O Berat s'e pate fat...!
UNESCO i thote JO qytetit te njemije dritareve - Ministria e Kultures injoron problemin

Gazeta Shqiptare
Nga Admirina Peci
Berati nuk u pranua në UNESCO. Në listën e fituesve mes 22 siteve të shpërndara në gjithë botën u shfaq Korfuzi. Gjithkush e di se ai ishull është shumë larg në krahasim me vlerat e padiskutueshme të qytetit muze. Por Berati ndryshe nga ç'e thotë ajo kënga e njohur, "s'e pati fat". Duhet thënë kjo, sepse ndoshta qëlluan njerëzit e gabuar, ata që nuk lëvizën... as gishtin e vogël për të mundësuar të kundërtën e kësaj që ndodhi. Sepse Berati i kishte të gjithë shanset të shpallej në listen e pasurive botërore, në mbledhjen e UNESKO-s e mbajtur para pak ditësh në Zelandën e Re.
Sidoqoftë mbetet të themi "ky është një lajm i keq", një lajm i pranuar qetësisht në Tiranën zyrtare, në kryeqytetin ku tradicionalisht bëhet zhurmë për diçka. Aq zhurmë sa çdo gjë tjetër lihet mënjanë. Harrohet. Zhduket. Sado e rëndësishme qoftë, sado emergjente. Një krizë politike, ku në lojë shfaqen e zhduken emra hipotetikë presidentësh, s'mund të lëshojë terren për asnjë problem tjetër. As për Beratin që mbeti jashtë listës së pasurive botërore, pikërisht në momentin kur i kishte të gjithë shanset të ndodhte.
Sipas specialistëve i gjithë procesi që nga shpallja e garës e deri në mbledhjen e komisionit ka dy faza. Faza e parë është hartimi i dosjes, për të cilën kanë punuar prof. Emin Riza dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Beratit, Ajet Nallbani, në bashkëpunim me ekspertët e UNESCO-s. Kjo fazë ka qenë e sukseshme. Dosja u prit mjaft mirë. Po ashtu ana diplomatike pati mbarvajtjen e duhur. Kujtojmë se veç grupimeve të shoqërisë civile apo të deputetëve, nuk u kursye as ndërhyrja e vetë presidenti Moisiu. Ndërsa faza e dytë që lidhet me mbledhjen e komitetit të Trashëgimisë Kulturore, e përbërë nga përfaqësues politikë të vendeve anëtare, u shoqërua në heshtje.
Në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (Kjo ministri ka kaq shumë emra sa zor mbahen mend!) askush nuk diskuton për shansin e humbur të Beratit. Mund të thuhet gati me siguri se përgjatë gjithë qershorit, qyteti muze i Beratit nuk është përmendur as në korridoret e kësaj ministrie, qoftë edhe për vizita private a ndonjë piknik. Për gjatë gjithë qershorit kur në shumë vente të botës diskutohej mbledhja e Komitetit të Trashëgimisë në UNESCO, mbledhje ku u shqyrtua edhe dosja e Beratit, në Shqipëri nuk ndodhi asgjë. Asnjë dalje publike, asnjë fushatë, asnjë aktivitet në qytetin muze, asnjë takim diplomatik apo vizita...
Për ministrin Ylli Pango, i emëruar prej pak muajsh në krye të ministrisë me shumë emra, kjo ishte sfida e parë. Me bindje mund të themi më e madhja. Një sfidë që e humbi. Ylli Pango, nuk foli kurrë për Beratin as në konferencat me gazetarët ku gjithmonë shpalos plataforma e politika të reja. Nuk bëri asnjë deklaratë publike në prag të mbledhjes së Komitetit të UNESKOS. Nga zyra e tij e shtypit nuk është njoftuar asnjë takim diplomatik me qendër bisedimesh dosjen e Beratit as me ambasadorë, as me homologët e tij që mund të kishin ndikim në kohën e shqyrtimti të dosjeve.
Alternativa se kjo çështje mund të jetë harruar prej ministrit bie poshtë. Ai shpesh e thotë se ka "një kujtesë të frikshme, edhe më të fortë se të Doktorit". Pra kurrsesi Pango s'mund ta harronte se qershori ishte muaji i diskutimeve dhe i lobingjeve në Komitetin e Trashëgimisë Kulturore. Mospërfshirja e Beratit në listën e pasurive Botërore siç thamë më lart nuk lidhet as me dosjen. Ajo është hartuar me shumë kujdes. Kishte më shumë eksperiencë për të. Thuhet se ishte shumë më e mirë edhe se dosja e Gjirokastrës. Sipas specialistëve as çështja e ngjashmërisë së dy qyteteve nuk ekziston. Problemi i këtij rasti është thjeshtë neglizhencë. Mungesë marrveshjesh, bisedimesh që do e mbështesnin dosjen e Beratit në mbledhjen që zgjati thuajse dhjetë ditë, e ku mbase s'ka qenë i pranishëm asnjë shqiptar.
Vaso Tole, ish-drejtori i Drejtorisë së trashëgimisë Kulturore, e cila, falë ministrit Pango nuk ekziston më, deklaron pas humbjes së këtij shansi për Beratin se: "Nëse qyteti muze do të përfshihej në listën e pasurive botërore, me siguri ky do të ishte suksesi më i madh i gjithë karrierës së Pangos".
Nëse do të ndodhte me siguri që do dilnin me deklarata pompoze për opinioni publik, të vetkënaqur për arritjen. As që mund të mendohet se do të heshtnin si në këtë rast, siç kanë heshtur për çdo herë tjetër pas dhjetra skandalesh në fushën e Monumenteve dhe të Trashëgimisë Kulturore.
AlbMuzika.Com