18 Tetor 2006

Piktori Fatmir Velaj në Biennale-n e Vienës
Fiton në Konkursin Ndërkombëtar “Personalitet Muzikore 2006”

Fatmir Velaj
Piktori Fatmir Velaj

Nga Dr. Luan Topçiu


Nga data 21 shtator deri me 10 tetor ne Vjenë, Austri qendron e hapur biennale e Vienës. Organizatoret e saj jane nje grup profesoresh te akademise se arteve në "Schillerplatz" në Vjenë si dhe një team  internacional me korrespodentë në Berlin, Londër, Zagreb etj. Qëllimi i Bienales së Vienës ështe paraqitja e prirjeve më të reja në art, manifestimeve më të fundit të artistëve bashkokohorë europianë. Organizatorët përmes kësaj biennale synojnë ta shndërrojnë gjithë qytetin në terrenin ku zhvillohet kjo festë e madhe e artit. Kësisoj, kjo biennale eshte shtrire ne te 23  (lagjet) e Vjenës duke iu dhene mundesia te paraqitet neper galeri, qendra arti, institute kulture, muzeume, akademi etj. Hapja e saj ne daten 21 shtator u transformua ne nje mega festë e artit e kultures duke u shoqeruar edhe me koncerte duke patur nje jehone te madhe ne mediat ndërkombëtare.

Në kete biennale marrin pjese gati 60 artistë nga vende te ndryshme te botes. Shqiperia paraqitet me artistin Fatmir Velaj.  Kuratoret e kesaj biennale përzgjodhen nga Velaj punimet "country house", "the house in the forest" si dhe triptikun "the red feeling rhapsody". Keto punime jane ne tekniken e  akrelikut ne masat 100x120cm,130x180cm si dhe 140x210cm.  Kuratorët e biennales kanë përzgjedhur nga Velaj disa nga veprat që janë çmuar së tejmi në të gjitha ekspozitat ku ai i ka ekspozuar këto punime. Piktura e Velajt është një pikture në lëvizje. Përpos fiksimit të objektit autori ka kujdes të përjetësojë dhe lëvizjen, veprimin konvencional të objektit që paraqet. Piktori shqiptar ofron përpara publikut europian një fshat-ide në lëvizje, në veprim, duke përcjellë thelbin e vet ekzistencial, ngjyror dhe filozofik.
Në këtë grup tablosh që lidhen me një shtëpi misterioze, Velaj ka vendosur një fshat-ide apo fshat-atmosferë, në një pyll konvencional, në një atmosferë të ngarkuar me symbol. Në keto shtëpi, ku më shumë të grish për të çuar shpirtin për të banuar në to, artisti vendos shenjat e një shtëpie, një kishe, në një terren të papërcaktuar, në lëvizje dhe rrjedhje ngjyrash, në një shkarje të imazhit që ta krijon vetëm ëndrra. Në ciklin e përzgjedhur në Biennalen e Vienës kemi të bëjmë me një realitet aluziv, më shumë autori na ofron atmosferën jo objektin, një ndjesi të përgjithshme dhe jo sende konkrete e të lexueshme. Shikuesi fiton një rol aktiv dhe konstruktiv, pjesëmarrës dhe bashkëautor në plotësimin e provokimeve të artistit Fatmir Velaj. Objektet nuk kanë një vend të saktë në hapësirë, evolucioni i tyre i lihet natyrës së imagjinatës së krijuesit dhe për pasojë dhe receptorit. Mjedisi fizik përmblidhet në esenca kromatike të forta por dhe të stërholla, për t'i falur jetë këtyre viseve të mrekullueshme. Piktori pikturon me një gazmend të pacak, sepse natyra që na ofron piktori ngjyrohet me një kolorit të fortë të mbushur plot me ndjenja, me temperaturën e ëndrrës së artistit, me afshin që kërkon ta përcjellë tek spektatori, me temperaturën e nxehtë të viseve të bregdetit jonian, vend nga buron fshehtazi frymëzimi i artistit shqiptar. Këto vepra të Velajt zgjojnë interesin e specialistëve dhe të publikut europian, sepse ngërthejnë lëvizjen në liri të "pictures në veprim" të ekspresionizmit amerikan, simbolikën dhe arsyetimin e një artisti Europiano-qendror, siç është formimi i piktorit, dhe shpirti shpërthyes në ngjyrë dhe manifestim që vjen nga viset shqiptare.
Prania, përzgjedhja dhe suksesi i piktorit në aktivitetet më prestigjioze europiane, dëshmon talentin e tij të padiskutueshëm, frymën kompetitive dhe personalitetin e një artisti të formuar që zgjon gjithë here kërshërinë e specialistëve europianë të artit dhe të publikut europian.

Fatmir Velaj Piktura
Piktura te ndryshme te Velaj

“KUJTIME NGA E ARDHMJA” NË PIKTURËN E FATMIR VELAJ'T

Piktori Fatmir Velaj i është imponuar botës së artit evropian përmes talentit të tij evident, përmes manifestimit artistik të befasishëm dhe tejet personal, përmes frymës së lirë e të shpenguar artistike. Artisti konturon tashmë gjithë e më tepër një profil të qartë përmes mjetesh artistike të personalizuara. Mjeti më elokuent në veprat e artit të Fatmir Velajt ofrohet nga përdorimi i lirisë së shprehjes. Liria nuk është një atribut, por një e dhënë. Kështusoj është e rëndësishme ta përdorësh lirinë që të ofrohet, të dish ta administrosh atë. Jo akëcili artist di të përdorë lirinë, jo të gjithë piktorët dinë të përfitojnë prej saj. Formimi skolastik  dhe akademizmi shterp shpesh sterilojnë krijuesit duke i orjentuar drejt shabllonesh dhe në rastin më të mirë në imitues të përkryer të profesorëve të tyre.

Piktori Fatmir Velaj di ta përdorë lirinë që të ofron arti, di të gëzohet prej saj dhe ta bëjë të frutshme-duke e materializuar në vepër arti. Ndaj në një përcaktim gjithëpërfshirës të gjithë paradigmës piktorike të këtij artisti mund të themi se: veprat e Velajt ndërtohen nën frymën dhe mjetet që të imponon liria. Ai di të jetë i lirë e i shpenguar dhe të mbajë qëndrime të lira në artin  e tij. Liria e shprehjes artistike merr forma e trajta nga më të beftat, merr zgjidhje konvencionale dhe jokonvencionale; liria e shprehjes tek pikturat e Fatmir Velajt nuk njeh stepje, kufizim skolastik, qëndrime e poza akademike, mëdyshje, hezitim, por di t'i japë krahë fantazisë së tij, di të shkelë skajet e fundëm të imagjinatës së tij. Në ciklin e fundit të tij “Kujtime nga e ardhmja”, titulluar në formën e një sintagme paradoksale dhe sugjestive, ai shënon kuotën më të lartë në krijimtarinë e tij. Tablotë e këtij segmenti evokojnë më së shumti përsjatje filozofike dhe poetike mbi botën, mbi jetën, mbi ëndrrën. Veprat janë sinteza përjetimesh të thella, janë thelbi i gjendjeve të ngarkuara shpirtërore dhe emocionale. Le të kujtojmë “Rapsodi e ndjenjave”, “Ndjenja e vjeter”, “Mendime dhe fjalë”, “Kujtime nga e ardhmja”, "E zeze, blue dhe mendime", "Imitimi i jetes", "In a broken dream", " Sweet memories", "Qetesia dhe nje surprize". Veprat ruajnë atë që artisti konsideron më thelbësoren dhe më të qënësishmen e dukurisë apo motivit që ai pikturon. Fatmir Velaj di të sugjerojë, të na drejtojë në botën e tij përmes shenjash, gjestesh figurative, gamash ngjyrore duke na kapluar me gjetje artistike goditëse. Në këtë hipostazë telajoja e Velajt fiton një ndjeshmëri të pazakontë, plot me vibrime të dritës, me ngopje të ngjyrës në regjistra intensivë koloristikë, me thekse e shkrirje të alternuara. Cikli “Kujtimet për të ardhmen” më shumë janë vizione për të ardhmen, ndërtime e përjetime imagjinative të “së ardhmes”, copra fragmentesh ëndrrash që do të zhvillohen në një kohë tjetër dhe tjetër hapësirë, në terrene të tjera. Vepra e Velajt është ndërtim i një kronotopi me mjete vizuale, me një gjuhë të guximshme, me zgjidhje artistike të papritura. Piktori provokon kufijtë e njohur të reales, të së tashmes dhe të së ardhmes, të së shkuarës dhe të përjetimeve në këto segmente kohorë, të vendit dhe hapësirës të vendndodhjes së tij e ndodhive të jetës së tij. Piktori i lejon vetes të krijojë një botë të lirë me përmasa të tjera, me ligje të tjera, me rrjedhje kohore tjetër, me një optikë tjetër. Ai provokon një vizion të ri të botës, të një botë të personalizuar, të ndërtuar e hartuar sipas një logjike subjektive. Për pasojë udhëtimi që na ofron artisti presupozon dhe një tjetër kohë jokonvencionale, një kohë emotive që e përjetojmë intensivisht në rrethana të pazakonta.  

Në veprën e piktorit fshihet shpirti i ndjeshëm i një poeti. Përfytyrimi artistik, preokupimet artistike, vizioni i përgjithshëm janë të afërta me cilësitë që mbart poezia moderne. E ardhmja ka shenja të së kaluarës, e tashmja është atemporale, e ardhmja vishet me shenjat e të shkuarës. Të gjitha këto shprishje rendi të botës t'i lejon vetëm bota abstrakte që na ofron  Fatmir Velaj në pikturën e tij. Ai sheh në mënyrën e tij botën, sendet, ëndrrat, zhgjëndrrën, kujtimet, misterin, natyrën. Ëndërrimi, kapriçot imagjinative, ndonjëherë rastësia në ekzekutim, injorimi i konvencioneve e bëjnë sinonim me lirinë tërësore. Kompozimet ritmizohen herë-herë pothuaj në mënyrë muzikale, të mbajtura në një kolorit të qetë që heq dorë nga kontrastet dramatike. Temat që dominojnë në këtë cikël janë tashmë reflekse të një bote më pak të shqetësuar. Në gjithë universin që na ofron piktori gjallon brishtësia dhe ngazëllimi.

Fatmir Velaj
Fatmir Velaj

Në një hipostazë tjetër, piktori bëhet më dramatik, ngjyrat bëhen më intensive, më agresive, në rrjedha të lira dhe për pasojë autori duket së jashtmi se nuk i interesojnë strukturat por lëvizja e tyre, nuk i intereson objekti por efekti që shkakton ai dhe dinamika e tij në raporte të caktuara hapësirore. Fatmir Velaj shkëqen në sintaksën e pikturës së tij pa neglizhuar aspak morfologjinë. Piktori ka një optikë të tij vetanake, ai nuk lihet i ndikuar nga asgjë e nga askush, sepse piktura e tij është më shumë një nevojë personale vetëshprehjeje: një vështrim personal dhe i pangatërrueshëm i botës së tij së brendshme dhe i realitetit ku jeton. Artisti është formuar si personalitet në një nga kryeqyetetet e artit europian-Vienë, por ai ruan dhe mbart pashpëtueshmërisht në krijimtarinë e tij dritën ngazëlluese të viseve nga ai vjen, dritën mesdhetare të Detit Jon. Trajta nga fëminia, forma e ngjyra, shenja dhe ndjenja nga vendlindja shpalosen jo vetëm në tablo ku ky realitet pasqyrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dhe në tablotë më abstrakte. Gjurmë të realitetit të vendlindjes zbulohen në të gjithë krijimtarinë e Velajt. Vendlindja shfaqet përmes ngjyrash, përmes gjestesh piktorike që të kujtojnë peisazhin e bregdetit të Detit Jon, përmes gjendjesh emocionale që të provokon malli dhe mungesa e tyre, përmes atmosferës, bimësisë, ajrit, frymës. Vendlindja në mungesë merr trajtat e parajsës tokësore për piktorin vlonjat. Po të flasim për dy zona të mëdha të formimit të artistit do të flasim për dy qytete me të cilat autori ndan dhe jetën: Vlora-Viena. Viena e pasuron me kulturë artistike, Vlora gjeneron kujtime prodhimtare, emocione pjellore. Paleta ngjyrore e Velajt është huajtur nga natyra e vendlindjes, përdorimi me virtuozitet i tyre kryet në Vienën e Gustav Klim-it, Egon Schiele-s, Oskar Kokoschka-s etj. Viena është padyshim një nga kryeqytetet më të shkëlqyer dhe poliedrikë të kulturës kontinentale i krahasueshëm dhe i konkurueshëm vetëm me Parisin. Muzika e Johann Strauss-it dhe ajo e Gustav Malher-it, rafinamenti i dizanjit të Wiener Werkstatt, psikoanaliza e Freud-it, evolucioni i letërsisë, i teatrit, filozofisë dhe mjekësisë hartojnë bazën për tu zhvilluar një shkollë shumë e rëndësishme pikture.

Ndërsa në qoftë se do të flasim për elementët që bëhen përcaktues për strukturën e veprës së piktorike të Fatmir Velajt, do të sillnim dy syresh që janë të një fakture poetike drita-liria . Për piktorin është i rëndësishëm realiteti i tij piktural, mënyra se si strukturohen në telajo imazhet e tij.

Në një grup tablosh që lidhen me një fshat misterioz, një fshat-ide apo fshat-atmosferë ku artisti vendos një shtëpi, një kishë etj kemi të bëjmë me një realitet aluziv, më shumë autori na ofron atmosferën jo objektin, një ndjesi të përgjithshme dhe jo sende konkrete e të lexueshme. Objektet nuk kanë një vend të saktë në hapësirë, evolucioni i tyre i lihet natyrës së imagjinatës së krijuesit dhe për pasojë dhe receptorit. Mjedisi fizik përmblidhet në esenca kromatike të forta por dhe të stërholla, për t'i falur jetë këtyre viseve të mrekullueshme. Piktori pikturon me një gazmend të pacak, sepse natyra që na ofron piktori ngjyrohet me një kolorit të fortë të mbushur plot me ndjenja, me temperaturën e ëndrrës së artistit, me afshin që kërkon ta përcjellë tek spektatori.

Suksesi i piktorit shqiptar Fatmir Velaj nuk është aspak rastësi, është një sukses i merituar plotësisht. Fitues çmimesh ndërkombëtare, kurator ekspozitash të përmasave të mëdha ndërkombëtare, (ekspozitat e të cilit kanë hyrë tashmë në axhendat e galerive dhe muzeumeve më të rëndësishme evropiane), drejtues i një forumi të suksesshëm evropian, të gjitha këto forcojnë idenë tonë se udha e suksesit të piktorit Fatmir Velaj është ndërtuar mbi baza solide dhe konsistente, mbi vlera të verifikuara në mjediset elitare të artit evropian.

Dr. Luan Topciu

__________________________________________________________________

A
lbMuzika.Com