29 Korrik 2005

Që sot në malin e Dajtit me teleferik
Investimi prej 5.6 milionë euro teleferiku më i madh në Ballkan.
Në majën e Dajtit vetëm për 14 minuta

Teleferiku i Dajtit ne Tirane
Teleferiku i Dajtit


Që prej ditës së sotme të gjithë banorët e kryeqytetit do të kenë mundësinë të udhëtojnë drejt Dajtit me teleferikun e ri. Ceremonia e përurimit të teleferikut më të madh në Ballkan është organizuar dje pasdite me pjesëmarrjen e zv.kryeministrit Namik Dokle, nënkryetarit të PD-së Bamir Topi dhe kryebashkiakut Edi Rama. Pikërisht në momentin e prerjes së shiritit të përurimit, i cili ishte menduar që të kryhej nga Rama, ky i fundit ka vendosur që të "thërrasë" në ndihmë edhe demokratin Topi. "Hajde Bamir, të presim shiritin se qenka ngjyrë blu", është shprehur Rama. Në këtë mënyrë përurimi i teleferikut ka mbajtur edhe firmën e Topit. Një lëvizje e tillë e Ramës, ka ardhur pas faktit që rreth një muaj më parë, në disa media u shkrua se kryeministri Nano nuk kishte mundur të priste shiritin e teleferikut për shkak të dëshirës së ndërtuesve për të mos ndikuar në fushatën elektorale. Rama, Dokle dhe Topi kanë përshkuar më pas sëbashku itinerarin Tiranë-Dajt e kthim në një prej gondolave të teleferikut.

Rama, Topi, Dokle
Edi Rama, Bamir Topi dhe Namik Dokle gjate perurimit

Teleferiku ka një gjatësi prej 4.2 kilometrash dhe shtrihet nga fshati Qesarak në periferi të Tiranës, deri në ish-Kampin e Punëtorëve në malin e Dajtit. Kjo distancë përshkohet vetëm për 14 minuta nga qytetarët që do të kenë dëshirë të vizitojnë Dajtin dhe një udhëtim vajtje-ardhje kushton 500 lekë të reja. Punimet për Teleferikun kanë nisur në 25 prill 2003 pasi KRRTRSH miratoi lejen e ndërtimit. Investimi për teleferikun që lidh Tiranën me parkun kombëtar të Dajtit kushtoi 5.6 milionë euro. Financuesi kryesor i tij me 91 përqind të aksioneve është biznesmeni Muhamet Malo, 5 përqind të aksioneve janë pronë e bankës private "Kredins" dhe 4 përqind janë pronë e shoqërisë së sigurimeve "Sigma". Aktualisht në shërbim të qytetarëve janë vënë 22 gondola ose kabina, ku secila prej tyre ka një kapacitet prej 8 personash, por në rast se do të ketë një fluks më të madh numri i gondolave do të dyfishohet deri në 44 të tilla. Aktualisht në shoqërinë që administron teleferikun janë punësuar 120 persona, por numri i tyre mund të rritet në të ardhmen.

Teleferiku Zbret ne Tirane
Duke zbritur per ne Tirane


Dajti, rruga e harruar prej kohësh

Rruga e Dajtit, një prej perlave të natyrës kryeqytetase duket sikur është shumë pranë dëshirave njerëzore. Në fakt gjithësecili preferon që fundjavën ta kaloj në një vend të freskët ndërsa natyra e pëllcitëse kryeqytetase shënon 37 gradë. Por ajo çka i ndan njerëzit nga pyjet e malit në lindje është pikërisht rruga e keqe dhe me gropa të pafundme. Tashmë një teleferik realizon dëshirën në pak minuta. Rruga e Dajtit mbetet nga ato më problematiket në kryeqytet ku mungon sinjalistika e mbi të gjitha kushtet e sigurisë rrugore janë lënë në harresë. Për të shkuar në kampin e punëtorëve sipas parametrave që lejon kodi i qarkullimit duhet të paktën një orë e dyzet minuta gjë që vështirësohet edhe më shumë nga gropat gjigande që hasim rrugës për në ngjitje. Duket qëllimisht e lënë pas dore pasi për të mbushur një varg gropash në dukje është e lehtë. Në parkun kombëtar mblidhet një taksë e cila sipas gjasave tregon se nuk ka shkuar në vendin e duhur. Gjithësesi kryeqytetasit kanë një mundësi të re dhe më të thjeshtë, të shkojnë në Dajt me teleferik.

Marre nga Gazeta Shqiptare

__________________________________________________________________

A
lbMuzika.Com