Greta Koçi: Qëllimi im, të prek Eurovizionin
16 vjeçarja rrëfen emocionet e trofeut të Top Fest dhe projektet e fundit

09 Qershor 2007
Nga Revista BlueTooth
Është vetëm 16 vjeç dhe ka siguruar një sukses vërtet të madh. Ka bërë të vetin trofeun e një ndër evenimenteve më të mëdha muzikore “Top Fest” duke fituar çmimin e publikut. Është një vajzë e thjeshtë, që dëshiron të mbetet kështu, e shoqëruar kudo nga prindërit, pa krijuar një shoqëri të vetën duke lënë mënjanë çdo gjë tjetër për t'iu përkushtuar këngës. Kjo është këngëtarja Greta Koçi e cila si ëndërr njëkohësisht dhe qëllim të vetin ka: të shkojë në Eurovizion.
Jeni fituesja e edicionit të katërt të “Top Fest”. Si ndiheni?
Ndihem e lumtur. Doja një këngë që ti përshtatej këtij evenimenti duke qënë se lançon muzikën moderne shqiptare. Genti Lako është ai që u kujdes më shumë, arriti të nxjerrë një këngë që të pëlqehet nga masa. Konkurova mes 194 këngëtarëve dhe arrita të futesha në finale ku garuan 36 këngë. Kënga ime “Sa më lodhe” triumfoi duke marrë çmimin e madh të publikut. Në fakt u kujdesa shumë për gjithçka duke parë me kujdes edhe veshjen dhe paraqitjen skenike, të përshtatshme për moshën që kam. Kënga shoqërohej edhe me një koreografi të realizuar nga Albi Nako i cili më ka ndihmuar shumë edhe pse ushtrimin e kapa shumë shpejt.
E prisje fitoren?
Kur u shpallën rezultatet paraprake kam qenë në vend të parë me një diferencë prej 100 votash. Më pas diferenca u shtua duke kaluar ne 300. Në vend të dytë vinte Poni. Kam qenë përgjatë gjithë kohës në ankth pasi rezultati mund të përmbysej. Babai më thonte se gjatë zhvillimit të spektaklit vinin mesazhe pafund, komplimenta drejtuar këngës time. Ajo që më kënaqi më shumë ishte telefonata që erdhi nga një disko në Sarandë ku ishin mbledhur bashkë shumë shkolla nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Aty ishte ndërprerë aktiviteti i mbrëmjes për të votuar për mua. Ishin tmerrsisht shumë, rreth 2000 vetë dhe në telefon dëgjoja ovacionet e fansave. U emocionova shumë dhe më vinte për të qarë.
Po përgatitesh për ndonjë tjetër këngë?
Jam duke realizuar një këngë, sërish me Gentin. Është në përfundim dhe do të lançohet në verë. Është këngë ritmike, diskotekash e cila do të shoqërohet edhe me videoklip. Në Shtator-tetor do të dalë një tjetër këngë, një baladë. Aktualisht jam duke zhvilluar koncerte recitale në vende të ndryshme të Shqipërisë. Të dielën jam në Pogradec, në pallatin e sportit. Me të mbaruar, do të filloj turneun nëpër botë, kudo që ka shqiptarë. Do të udhëtoj në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali, Londër etj.
Si e organizon Greta një ditë normale?
Në mëngjes jam në shkollë. Studioj në vit të tretë për Anglisht dhe Frëngjisht në shkollën privatë “Eurolingua”. Frekuentoj çdo ditë palestrën. Stërvitem për çdo projekt pasardhës që kam. Çdo të hënë nga ora 5-6 komunikoj live me fansat e mi në internet. Thuajse të gjithë ditën e kam të ngarkuar.
Shoqëroheni gjithmonë nga prindërit. Çfarë vendi zë shoqëria tek ju?
Po është e vërtetë, kudo shoqërohem nga prindërit, në ç'do takim që kam. Edhe në shkollë më çon babi. Jashtë shkollës nuk kam miq. Nuk frekuentoj absolutisht kafenetë apo shëtitjet pasi nuk kam kohë. Imagjinoni, as celular nuk mbaj. Nuk dua të komunikoj me askënd për vetë faktin se nuk dua të shqetësohem. Dua të jem aq afër me njerëzit por njëkohësisht edhe larg me ta.

Greta Koci gjate nje koncerti
Cili është personi më i afërt për ju?
Familja është e shenjtë për mua. Prindërit dhe motra ime Eni janë njerëzit më të shtrenjtë për mua.
Çila është gjëja më e bukur që iu ka ndodhur dhe çfarë ëndërroni?
Deri tani më i rëndësishmi për mua ka qenë trofeu në “Top Fest4”. Ndjej se gjithmonë jam në rritje profesionalisht dhe kjo më bën të jem mirë. Qëllimi im kryesor është të konkuroj në festivalin e fundvitit dhe të fitoj. Dua të përfaqësoj Shqipërinë vitin që vjen në Eurovizion.
Po më e çuditshmja?
Ishim në Romë. Isha shumë e lodhur nga koncerti dhe për një moment po qëndroja me mamin duke vëzhguar disa monumente që po më pëlqenin. Befas shfaqen dy kinezë dhe me zë të lartë thonë: Greta Koçi. Kjo është Greta Koçi. Nuk kemi mbajtut dot të qeshurën nga habia.
Kush nga këngëtaret e huaja të pëlqen më shumë?
Më pëlqen Kristina Agilera. Ka një teknikë shumë të mirë interpretimi. Po kështu më pëlqen edhe Pink. Unë vëzhgoj dhe marr gjithmonë atë që bëjnë më mirë, por padyshim pa dalë nga natyra ime e të kënduarit, nga vetja ime.
AlbMuzika.Com