Historiku i filmit dokumentar Shqiptar
Filmi dokumentar televiziv në Shqipëri mban mbi vete gati 30 vjet "karriere". Ai lindi gradualisht që me kronikat e para, të cilat trajtonin thjesht ngjarjet e dites dhe problemet e asaj kohe, deri në formimin e tij me të gjithë komponentët përbërës të një filmi të mirëfilltë dokumentar.
Dhimitër Pecani, një nga regjisorët e filmit dokumentar ne Televizionin shqiptar është shprehur se, "filmi dokumentar është historia, arti, kultura e një populli e shkruar në celuloid".
Dhe nuk janë të paktë realizuesit duke filluar që nga regjisorët, skenaristët dhe operatorët dhe deri tek montazhierët, formuluesit e muzikës, miksazhierët, të cilët kanë punuar me dëshirën e artistit që këtë histori, art, kulturë të popullit të tyre ta ndalin në celuloid dhe ta përjetësojnë në film.
Kronike nga historiku i filmit dokumentar
Filmi i parë dokumentar i realizuar në televizion është "Zërat e trenave" në vitin 1971 me autor Ylli Pepo dhe operator Engjëll Strazimiri. Filmi fokuson qytetet e Shqiperise se mesme (Durrës dhe Elbasan) banorët e të cilave ngrihen dhe bien ne gjumë me "zërin" e trenave. Po në vitin 1971 u realizua filmi "Në prag te ngjarjes se madhe", film që i kushtohet rinisë së asaj kohë me autorë, regjisorët Albert Minga dhe Fisnik Sina si dhe me operator Besnik Derhemi.
Në vitin 1972 filluan te xhiroheshin një cikël dokumentarësh të cilat fokusonin Butrintin, si një nga monumentet e kulturës së lashte të popullit shqiptar. Ky cikël me titull "Udhëtim në Buthrotos" u realizua nga regjisori Ylli Pepo, skenaristi Andon Dede dhe operatori Ilir Kasneci. Cikli pati një rëndësi të madhe për kohën kur u realizua pasi dilte nga suazat e propagandës e cila në atë kohë ishte ne kulmet e saj dhe përshkonte dendur të gjitha fushat e artit. Vitet '73-'78 janë quajtur vitet e dokumentarit portret.
Tema e dokumentarit zgjerohet duke kapur tani dhe portrete njerezish të shquar për kombin, te veshura keto dhe me pak histori. Përmendim këtu ciklin e dokumentarëve "Ngjarje dhe data" me portrete e figurave te njohura të kombit shqiptar si dhe "Përballë njëri-tjetrit" me portrete njerezish të thjeshtë,autori kryesor i të cilave është Azis Gjergji.
Një cikël tjetër dokumentarësh që u realizua në këto vite me autor Andon Dede, është "Udhëtim nëpër Shqiperi", cikel qe permbledh 15 dokumentarë të cilët trajtojnë karakteristikat e 15 qyteteve te Shqiperise, si dhe "Udhëtim në Lashtësi".
Dokumentari i viteve '80, i veshur jo pak me propagandën e asaj kohe, mban emrat e Marash Hajatit , Mevlan Shanajt dhe Bujar Kokonozit, me "Komani, betejë e madhe" dhe "Tërmeti tundi malet" si dhe dokumentarin e Spiro Dedes me "Shoku yne Alqi Kondi". Larg këtyre dokumentarëve qëndron ai i Dhimiter Pecanit "Zgjidhja e një enigme", i cili trajton pikturat e Rembrandit në Shqipëri, si dhe dokumentari shkencor me autor Xhemal Mato "Zbulime nënujore".
Në vitet '86 u krijua një cikël dokumentarësh "Ditëlindjet e Enverit", te cilat trajtonin figuren e Enver Hoxhës, cikel i cili u realizua pas vdekjes së tij.
"Në se vitet '80-'90 janë vitet e konsolidimit të filmit dokumentar, vitet '90 do te quhen vitet e profesionalizmit dhe kerkimit eksperimental në fushën e dokumentarit televiziv", tha për ATSH-në Ylli Pepo, një ndër regjisorët e mirenjohur të këtyre filmave.
Në vitet '91-92, regjisori Spartak Pecani në bashkëpunim me operatorin Bujar Kokonozi dhe skenaristin Nexhati Tafa, realizojnë dokumentarin "Jetë pas vdekjes", ndërsa ne '93 B.Kokonozi, krijon filmin dokumentar për Aleksander Moisiun.
Në vitin 1994, regjisori Cizia Zykë dhe Piro Milkani me operatorin B.Kokonozi, prodhojnë filmin dokumentar "Kanuni", i cilësuar nga masmedia si "më të realizuarit" duke sjellë para shikuesit zberthimin e "kushtetutës" qindra-vjeçare shqiptare Po në këtë vit me regji të Kokonozit dhe skenar të shkrimtarit kosovar Migjen Kelmendi, realizohet filmi "Të shitur utopie", i cili e trajton komunizmin si nje utopi ne mendjet e njerëzve.
Më 1995, autorët Flora Nikolla, Amalia Dhamo dhe Bujar Kokonozi realizojne filmin "Arratisja".
Viti 1997 do të mbartte me vete një ngjarje te llahtarshme dhe një dhimbje te pakrahasueshme. Mbytja e mëse 100 personave, më të shumtit fëmijë dhe gra, në Kanalin e Otrantos, nuk kishte si të kalonte pa prekur shpirtrat e të gjithëve ne, por vecanërisht te artistit dhe krijuesit. "Një tokë që lundron" mban titullin dokumentari për këtë ngjarje me skenar dhe regji, Ervin dhe Ibrahim Muçon dhe operator Bujar Kokonozin. Sekuencat filmike te njerëzve qe mbyteshin në ngashërim, nënave qe kërkonin fëmijët, burrave që kërkonin gratë, fëmijëve që kërkonin prindërit nuk kanë se si mos të të rrënqethin dhe t'i japin filmit vlerën realiste.
Ndërthurja e elementeve ne nje film dokumentar domsdoshmeri
Në filmin dokumentar ndërthuret puna e regjisorit, skenaristit dhe operatorit për të vazhduar me montazhin, formulimin e muzikes dhe miksazhin. Por peshën më të madhe në film e mban kamera që ndryshe quhet violina e parë që dirigjon dhe prapa saj qëndron operatori i cili e shkrep atë. Në ritmin e ngjarjeve, që nuk presin operatori duhet të jetë i pajisur mirë teknikisht dhe të derdhë emocionet e tij duke filtruar atë që është më esenciale taman në momentin e duhur. Dhe operatorët tanë janë munduar të kapin atë cka është më e rëndësishme në natyrën e operatorit, pikërisht dinamikën, impulsivitetin dhe temporitmin për të ecur përkrah ngjarjes që xhirohet. Ky temporitëm ndihet deri ne kompozimin dhe montazhimin e materialit te xhiruar, moment ky mjaft i rëndësishëm në filmin dokumentar. Gjithe ajo punë kolosale në xhirim finalizohet me montimin e material. Emri më i dalluar në këtë drejtim është pa dyshim ai i mjeshtrit, Ismail Balla. Përmendin këtu dhe montazhieret Andon Beqari, Alfred Kasimati, Klajd Sheldia, Mira Mone, etj. Montazhi ose sintaksa e filmit rendit artistikisht çdo material të xhiruar.
Në dokumentar operatori sjell një frymë realiste me mënyrën e tij të të xhiruarit, realizëm ky i cili është prezent edhe me kalimin e shumë viteve. "Nga ana tjetër operatori i filmit dokumentar qëndron lart teknikisht, pasi vetëm nëpërmjet njohjes së ligjeve klasike të kompozimit te figurës ai arrin te fusë më pas dhe elementet modernë në këtë kompozim", tha për ATSH-në operatori i njohur Pali Kuke. Operatoret e filmave dokumentare duke filluar që nga operatori i parë në televizion Beqir Derhemi dhe duke vazhduar me Stefan Gajo, Bujar Kokonozi, Pali Kuke, Ilir Kasneci, Engjëll Stazimiri, Valter Qarri,Ben Ceku dhe Ben Milo, me profesionalizmin dhe me arsenalin e pafund te mjeteve shprehëse që ata dispononin, kanë përçuar tek shikuesit të bukuren dhe të shëmtuarën, të dhimbshmen dhe të gëzuarën, të mirën dhe të keqen pa u dukur vete por duke mbajtur mbi vete një përgjegjësi të madhe. Në harmoni me këta elementeve formulueset e muzikes si Leonora Abazi, Suzana Muça, Pranvera Kati dhe Suzana Gashi, i kanë dhënë filmit dokumentar zërin, tingullin, cicërimën dhe zhurmën. Të gjithë këta elemente të ndërthurur artistikisht i kanë dhënë formën dhe ngjyrën filmit dokumentar duke plotësuar ndoshta ato mangësi të tematikës e cila jo rrallë ishte plotësisht e politizuar.
Pjesëmmarja dhe vlerësimi i filmit dokumentar televiziv shqiptar në botë
Filmi dokumentar televiziv ështe prezantuar me i plote ne festivalet e ndryshme ndërkombëtare pas viteve '90.
Në vitin 1992, filmi "Miss Albania, Sos Albania", i Ylli Pepos merr pjesë në festivalin Prix Jeunnesse i zhvilluar në Gjermani por nuk nderohet me çmim. Ndërsa në vitin 1993, në festivalin Prix Europa, përseri prezantohet regjisori Ylli Pepo, me filmin "Përtej ëndrës" me të cilin merr dhe çmimin inkurajues të Jurisë së Festivalit.
Xhemal Mato, i cili njihet si regjisor i filmave dokumentar shkencor, me filmin e tij "Treni i vdekjes", në vitin 1995 do të merrte ne Itali, çmimin special të jurisë së Festivalit.
Ndërsa në vitin 1996, regjisori Ylli Pepo prezantohet në Prix Jeunnesse me filmin "Biznesmeni i ri". Ne vitin 1997, filmi dokumentar i Petri Bozos,"Ecje" do te shkoje ne Bolcano të Italisë. Ndërsa filmi "K.E.N.G.A." i regjisorit Pluton Vasi përzgjidhet me çmimin e parë ndër një mori filmash dokumentar nga e gjithë bota në Festivalin Botëror të Arshivës për Filmin Dokumentar, zhvilluar në Badenbaden të Gjermanisë në korrik '97. Dokumentari "K.E.N.G.A.", përmes nje trajtimi bashkëkohor jep historikun tragjik të këngës shqiptare deri në prag të Festivalit të kengës në Radio-Televizion,organizuar me 1996. Në qëndër të dokumentarit autori ka vendosur një nga zërat e pavdekshëm të muzikës së lehtë shqiptare, Artisten e Popullit Vaçe Zela. Specialistët më në zë në botë e kanë konsideruar këtë dokumentar si një kombinim mjaft të arrirë të materialit arshivor dhe një trajtim të ri të cilin producenti ka arritur ta japë me një dimension krej origjinal në këtë gjini.

Çmim të parë në Festivalin e dytë ndërballkanik te programeve televizive ne Bullgari në vitin 1998, do të merrte dhe filmi i regjisorit Ylli Pepo me skenar të Engjëll Ndocaj, "Të vegjël të rritur", film te cilin juria ndërkombëtare, e përbërë nga njerëz të njohur të artit dhe kulturës, e vendosi në krye të klasifikimit mes 176 të tillë të paraqitur për konkurim. "Të vegjel të rritur", paraqet fatin e njeriut të sotën ne udhëkryq i cili kërkon te mbijetojë. Përmes fuqisë së imazhit dhe pa tekst ky film zbulon cilësisht realitetin ku ne jetojmë. Juria e këtij festivali e cilesoi Ylli Pepon si regjisori më i mirë i Festivalit me motivacionin, "ai ka zbuluar me cilësi dhe në mënyre adekuate e artistike fatin e njerëzve si dhe hallet e tyre".
AlbMuzika.Com