12 Dhjetor 2006

Askush s'mund të shkelë në Butrint pas orës 16:00"
Qoftë kjo dhe vizitë pune e paralajmëruar

Butrinti
Butrinti

Nga Admirina Peçi

Në Butrint, askush nuk mund të trokasë pas orës 16:00. Në këtë orë mbyllet orari zyrtar. Kushdo qoftë pas portës së hekurt, nuk ka të drejtë ta vizitojë qytetin antik, qoftë kjo edhe një vizitë pune nga specialistë të trashëgimisë kulturore.

Ngjarja e ditës së shtunë, e orës 16:20 minuta ka nisur si një incident i thjeshtë dhe më vonë ka marrë ngjyrat e një skandali.17 përfaqësues nga të gjitha shtetet e Ballkanit, prej disa ditësh me moton “Promovojmë vlerat e trashëgimisë kulturore të rajonit”, po zhvillojnë një seminar promovues të këtyre vlerave në qytetin e Gjirokastrës. Ditën e shtunë organizatorët pritës, kishin programuar të zhvillonin një udhëtim njohës në disa qendra arkeologjike dhe parqe të rajonit jugor të Shqipërisë, ku përfshihej edhe Butrinti, tashmë i njohur për vlerat e tij si pjesë e trashëgimisë botërore, i mbrojtur me status të veçantë nga UNESCO. Ishin pikërisht këto vlera që e nxitën edhe më shumë grupin e përbërë nga përfaqësues të Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Suedisë, etj, që të insistonin për një vizitë në qytetin antik.

Të shqetësuar për mungesë kohe, koordinatorët e këtij seminari, që në mesditë kishin kontaktuar përmes telefonit që punonjësit e menaxhimit të parkut të mundësonin zhvillimin e vizitës. Pas vizitave në Antigone, Melan, etj, grupi ka arritur në Butrint dhe ka kërkuar që kundrejt rregullave të administrimit të parkut, të kryenin vizitën duke kërkuar njëherësh edhe ndjesë për vonesën prej disa minutash, pas orës 16:00, që mund të ishte koha e mbarimit të orarit zyrtar.

Po punonjësit pas hekurave të portës me një sjellje shpërfillëse, u përgjigjën me arsyetimin se kishte perënduar dielli dhe nuk pranonin më vizitorë. Atëherë koordinatorët ofruan një zgjedhje që mund të pranohej, pasi nuk ishte faji i tyre për vonesën, ndaj kërkuan që kundrejt pagesave si për të gjithë vizitorët e tjerë, pavarësisht nga statusi që mbanin të lejoheshin të hynin në ambientet e qytetit antik për të vizituar aq sa të mundnin dhe të dilnin pa u errësuar ende. Por përsëri përgjigja ishte negative.
Besjan Pesha, koordinator i seminarit kërkoi të bisedonte me drejtorin e Parkut Butrintit, i cili edhe pas bisedës telefonike këmbëngulte që kjo vizitë të mos bëhej. “Megjithëse gjatë komunikimit me të sqaruam se një veprim i tillë po merrte ngjyrat e një skandali dhe se përfaqësuesit e shoqatave joqeveritare të rajonit janë specialistë të interesuar për trashëgiminë kulturore dhe nuk kanë kohë ta vizitojnë Butrintin të nesërmen, pasi duhej të ktheheshin në Gjirokastër për të mbyllur punimet e seminarit, e mandej të kthehen menjëherë në vendet e tyre, duke mbajtur edhe emocionet e vizitës në Butrint, sërish nuk e pranoi”, - tha koordinatori Pasha, pas këtij incidenti në Butrint.

Përfaqësuesit e huaj u shprehën të pakënaqur për këtë prezantim jodinjitoz në një prej parqeve më të përfolura në rajon, për suksesin e menaxhimit dhe ku interesi i specialistëve të huaj ka qenë gjithmonë një portë komunikimi për turistët.

Ndërsa Lejla Haxhixh nga Bosnja, në momentin më dëshpërues të kthimit pa e parë qytetin antik aq të reklamuar, u shpreh se “edhe te ne mund të ndodhin kokëfortësi të tilla. Jemi edhe ne ballkanas. Mos u ndjeni në pozicion të vështirë, ju mirëkuptojmë!” Por a mund ta mbyllim këtë histori të vogël që mund ta quajmë edhe incident, për të mos rënduar ndërgjegjen tonë, thjeshtë me një mirëkuptim? Në fakt jo. Në të gjitha institucionet tona, ngërçi më i madh ka qenë dhe është burokracia. Për shkak të saj shumë iniciativa janë lënë në mes, shumë investitorë të huaj janë kthyer mbrapsht, shumë specialistë në zë janë tërhequr.
Sigurisht, asnjëri prej specialistëve që nuk mundën të vizitojnë Butrintin të shtunën pasdite, s'do të kenë dëshirë dhe shtysa për një projekt në të ardhmen në këtë qytet antik. Sepse gjithmonë do të kujtojë thënien: “Askush nuk mund ta vizitojë Butrintin pas orës 16:00. Qoftë kjo dhe vizitë pune e paralajmëruar.

Marre nga Gazeta Shqiptare

__________________________________________________________________

A
lbMuzika.Com