05 Qershor 2004
PODGORICA: "ASNJE KENGE ME VLERE"
Dështon festivali "Këngët e Stinës"
Nga Migena Hoxhalli
Gazeta Shqiptare
TIRANE

Radio Televizioni Shqiptar
Festivali i muzikës së lehtë "Këngët e Stinës 2004" nuk do të bëhet. Kjo konfirmohet nga drejtori i Radio-Tiranës, Gëzim Podgorica, institucionit që organizon këtë eveniment të përvitshëm muzikor. Sipas drejtorit Podgorica "nga gjykimi i specialistëve të muzikës, këtë vit, mes këngëve që u prezantuan në sektorin e Krijimtarisë Muzikore pranë RTSH-së, nuk mund të konsiderohej asnjë si vlerë përfaqësuese e muzikës së lehtë shqiptare". Nga informacioni i dhënë prej drejtorit Podgorica mësohet se për të konkurruar në festivalin e këtij viti janë prezantuar 36 krijime të reja. Ato kanë qenë kompozime të artistëve të rinj, por dhe të atyre me përvojë. "Pavarësisht se kishte edhe krijime të kompozitorëve me eksperiencë, u vu re një nivel jo i lartë i këngëve që ata paraqitën, vazhdon Podgorica. Specialistët e muzikës nuk mbetën të kënaqur nga asnjëra prej tyre".
Festivali "Këngët e stinës" apo ndryshe siç njihet, "Festivali i Pranverës", nëse këtë vit do të realizohej, do të shënonte edicionin e tij të 19-të.
"Menduam, sqaron Podgorica, se do të ishte më mirë të mos e organizonim fare, sesa të realizonim një festival që nuk do të përcillte asnjë vlerë tek publiku". Nisur nga kjo eksperiencë, sipas Podgoricës, vitin tjetër puna për organizimin e festivalit do të menaxhohet në një tjetër formë. Do të nisë që herët koordinimi i punës me krijuesit, të cilë do të vihen përpara kritereve kryesore që do të ketë pjesëmarrja në një festival siç është "Këngët e Stinës". Një fenomen i tillë, thotë Podgorica, ka ndodhur edhe dy vjet më parë. Edhe atëherë Festivali i Pranverës nuk arriti dot të shënonte edicionin e tij të rradhës.
"Festivali i Pranverës", dritarja e të rinjve
Festivali "Këngët e Stinës" i ka fillimet e veta në vitet '80-të. Pas prezantimit në Fesativali e Fundvitit në RTSH, drejtuesit e këtij institucioni, menduan se muzika e lehtë shqiptare kishte nevojë edhe për një dritare tjetër ku të mund të paraqitej, madje dhe të konkurronte. Një nga ndryshimet kryesore mes këtyre festivaleve, ka qenë dhe mbetet mosha e re e këngëtarëve pjesëmarrës. Pra, në qoftë se në Festivalin e Fundvitit konkurronin vetëm këngëtarë të muzikës së lehtë me emër, në Festivalin e Pranverës, u hapej rruga talenteve të reja. Këngët e Stinës konsideroheshin dhe si parapërgatitje e brezave të këngëtarëve që do të mund të hynin e të vazhdonin karrierën e tyre duke interpretuar në Festivalin e Fundvitit. Jo pak këngëtarë me emër kanë dalë nga skena e Festivalit të Pranverës. Me kalimin e viteve kriteret për pjesëmarrjen në këtë festival pësuan ndryshime. Një vit më parë, një nga kushtet themelore, ka qenë kufizimi i moshës së këngëtarve, deri në 25 vjeç.
AlbMuzika.Com