Eno Koço
Me trup në Angli, me zemër në Shqipëri

"Shqipëria ka prodhuar e prodhon vazhdimisht artistë. Edhe pse zhvendosen disa, si puna ime, të tjerë i zëvendësojnë. Por kontakti me vendin është i domosdoshëm, jo në kuptimin patriotik, por në atë të ushqimit shpirtëror. Unë, personalisht, e kam shumë të nevojshme lidhjen me Shqipërinë. Andej më ka tërhequr gjithnjë krraba edhe pse kam qenë i zhvendosur"
Ka lindur në Tiranë, në një shtëpi me tradita muzikore. I ati, ka qenë një bariton ndërsa e ëma, soprano e njohur me një reputacion ndërkombëtar. Kur filloi të merrte mësimet e para në violinë, Eno Koço ishte vetëm shtatë vjeç. Mbas një periudhe studimesh në Leningrad, ai punoi si violinist në Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranës, për gjashtë vjet me rradhë. Debutimi i tij i parë si dirigjent ka qenë me orkestren e Liceut Artistik të Tiranës, dhe më vonë u bë dirigjent efektiv i Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar me të cilën ka zhvilluar turne në Jugosllavi e Turqi. Në 1986 drejtoi Orkestrën Simfonike të Kajros në Egjipt dhe më 1989 u atashua pranë Rai-t të Torinos. Në 1984, shteti shqiptar e vlerësoi me titullin "Artist i Merituar".
I larguar nga Shqipëria prej disa vitesh, Eno Koço është një nga ata artistë shqiptarë që vazhdojnë profesionin e tyre në vendet e zhvilluara të Europës dhe konkretisht, ai sot jeton në Leeds të Anglisë, ku dhe jep mësim. Për njembedhjet vjet me rradhë, ai ka qenë dirigjenti kryesor i orkestrës së Departamentit të Muzikës në Universitetin e Leeds, duke drejtuar shumë aktivitete muzikore në të cilat përfshihen dhe regjistrimet diskografike. Pavarësisht punëve të shumta dhe famës ndërkombëtare, Koço ka ruajtur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi me Teatrin e Operas dhe Baletit dhe orkestrën simfonike të RTVSH-së. Biri i artistes së madhe, Tefta Tashko Koço, ka realizuar disa programe radiofonike muzikore për rrjetin televiziv anglez "BBC Radio 3" dhe "BBC World Service", ndërsa ka publikuar librat "Tefta Tashko-Koço dhe bashkëkohësit e saj" (2000), "Këngët lirike qytetare shqiptare në vitin 1930" (2002), si dhe artikuj të tjerë në shqip dhe në anglisht. Ka dhënë leksione mbi muzikën shqiptare në Universitetet e Limerick-ut (Irlande), Leeds-it dhe Londrës.
Keni kohë që jeni larguar nga Shqipëria... ?
Më duhet ta ritheksoj faktin që zhvendosjen time për një periudhë mëse një dekadë nuk do ta quaja si "largim". Jam larg e jam afër. Jam afër kur vij të bëj veprimtari muzikore në Tiranë, të cilat vitet e fundit nuk kanë qenë të pakta. Jam edhe më afër kur shkruaj mbi tema muzikore shqiptare, të cilat janë konkretizuar në librat dhe artikujt e mi të botuar në Tiranë.
Si ndodhi që morët vendimin të niseshit?
Si shumë prindër shqiptarë, bluaja prej kohe në mendje se si do të mund të shkolloja fëmijët e mi. Rasti e solli të ftohesha bashkë me gruan time në një festival muzikor në Angli dhe ky do të shërbente për të stabilizuar vajzën dhe djalin në shkolla muzike angleze. Më vonë, u mora dhe vetë me studime mbi subjekte muzikore shqiptare.
Do të vazhdoni kontaktet me Shqipërinë, nëpërmjet kontratave të ndryshme?
Kontaktet do të dëshiroja t'i shtoja me institucionet artistike të Tiranës, por kjo jo gjithnjë varet nga vullneti im. Duhet ta pranoj që vullneti i institucioneve artistike të Tiranës për të bashkëpunuar, ka qenë i mirë, por ja që unë do të dëshiroja që gati gjysmën e kohës së veprimtarive artistike vjetore t'i kryeja në Shqipëri. Gjithnjë përpiqem e mendoj për një bashkëpunim më të qëndrueshëm e të vazhdueshëm.
Ju keni një histori të gjatë bashkëpunimi në Angli, ku dhe jetoni. Si ia keni arritur?
Jetoj në Leeds, një qytet në veri të Anglisë. Jap mësime muzike në Universitetin e Leeds-it, dmth., drejtoj orkestren, jap dirigjim dhe në klasat e instrumentistave. Pa dyshim, për pozicionin që kam jam shumë i kënaqur, sepse është i tillë, që kërkon kualifikim të vazhdueshëm dhe pak kohë mbetet për ndonjë gjë anësore. Duhet ruajtur standardi, ndryshe bëhesh i papërshtatshëm për të edukuar muzikantët e rinj.
Eshtë e vështirë të mbijetosh si artist në një vend kaq të zhvilluar sa Anglia?
Fjala "mbijeton" nuk do të ishte e përshtatshme në këtë rast. Ne (bashkë me gruan) punojmë e jetojmë normalisht mes kolegëve britanikë, me te drejta të barabarta, sepse është puna që na i ka dhënë këto të drejta. Kuptohet, nuk të mban njeri për sevap. Puna ime i nënshtrohet gjykimit të rrepte të shtypit për çdo koncert që jap. Po qe se kritika shpreh dyshime për punën me orkestrën, kjo do të reflektonte menjëherë edhe në administratën e School of Music (kështu quhet fakulteti që është në rang kolegji profesionist muzikor). Pra, jam i detyruar të punoj mirë që të mbaj vendin.
A ndiheni emigrant?
Aspak. Ndjehem qytetar i botës.
Me se po merreni tani përveç faktit që jepni mësim në Leeds?
Për momentin jemi në përgatitjet e një opere fare pak të njohur të Dvorzhakut, e cila është premierë britanike. Ekspertë të Dvorzhakut do të vijnë nga e gjithë bota për ta ndjekur e komentuar. Interneti flet për këtë ngjarje.
A mendoni se fakti që po largohen shumë figura të njohura, e dëmton shumë artin shqiptar?
Shqipëria ka prodhuar e prodhon vazhdimisht artistë. Edhe pse zhvendosen disa, si puna ime, të tjerë i zëvendësojnë. Por kontakti me vendin është i domosdoshëm, jo në kuptimin thjesht patriotik, por në atë të ushqimit shpirtëror. Unë, personalisht, e kam shumë të nevojshme lidhjen me Shqipërinë. Andej më ka tërhequr gjithnjë krraba edhe pse kam qenë i zhvendosur.
Një dirigjent italian u shpreh para disa muajsh për gazetën tonë se orkestrantët shqiptarë janë dembelë... Ju si e komentoni këtë?
Të them të drejtën, duke mos qenë atje gjithë kohën, nuk e di se ç'ka kostatuar dirigjenti italian. Një konstatim i tillë më duket empirik, pasi duhet parë më tutje se çfarë i bën orkestrantët të jenë dembela. Instrumentisti, si qenie është shumë punëtor, deri sa ka arritur të bëhet muzikant profesionist. Dembelizmi mund të vijë si rezultat i kushteve ku punon.
Si bir i dy artistëve dhe mbi të gjitha, i një artisteje të madhe si Tefta Tashko Koco, ndjeni vështirësinë për të kapërcyer (artistikisht) emrin e mirë të të dy prindërve tuaj, të paktën këtu në Tiranë?
Kjo është një pyetje që më sjell shumë e shumë ndjesira. Eshtë krejt e pamundur, madje e pakonceptueshme për mua të mendoj se mund të arrij atë që ka bërë veçanërisht Tefta. Ajo shkoi për studime në Francë kur ishte 17 vjeç dhe u kthye në Shqipëri 27. Shteti i ri shqiptar i viteve '30, do të kishte edhe artistët e tij profesionistë, të mësuar në konservatorët më në zë të Europës. Këta artistë ishin thellësisht idealistë kombëtare. Ata do të përfaqsonin anën më të kultivuar të inteligjencës shqiptare. I ndërthurur, ky art klasik me atë vendas, do të krijonin modelet dhe bazat e artit profesionist në Shqipëri. Nuk duhet harruar se arti savant muzikor shqiptar ka filluar me këngën, me muzikën vokale. Këngëtarët e viteve '30 bënë epokë, e papërsëritshme kjo në historinë shqiptare. Une me kolegët a familjen time jemi vijues.
Librin e botuar për nënën tuaj, e keni shkruar bazuar në kujtimet e fëmijërisë dhe më vonë, të parë në këndvështrimin e artistit, apo në libër ju sillni dhe fakte të reja për një nga artistët më të mëdha shqiptare?
Përsa i përket librit mbi Teftën dhe kohën e saj, ato janë vetëm dokumentacione të përmbledhura nga unë, dmth., unë flas me gojën e të tjerëve: të shtypit, të letrave, të bashkëkohësve etj.
Kohët e fundit keni publikuar edhe "Këngët lirike qytetare shqiptare në vitin 1930". Mund të na thoni diçka dhe për këtë libër?
E kam botuar një version disi të ndryshuar në Shqipëri dhe tani po botohet edhe në Çikago. Kam shumë gjëra për të korrigjuar në versionin shqip pasi edhe përkthimi u bë në një kohë të nxituar. Shpresoj në një ribotim të ardhshëm te permiresuar.
Intervistoi: Teuta Meçi