21 prill në sallën qendrore të Zagrebit - Lisinski Concert Hall. 10/03/2005
ARTISTET SHQIPTARE TE AMERIKES NE TIRANE
Ne daten 23 Mars 2005, diten e shtune ora 19:00 ne Pallatin e Kongreseve
ne Tirane, grupi artistik "ALBA" nga New Yorku do te shfaqe nje Koncert - Live
me titull: "PRANVERE NE TIRANE".
Rikthimi ne skenen shqiptare pas afro 10 vjetesh i disa prej emrave me te njohur te muzikes shqiptare si: Merita Halili, Eli Fara, Gezim Nika, Fitore Mamaqi, vellezerit Zena, Eli Rizo etj, e ben edhe me te rendesishem kete aktivitet dhe padyshim interesimi i publikut te kryeqytetit do te jete i madh. Ne programin qe do te prezantohet nga Elmira Xhani, do te kete pjese te zgjedhura nga muzika shqiptare dhe ajo amerikane. Materialet muzikore do te shoqerohen nga orkestra "Alba" e perbere nga muzikantet e talentuar Edmond Xhani, Artan Kushi, Ilir Dangellia, Maksim Vathi, Dritan Papa, Murat Rama. Organizator dhe drejtues artistik i grupit "Alba" eshte kitaristi Edmond Xhani.
09/03/2005
Qindra artistë në Zvicër për të kujtuar Moisiun
Lule për Aleksandër Moisiun". Ky do të jetë tubimi përkujtimor që do të zhvillohet me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së aktorit të madh në Lugano të Zvicrës, nga 19-20 marsi. Në krye të organizimit të këtij tubimi, ku do të jenë të pranishëm artistë të mëdhenj shqiptarë, si Bekim Femiu, Ibrahim Kodra, Enver Petrovci, Cun Lajçi, Elsa Lila, Frano Lufi, Marjana Leka, Mirush Kabashi etj., është biznesmeni shqiptaro-zviceran Behgjet Pacolli. "Moisiu ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të vlerave tona kombëtare e të identitetit tonë artistik në Evropë dhe më gjerë, prandaj takimi do të ketë karakter kulturor-artistik, përmes të cilit do të përpiqemi që edhe ne t'i përçojmë këto vlera", shënohet në njoftimin e këtij tubimi. Njoftohet se në këtë aktivitet pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ministri i Kulturës në kantonin Tiçino On. Gabriele Gendotti etj. Në radhën e të ftuarve specialë veçohen shkrimtari Ismail Kadare, piktori i mirënjohur Ibrahim Kodra, shkrimtari Adem Demaçi dhe aktori Bekim Fehmiu. Në programin e menduar për këtë tubim përkujtimor është parashikuar një ekspozitë inauguruese "Aleksandër Moisiu", një varg kumtesash shkencore për aktorin e madh, konkursi i artistëve për Aleksandër Moisiun, homazh në varret e Aleksandër dhe Johana Moisiut, shfaqje teatrore nga studioja e teatrit dhe filmit "Aleksandër Moisiu" nga Zyrihu dhe një koncert që është cilësuar si "Programi artistik qendror i manifestimit", ku do të interpretojnë artistë të njohur shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Për të lexuar kumtesat e tyre do të jenë prezentë në këtë tubim përkujtimor Rüdiger Schaper, shkrimtar gjerman, i cili ka shkruar një monografi për Aleksandër Moisiun, botuar edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese "Dudaj". Po ashtu, për të lexuar kumtesat e tyre do të jenë edhe studiuesi shqiptar nga Rumania Ardian Kyçyku, studiuesi Bardhyl Kosova dhe studiuesi zviceran Mario Agliati. Organizatorët e këtij tubimi, i cili zhvillohet për herë të parë në këto përmasa, mendojnë ta kthejnë në një traditë të përvitshme, për të kujtuar e nderuar aktorin shqiptar me famë botërore Aleksandër Moisiu.

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
08/03/2005
Festival folklorik për Ditën e Verës
Për t'i paraprirë Ditës së Verës, në qytetin e Elbasanit më 12 dhe 13 mars do të mbahet Festivali Folklorik Kombëtar. Në këtë festival të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, si dhe Bashkia e Elbasanit, do të marrin pjesë 11 grupe folklorike, të cilat mbartin këngët më të hershme qytetare të shoqëruara edhe me instrumente popullore. Në këtë festival do të marrin pjesë qytetet e Elbasanit, Tiranës, Beratit, Vlorës, Shkodrës, Peshkopisë, Korçës, Pogradecit, Kukësit, Fierit dhe shoqata kulturore "Antipatrea" e Beratit me 120 artistë popullorë. Pas konkurrimit, më 14 mars grupet më të mira do të marrin pjesë në koncertin artistik që organizon Ministria e Kulturës. Data 14 mars do të jetë një manifestim i madh popullor me pjesëmarrjen e artistëve të vegjël e të rritur, si ata të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, artistët e cirkut, artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve etj. 08/03/2005
"Histori grash" sjell kinemanë italiane
Marsi i këtij viti do të jetë i veshur me mantelin e kinemasë italiane. "Histori grash", cikli prej katër filmash italianë, më të vlerësuarit në vite, ka nisur mbrëmë në Ansamblin e Ushtrisë me filmin "Shpresojmë të jetë femër", prodhim i vitit 1956 i regjisorit Mario Monicelli, me aktorët Katherin Deneuve, Giuliana de Sio etj. Është një iniciativë e Institutit Italian të Kulturës dhe jo më kot ka startuar ditën e grave, më 8 mars. Javën që vjen, po mbrëmjen e së martës, më 15 mars, do të shfaqet një tjetër film mbresëlënës "Bukë dhe tulipanë", prodhim i vitit 1999 i regjisorit Silvio Soldini, me aktorët Licia Maglietta, Bruno Ganz, Antonio Catania. Pas tij, më 22 mars vjen "Çoçarja", me të madhen Sofia Loren dhe Jean-Paul Belmondo, dhe cikli do mbyllet me një tjetër film vlerësuar me Oskar "Dje, sot, nesër", që do të shfaqet më 29 mars me dyshen magjepsëse Sophia Loren dhe Marcello Mastroianni.
02/03/2005
Xhevahir Spahiu bëhet "Mjeshtër i madh"
Poetit Xhevahir Spahiu iu dha dje urdhri "Mjeshtër i madh" nga presidenti Alfred Moisiu. Në një ceremoni të organizuar në Presidencë, Spahiut iu dorëzua ky urdhër me motivacionin "Personaliteti i shquar i letrave shqipe, poeti i dashur i të gjithë shqiptarëve, krijues i një vepre me ide të mëdha dhe tronditëse, lirike e dramatike". Po dje, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, poeti Xhevahir Spahiu ka prezantuar vëllimin poetik "Udha", një përmbledhje me poezitë më të mira të dhjetë vëllimeve të tij. Në ceremoninë e organizuar dje në kinema "Millenium 2" në Tiranë, akademiku Alfred Uçi vlerësoi krijimtarinë e Spahiut, "që përmban shumë vëllime poetike, eseistike, reportazhe letrare, përkthime etj". Studiuesi Shaban Sinani e cilësoi "një nga poetët më të fuqishëm të letërsisë së sotme". Pasi kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe, që prej vitit 1968 punoi si gazetar në gazetën "Zëri i Popullit", e më pas në revistën "Nëntori", mësues letërsie e libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ndërsa prej shkurtit të vitit 1998-2000 kryetar i Lidhjes. Ndër vëllimet poetike të tij veçohen; "Mëngjes sirenash", "Vdekje perëndive", "Zgjimi i thellësive", "Heshtje s'ka", "Kohë e krisur", "Ferrparajsa" etj. Poeti Xhevahir Spahiu është vlerësuar me mjaft çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. 02/03/2005
Botuesit, debat për piraterinë
Një debat mes botuesve shqiptar për piraterinë. Lidhja e Botuesve Shqiptarë ka njoftuar, se sot në orën 12:00, në "Hotel Mondial" janë ftuar për të debatuar të gjithë botuesit shqiptarë për qëndrimin ndaj fenomeneve të piraterisë në fushën e përkthimeve dhe botimeve të konstatuara dhe të bëra publike kohët e fundit. Shkas është marrë nga takimi i para pak kohëve mes një grupi përkthyesish mbi një varg konstatimesh mbi piraterinë, sidomos në fushën e përkthimeve. Në njoftimin e Lidhjes së Botuesve Shqiptarë theksohet se këtë takim-debat do të diskutohet për format e shfaqjes së piratërisë edhe në raste të tjera brenda dhe jashtë kufijve të vendit, masat që propozohen për parandalimin e këtyre fenomeneve dhe përgjegjësia e seicilit që është implikuar në raste konkrete.
02/03/2005
Kroaci-Shqipëri bashkëpunime kulturore
Një bashkepunim më i frytshëm kulturor mes Kroacisë dhe Shqipërisë. Ky ka qenë boshti në takimin mes dy ministrave të kulturës atij shqiptar Blendi Klosi dhe ministrit kroat Bozo Biskupic, zhvilluar dje në Zagreb të Kroacisë. Gjatë takimit zyrtar u diskutua për fushën e kinematografisë, ku u hodh ideja e propagandimit të zhvillimit të kinematografisë në të dy vendet, ide e cila mund të konkretizohet në organizimin e javës së filmit shqiptar në Kroaci, si dhe një javë e filmit kroat në Shqipëri. Një tjetër çështje e dikutuar në këtë takim ishte edhe ajo e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, dhe shkëmbimin e artistëve të njohur të dy vendeve dhe gjetjen e mundësive për të realizuar një bashkëprodhim mes TOB-it shqiptar dhe Operas së Zagrebit.
21/02/2005
Anullohet Koncerti i "Elita 5" ne Itali
Koncerti që do të mbahej me yjet e muzikës shqiptare në Bologna - Ditën e Dielë 20 Shkurt 2005 ora 21:00 , është anulluar nga grupi "Elita 5" per arsye personale, pasi eshtë shtyrë dhënia e vizave nga ana e shtetit Italian.
20/02/2005
Ismail Kadare - kandidat per cmimin e ri letrar britanik "Booker International Prize"
Kadare eshte ne mesin e 18 shkrimtareve bashkekohore nderkombetare per cmimin e ri letrar britanik Booker International Prize. Cmimi i ri me vlere rreth 100 mije dollare eshte i hapur per shkrimtare te te gjitha kombesive qe shkruajne anglisht ose veprat e tyre jane perkthyer anglisht dhe ai i dedikohet vepres jetesore te autorit dhe jo vetem nje libri. Ne mesin e konkurenteve pervec zotit Kadare jane edhe Gabriel Garcia Marquez, Milan Kundera dhe John Updike. Cmimi do te jepet cdo dy vjet ne muajin qershor. Ai do te shperbleje nje autor te gjalle per" krijimtari te vazhdueshme e kontribut te pergjithshem ne letersine boterore" dhe mund te fitohet vetem nje here nga i njejti autor.
19/02/2005
Ndaleni vjedhjen e përkthyesve shqiptarë
Po vidhen veprat e përkthyesve të njohur. Merren dhe ribotohen, në vend të emrit të përkthyesit vihet një emër tjetër, ose hiqet fare. Gjithçka ndodh hapur prej kaq e kaq vitesh. Por dje, një grup përkthyesish kanë ngritur zërin dhe i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit etj. për ta ndalur një herë e mirë këtë problem, që është mbi të gjitha një problem moral. Përkthyesit e angazhuar në këtë nismë kanë nxjerrë për publikim një promemorie, të cilën po e botojmë të plotë, së bashku me një varg shembujsh ku vjedhjet dhe autorët e vjedhjeve shfaqen me paragrafët më pikantë ku rezulton shkelja. Një pjesë e madhe e përkthimeve janë vjedhur nga fillimi në fund, një pjese tjetër i janë riparuar fraza në të rrallë e një pjese tjetër i janë hequr krejtësisht emrat e përkthyesve.
18/02/2005
Sot, 30 vjet nga vdekja e Naim Frasherit
Sot bëhen plot 30 vjet nga ndarja e madhe. 30 vjet dhe harresa rritet si një hon i stërmadh mes shqiptarëve dhe aktorit të madh Naim Frashëri. Nuk e kujtojnë në ditëlindjet e tij, as në përvjetore të tjera, as kur përmenden shfaqjet dhe rolet e tij të mëdhenj. Është gati e njëllojtë, si heshtja para viteve '90, kur gjurmët e largimit të tij nga kjo jetë ishin ende të freskëta. Në përvjetoret e humbjes së tij ndodh shpesh të kujtohen veç të afërmit ose ata që e adhuruan në skenë. Ata e kujtojnë edhe sot atë mëngjes të ftohtë të 18 shkurtit të vitit 1975, kur ai iku nga kjo jetë.
Rolet e shumta krijuan një portret të paharrueshëm të Naim Frashërit aktor në teatër. Ndërsa në film, me shumë dashuri ai do të kujtonte gjithmonë filmin "Skënderbeu", i pari film për të, ku mori një eksperiencë të pazakontë nga regjisori Jutkeviç. E pas tij erdhi "Tana", "Fëmijët e saj", "Furtuna", "Gjurma", "Plagë të vjetra", "Ngadhënjim mbi vdekjen". Mbase filmi më i madh i jetës së tij do të ishte "Hamleti". Kur Sergej Jutkeviçi, regjisori i madh rus që realizoi filmin "Skënderbeu", e pa Naim Frashërin në rolin e Hamletit, u mallëngjye. "Nëse do arrij ta bëj film 'Hamletin', heroi do të jetë ky aktor". Sidoqoftë, ai ishte e mbetet i pazëvendësueshëm, një nga ikonat e artit shqiptar.
18/02/2005
"Saimiri" shqiptar dhe "Ariu i kristaltë" në Berlin
Filmi 'Saimir' i regjisorit italian Francesko Munzi, me protagonistë dy aktorët shqiptarë, Xhevdet Ferrin dhe Mishel Manokun, i është afruar së tepërmi çmimit "Ariu i kristaltë" në festivalin e filmit në Berlin, i cili po mbërrin finishin e tij. Ndarja e çmimeve pritet mbrëmjen e së shtunës ku , filmi "Saimir" pretendon çmimin "Ariu i kristaltë". Filmi, i radhitur në seksionin "14 plus" të "Kinder Fest", është prezantuar për herë të parë në shtator të vitit të kaluar në Venecia, ku u zgjodh për të konkurruar në Berlin duke u bazuar në suksesin e jashtëzakonshëm që ka korrur. Pasi kanë parë filmin, të emocionuar, të gjithë janë çuar në këmbë në shenjë përshëndetjeje për regjisorin dhe aktorin shqiptar Xhevdet Ferri, i pranishëm në këtë festival, i cili luan në film babanë e protagonistit, të riut shqiptar me emrin Saimir. Në edicionin e 57-të të festivalit të Salernos në Itali, ky film ka marrë çmimin e madh si vepra më e mirë. E po ashtu, si filmi më i mirë është cilësuar edhe nga juria eksperte në edicionin e 13-të të festivalit "Historia e kinemasë", po në Itali. Këto dy çmime erdhën menjëherë pas vlerësimit të tij në festivalin e Venecies, ku konkurroi në seksionin "Horizonte", dhe u shpall vepra më e mirë (në konkurrimin e debutuesve).
18/02/2005
Duni sjell në skenë Williams-in
"Macja mbi çatinë e nxehtë" (Cat on a Hot Tin Roof), komedia e të famshmit Tennessee Williams, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar me regjinë e Spiro Dunit dhe lojën e një vargu aktorësh të njohur të Teatrit Kombëtar. Për përgatitjen e kësaj shfaqjeje dje regjisori Duni ka nisur punën në tavolinë, duke parashikuar shfaqjen e saj në dhjetë ditët e para të prillit. Vepra "Macja në çatinë e nxehtë" është shkruar nga Tennessee Williams në vitin 1958. "Është një ndër katër veprat e tij të mëdha, ku përfshihen "Tramvaji dëshirë", "Menaxheri e qelqtë" etj. Kjo vepër që kemi zgjedhur për ta vënë në skenën shqiptare është një nga kurorat e punës së tij, dhe nuk është vlerë vetëm e teatrit amerikan, por për të gjithë botën", thotë regjisori Spiro Duni. I cilësuar si pasuesi i denjë i Çehovit dhe i Lorkës, apo siç ai vetë shprehej "adhurues i tyre", me këtë vepër punoi fillimisht i famshmi Ilia Kazan, ndërsa më vonë përmendet shfaqja e regjisorit Lorenc Oliver.
17/02/2005
Thellim i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë
Ministri i Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente te Kosovës Astrit Haraqija bisedoi në Tiranë me homologun e tij shqiptar Blendi Klosi dhe shkëmbyen përvojat e të dy ministrive përkatëse. Të dy ministrat vunë në dukje gjetjen e formave adekuate për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, me theks të veçantë në ndërtimin dhe avancimin e kuadrit ligjor në fushat përkatëse.
Në këtë drejtim ministri Haraqija ka kërkuar ndihmë dhe përkrahje profesionale në përshpejtimin e hartimit të ligjeve që rregullojnë sferat adekuate.
Gjatë takimit janë trajtuar edhe çështje konkrete që do të mund të ndihmonin në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.
Nga ana e tij z.Klosi ka premtuar se nuk do të mungojë angazhimi dhe përkrahja e Ministrisë që ai drejton për ta ndërkombëtarizuar sportin e Kosovës dhe për të gjetur rrugët konkrete të depërtimit sa më të shpejtë në arenën ndërkombetare.
Gjatë muajit mars, me ftesë të ministrit Haraqija, Blendi Klosi do të vizitojë Kosovën dhe me këtë rast do te organizohet një takim i përbashkët i të gjitha federatave të sportit të Shqipërisë dhe Kosovës. 12/02/2005
Copëza Shqipërie, në dokumentar italian
Shqipëria bëhet pjesë e një dokumentari italian. Ditët e turneut të artistëve Viçenzo Boçiarelli dhe Marko Ferri, janë pjesë e filmit “Për të kujtuar së bashku”, të regjisorit Giorgio Serafini. Premiera e këtij filmi u shfaq me shumë sukses para dy netësh në Romë. Dokumentari është realizuar gjatë turneut të aktorit të njohur Vincenzo Boçiarelli dhe kitaristit Marko Feri, shfaqjet e të cilit u përfshinë në Festivalin Ndërkombëtar “Në Tingujt e Vendeve”, përkrah 67 koncerteve që u zhvilluan gjatë verës së kaluar në 7 vende të Adriatikut. Dokumentari mban vulën e regjizorit Giorgio Serafini, i cili njihet nga publiku shqiptar si regjizor i serialit italian “Krenaria” dhe ndër të tjera, përmbledh momente të turneut, të jetës së qyteteve të Shkodrës dhe Tiranës, ku Boçiarelli dhe Feri interpretuan me sukses për publikun shqiptar. 12/02/2005
Ligj i ri “Për gjuhën shqipe”
Është miratuar dje projektligji “Për gjuhën shqipe”. Ky projektligj synon të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm e të studiuar të gjuhës shqipe, si dhe mbrojtjen e saj nga disa dukuri që dëmtojnë karakterin kombëtar dhe visarin e trashëguar të saj. Përmes neneve të këtij projektligji bëhet i mundur vlerësimi i korrektësisë dhe saktësisë së shprehjes gjuhësore, si dhe kërkohet që në veprimtarinë shtetërore e publike, veçanërisht në trajtën e shkruar të gjuhës shqipe, të zbatohen me përpikmëri rregullat e drejtshkrimit, të gramatikës, si dhe të eleminohen përdorimet e gabuara të fjalës. Projektligji bën të qartë se nuk ndalohet përdorimi i formave dialektore e krahinore nga krijuesit për qëllime të caktuara letrare, ose për zgjedhje vetjake. Gjithashtu ai detyron subjektet që të zbatojnë rregullat gjuhësore në tabelat e në mbishkrimet e tjera publike, si dhe të rregullojnë përdorimin e emërtimeve të huaja e të gjuhëve të huaja në to. Ndërkohë, edhe formularët dhe dokumentat e tjera që u jepen për veprime të ndryshme qytetarëve shqiptarë nga përfaqësitë e huaja, fondacionet e organizatat e ndryshme, duhet të jenë detyrimisht edhe në gjuhën shqipe. Për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e saj nga dukuri e procese të dëmshme, projektligji i hap rrugë edhe krijimit të një Komisioni të përhershëm shtetëror që do të organizojë, planifikojë dhe kontrollojë veprimtarinë dhe zbatimin e standardeve të gjuhës shqipe.
11/02/2005
Kriza familjare para një pjate druri
“Personazhi që unë luaj është plak si unë, sheh dobët si unë e mbahet në shkop si unë”, - thotë Sulejman Pitarka, i cili pas 20 vjetësh i rikthehet skenës së teatrit, bashkë me “Pjatën prej druri” të dramaturgut Edmond Morris. Së bashku me një trupë aktorësh të zgjedhur si Agim Qirjaqi, Ahmet Pasha, Bujar Asqeriu, Luftar Paja, Rajmonda Bulku, Hervin Çuli, Ermela Teli, etj, regjisori Gëzim Kame, do të sjellë për publikun, ditën e shtunë e të diel, krizën që po kalon familja shqiptare, përplasjet mes brezave. Sipas regjisorit Kame, “Pjata prej druri” i është përshtatur më së miri terrenit shqiptar, për vetë faktin se problemi është universal. “Si regjisor, por edhe si qytetar kam dashur që brezin e tretë ta evidentoj në mënyrë të veçantë, për shumë arsye.
10/02/2005
Regjistri, 350 dëmtime në monumente
Rreth 350 dëmtime dhe ndërhyrje të paligjshme janë konstatuar në monumentet e kulturës në gjithë territorin e Shqipërisë. Ky fakt është dokumentuar në një Regjistër Kombëtar, ku për çdo shkelje është hartuar një “dosje” e veçantë. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve, Vaso Tole, ky regjistër është krijuar pas ngritjes së një grupi pune, me urdhër të kryeministrit me nr. 9, datë 25.1. 2005, “Për zbatimin e normave ligjore në fushën e ndërtimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore”. Sipas Toles, ky regjistër është ndërtuar në bashkëpunim me 8 Drejtoritë Rajonale të Monumenteve të Kulturës. Zonat më problematike kanë rezultuar qytetet historike, si Durrësi, Berati, Gjirokastra, Korça, etj.
09/02/2005
Biblioteka, teatri dhe qëndra kulturore e qytetit të Korçës,
tri frigoriferë natyrorë
Korçë - Bibliotekës së Korçës tani në muajt e dimrit i mungojnë lexuesit, ndërsa në Qendrën Kulturore artistët duken edhe më rrallë për prova e koncerte. Ky fenomen ndodh për faktin se sallat e tyre të mëdha dhe plot dritë janë tepër të ftohta. Sistemi ngrohës i këtyre institucioneve të cilat janë në varësi të Bashkisë së qytetit, ka 15 vjet që nuk funksionon. Gjatë kësaj periudhe janë instaluar dy kaldaja. E para në 1994, e cila funksionoi vetëm ditën e përurimit dhe për shkak të kostos të lartë të ngrohjes nuk u vu më në punë. Sipas punonjëseve të bibliotekës publike të Korçës, ngrohja e mjediseve për një muaj kushton sa rrogat e bibliotekareve dhe punonjësve të marra së bashku.
27/01/2005
Rrihet këngëtarja Valbona Mema
Pas denoncimit, policia shoqëron kompozitorin e saj
Rrihet në një lokal pranë stadiumit "Selman Stërmasi" këngëtarja e njohur e muzikës popullore Valbona Mema. Por, ndryshe nga ç'mund të mendohej, autori i dhunës ndaj saj ka qenë Edmond Balili, kompozitori 28-vjeçar i grupit të saj. Për të rrahur këngëtaren, kompozitori mësohet të jetë "ndihmuar" edhe nga i ati, Bashkimi, i cili ka qenë i pranishëm me ta në tavolinën e lokalit ku nisi sherri. Burime të besueshme të policisë thanë për Gazetën se motivi i grindjes ishte banal, por kjo nuk e justifikonte ngjarjen e rëndë. Balili njihet si një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të këngëtares në turnetë dhe albumet e saj të fundit. Fill pas kësaj, shërbimet e Komisariatit numër 2 të Tiranës i kanë shoqëruar të dy autorët, babë e bir, ndërkohë që prokuroria e rrethit e ka lehtësuar pozitën e tyre, duke vendosur vetëm detyrim paraqitjeje për ta.
27/01/2005
“Grand gala” hap sezonin e Teatrit të Operës

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ka hapur të martën në mbrëmje sezonin e shfaqjeve. Për të ngritur siparin është zgjedhur “Grand Galaja” me pjesë nga repertori botëror, ku kanë interpretuar këngëtarët më të mirë të Teatrit të Operës, si Edith Mihali, Sidrit Bejleri, Irini Nikolla, Ylber Gjini, Etleva Golemi, Sonila Baboçi, etj. E veçanta e kësaj mbrëmjeje ishte interpretimi i tenorit Gaqo Çako, i cili ka mbyllur shfaqjen me arien “Brindisi” nga “Traviata”. Rikthimi i tij në skenën e operës si tenor është pritur në mënyrë entuziaste nga të pranishmit në sallë. Shumë duartrokitje në këtë mbrëmje ka marrë edhe baritoni Ylber Gjini, i cili ka interpretuar disa arie, si nga “Il Trovatore”, “Adrea Chenier” e “Cavaleria Rusticana”. Pjesë e programit ka qenë edhe “Karnavalet e Korçës” e Avni Mulës, “Rigoletto”, “Un ballo in maschera”, etj. Këto pjesë janë shoqëruar nga orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko. Kjo mbrëmje do të pasohet nga të tjera shfaqje që janë parashikuar në kalendarin e këtij sezoni. Bëhet fjalë për premiera, por edhe për rivënie veprash të mëdha, botërore dhe kombëtare.
25.01.2005
Irma Libohova rrëmben çmimin e parë të “Këngës magjike”
Me fillim të zbehtë dhe mbyllje të mirë përfundon festivali “Kënga magjike”
Nga 29 këngët konkurruese të këtij festivali, u shpallën 15 fitues të çmimeve të ndryshme speciale, ndërsa çmimin kryesor e rrembeu këngëtarja Irma Libohova, me këngën “Prapë te ti do të vij”, e pasuar nga Yllka Kuçi (në vendin e dytë) me këngën “Dhe të dua” dhe Pirro Çako (në vendin e tretë) me këngën “Letër dashurie”.

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
__________________________________________________________________
AlbMuzika.Com
Copyright © 1996-2005 Albmuzika Trust |