22 Dhjetor 2006
Pse u “arratis” Limoz Dizdari nga Tirana?
Rikthehet 40 vjet me vone libri i censuruar nga diktatura komuniste

Tirane apo Ksamil?
Nga Kico Blushi
Miku im i vjetër, kompozitori i papërsëritshëm, spontan, sa origjinal dhe unik, kumtues si në biseda dhe në art, si në miqësi dhe në inat, si në heshtje dhe në zallamahi tryezash rakie e zijafetesh, i mungon Tiranës prej muajsh, i mungon shoqërisë e familjes, Adrianës, shokëve të panumurt, të njohurve e të panjohurve që u thotë tungjatjeta, skenës së muzikës; mungon në sallën e Kuvendit e të Lidhjes së Shkrimtarëve; nuk e shohim nëpër kamera e gazeta siç shohim këto kohë boll VIP-a të vetëshpallur, sepse, që prej një viti, Limozi është arratisur në Ksamil. Vjen në Tiranë sa për ndonjë punë, rrallë e më rrallë shfaqet në shoqëri dhe ikën natën ... për t'u ndodhur të nesërmen që në mëngjez në Ksamil, te pjanoja e vendosur përballë detit Jon e përkarshi një ishulli të vogël me faqe të gërryer, si të kafshuar nga ndonjë përbindësh deti të dalë nga tranzicioni…
Atij nuk i pëlqen t'i kujtosh, për ta ngacmuar, vargjet e Naimit “larg rrëmujws e rrëmetit”, sepse nuk e quan veten të ngujuar në Ksamil, si një “murg i artit” a si një ikurak për shkak të zhgënjimeve që u sjell metropoli, jo rrallëherë, artistëve të vërtetë, kryengritës e kokorroçë, të ngjizur që në lindje me një shqisë prej rebeli e bohemi, andaj edhe të përndjekur herë nga tersi e herë nga pafati, herë nga suksesi dhe herë nga dështimi.
Limozi ka ikur nga Tirana prej dashurisë së panginjur për vendlindjen, por jo vetëm. Edhe në kohën e monizmit ai iku vetë dhe u ngul për disa vjet në Sarandë, në kohën më të bukur të rinisë e të krijimtarisë, për të ngritur trupa amatore, për të zbuluar talente, për të qënë sa më afër polifonisë së Pilurit, (moj nepërka pika pika!), sepse donte dhe ende dëshiron që ky vend i vogël t'ia bëjë ferk në rrafshin artistik kombëtar. Dhe asokohe ia arriti! Edhe atëhere ai e vendosi pianon në Butrint, duke çuditur dynjanë me pandehmën provinciale: c'është ky artist i lajthitur që e ka lënë Tiranën dhe i bie, për qejfin e vet pianos në Butrintin pa njerëz?
Por mjafton të dëgjosh një vepër të tij për të kuptuar se ai është piktor i muzikës, se ai e lidh në mënyrë të çuditshme dhe instiktive melodinë me ngjyrën, peisazhin me harmoninë, shpirtin me mishin, tabanin dhe identitetin me qiellin e kaltër të Jonit, folklorin me muzikën simfonike, origjinën me kozmopolitizmin, të zakonshmen me të pakapshmen, të dukshmen me të padukshmen…”Këngët e tokës” dhe ndoshta vetëm “Dafina” natyrisht që nuk mjaftojnë për ilustrim të asaj që thamë më sipër, por janë mjaft si kujtesë e si përmendje se ky artist i tokës krijon vetëm kur është i bindur se është vetvetja, vetëm kur e gjen veten me këmbë mbi tokë, në pyllin e vet, në zërin e vet, në një shoqëri që të pranon pa hile dhe pa kurthe.
Pyetja përse nuk ndjehet me muzikë Limozi e jo vetëm Limozi këto kohë vitet e fundit, ndoshta ka lidhje me vargjet e De Radës:”Jeta lis kish ndërruar”…Po edhe se ai, si shumica e shqiptarëve, i dha shumë vite e mund e përkushtim politikës, duke shpresuar se ajo do të ishte leva e Arkimedit që do të lëvizte e çonte përpara Shqipërinë. U bë themelues i PS-së, anëtar kryesie, u zgjodh dy herë deputet, u zhgënjye nga PS, iku në LSI, u zgjodh edhe kryetar i asamblesë së LSI-së, por ja që tani ai ka ikur e jeton në Ksamil e nuk do të dëgjojë më te flitet për politikë e për enigmat apo prapaskenat e saj ballkanike...
Limozi tash i ka kapërxyer të 60 vjetët, jeta edhe për të ka ndërruar shumë lis, ai është bërë gjysh, vajzat i kanë ikur jashtë, si shumë prej shqiptarëve…A ndjehet i vetmuar? Ai e di…Duke e ditur natyrën e tij, shumëkush nga shokët, teksa pijnë ndonjë gotë raki në lokalet e periferisë së Tiranës e luajnë me hidheprit e molloisin për politikën e ditës, zënë dhe e qortojnë në mungesë për ikjen, për “arratinë”, e, mes vedi e ndëshkojnë kësisoj: A ia vlen kjo sakrificë e Limozit? Sa vjet na kanë mbetur për të jetuar? Nuk është më mirë të jetojë rehat, këtu, në Tiranë, e të gëzojë këto vite që na kanë mbetur, duke pirë ndonjë gotë, duke bërë gallatë e duke u kujdesur për shëndetin?
Sepse Limozi jo vetëm që është arratisur në Ksamil, po ai ka marrë me qira shtëpinë e kulturës së Ksamilit, ka marrë një kredi goxha të madhe në bankë për ta transformuar atë nga një ngrehinë e vjetërur dhe e lënë pas dore, (si të gjitha vatrat e shtëpitë e kulturës anekënd Shqipërisë, në truallin e të cilave, në mos janë ngritur pallate, janë transformuar në magazina private), për ta shnderruar në një pallat të vërtetë të artit që nuk e gjen as në Tiranë. Ky është preokupimi i tij i vetëm. Të japë koncerte me muzikë dhome në Ksamil, të hapë ekspozita piktorësh të shquar, të bëjë panair kombëtar të librit, të shfaqë filma shqiptarë, tw hapw kurse pwr mwsimin e gjuhwve tw huaja. E shoqja, Adriana dhe ai kwrkojnw të zbulojnë fwmijë të talentuar për muzikë në Kdsamil e në Sarandë… Po a shkojnë këto ëndërra me realitetin e egër të ekonomisë së tregut që ka mbërthyer sidomos Sarandën, e cila nuk ka pëllëmbë që nuk e ka kthyer në hotel, motel, vilë, disko, restorant e pab? A nuk rrezikohet utopia e Limozit përballë konkurrencës së tregut, sepse a do të jenë sarandiotët dhe turistët ata që do të parapëlqejnë të dëgjojnë muzikë dhome në Ksamil? Në fund të fundit si e në ç'mënyrë do ta lajë kredinë? .
Sikur të gjithë të mbillnin nga një pemë, të linin nga një shënjë në këtë jetë e në këtë vend që na e ka dhënë Zoti, me siguri Shqipëria nuk do të ishte kjo që është. Në kohën e diktaturës pothuaj të gjithë gatuanim në banjw me furnelat e famshme të vajgurit. Vitet e para të demokracisë shumica e nisi transformimin me shtrimin e banjws me pllaka të reja, pastaj me kuzhinën, më pas u hoqën edhe divanet e ‘Misto Mames', u ndërruan abazhurët, u bë patinimi e lyerja e shtëpisë, pra, secili shqiptar gjithë vemendjen, djersën dhe përkushtimin i përqëndroi te transformimi i brendshëm i shtëpisë së vet, pa e çarë fort kokën se ç'bëhej jashtë saj. Plehwrat shumëkush i hidhte nga dritarja, veç shtëpia brenda të ishte e bukur dhe e pastër! Komuniteti dhe jeta në komunitet, si një bashkësi, u quajt si një gjë e tepërt, në mos e dëmshme, e panevojëshme. Tani kemi filluar të shohim edhe jashtë mureve të shtëpisë, edhe shkallët, edhe shkollën e fëmijëve, edhe rrugën jashtë pallatit, nëse është e asfaltuar, e, paskësaj do të fillojmë tw interesohemi edhe për fshatin e për qytetin, se do ta kuptojmë, pak nga pak, se nuk mund të jesh mirë brenda mureve të shtëpisë kur jashtë kasolles bën qametin pisllëku, rrëmuja sociale, anarkia, paudhësia, prapësia, krimi e pasiguria. Vetëm atëhere Shqipëria do të jetë futur në rrugë të mbarë e të sigurtë të një demokracie reale dhe funksionale!
Limozi është idealist dhe idealistët jo vetëm që sakrifikojnë po edhe rrezikojnë, jo vetëm krijojnë po edhe luftojnë për të arritur qëllimin, ndaj edhe janë aq të paktë në shoqëri njerëz të tillë të çmuar e gjithwsesi të paharruar! Limozi shikon jo vetëm jashtë mureve të shtëpisë së vet, po ai e ve edhe shtëpinë qw ka nw Tiranë garant për të marrë kredi që të ndërtojë një pallat kulture në Ksamil, që të jetë në dobi të komunitetit!
Ka njerëz që jetojnë me të kaluarën, ka njerëz që i shërbejnë stamakut, orekseve të së sotmes, tahmasë, parasë se zezë, pronave të rrëmbyera, që ndjekin partinë dhe kryetarin edhe kur këta e çojnë vendin në greminë, po ja që paska edhe njerëz që jetojnë për të ardhmen nëpërmjet punës, mundit dhe talentit, pavarësisht se shpesh shpërblehen nga shoqëria me mosmirënjohje dhe harresë.
Limozi u përket këtyre të fundit!
****
Po nuk është arratisur e përjashtuar vetëm Limozi nga “Tirana”. Nga Tirana është arratisur libri shqip, është arratisur muzika kombëtare, piktura, filmi, fjala e pastër shqip, është arratisur debati shkencor, revistat, institucionet e pavarura të artit, kulturës e shkencës. Tirana sundohet prej vitesh nga antivlerat dhe kjo duket më së shumti duket jo vetëm në emrat e ministrave të kulturës, por veçanërisht në fushën e muzikës tejet vulgare që emetohet nëpër lokale e TëVëra. Tirana nuk ka një shoqatë të vërtetë shkrimtarësh, piktorësh , shkencëtarësh, nuk ka një klub, ku të mblidhen artistët e dijetarët.Tirana, si e gjithë Shqipëria, është e përmbytur dhe nëpërkëmbur nga politika, nga gërrmëret e saj, nga balta që ajo na hedh në fytyrë sa hapim sytë, nga ulurimat, shpifjet, pështymat e të vjellat elektorale që ajo bën orëeçast mbi pjatat tona, ndaj ne nuk dijmë e nuk mundemi as të lexojmë librin shqip dhe as të dëgjojmë e shijojmë folklor.
Mjafton të ndjekësh p.sh galanë e sajuar në kujtim të festivaleve të këngës së lehtë që bëri RTSH ditët e fundit, e cila qe llangosur me blu për t'ju servilosur partisë në pushtet, për të kuptuar se llangosja tejetej me blu e skenës, ashtu si lyerja me blu e siglës së lajmeve, po edhe e korridoreve të institucionit pas 3 Korrikut, është vetëm ana e jashtme e kësaj dukurie të pistë në fushën e artit dhe kulturës. Sepse, prej asaj galaje, në mënyrë të paturpëshme qenë përjashtuar artistët dhe personalitetet e vërtetë të këngës, e jo vetëm Limozi, i cili, si rrallëkush ka fituar tri herë çmimin e parë, as vetëm Vladimir Kotani, as vetëm Zhani Ciko, apo Abdullah Grimci si një themelues, Ardit Gjebrea si rishtar, Luan Zhegu, e plot organizatorë të tjerë, regjizorë, operatorë, skenografë, udhëheqës artistikë, orkestrantw pa të cilët nuk mund të imagjinohen festivalet e këngës - për t'u marrë, çuditërisht, me folëset (qofshin edhe ata qw kishin dalw nj herw tw vetme nw skenw), a thua se festivali i këngës në të vërtetë ka pas qënë dhe është festival i folësve, të cilët, në çfarëdo lloj festivali kanë më pak meritë se grimjorët apo skenografët e festivalit…
Nuk paska gjë më të shëmtuar në një demokraci se kur kriteri politik ndërhyn dhe vendos edhe për kriteret e vlerave të artit, të kulturës, të traditës dhe të personaliteteve, duke përjashtuar dhunshëm nga skena ata që nuk i pëlqejnë shefit të madh e të gjithwfuqishëm të partisë! Duket sikur nuk është kështu, po nëpërmjet projekteve, dhënies ose jo të fondeve, sponzorizimeve, emërimeve dhe çemërimeve të komanduara, gradimeve të pamerituara dhe degradimit të pashmangshëm ekonomik, financimeve të mediave, qarku bëhet i mbyllur, sepse nëpërmjet mjeteve të lançimit publik, të cilat i ka në dorë administrata politike e instaluar gjithandej, -si në rastin në fjalë nw RTSH,- dhunimi që ushtrohet mbi vlerat dhe mbi personalitetet e artkulturës tani është më vulgar dhe më i paskrupullt edhe se në kohën e diktaturës. Dje, po të shkelje në dërrasë të kalbur, të hiqej e drejta e botimit, kurse sot, po shkele në dërrasë të kalbur, je i lirë të bësh sa të duash blablabla, madje edhe të botosh, por ama, ose duke paguar, ose duke u bërë një leckë partie për këpucët e kryetarit; sepse vetëm kështu mund të bëhesh edhe i famshëm, edhe i pasur, edhe i shquar, edhe Nder i Kombit, apo i qytetit! Mund të marrësh edhe çmime nëpër galara, nëpër konkurse e festivale!
Ndryshe, ngordh e zvarritu në këtë liri të pakufizuar për t'u leqendisur e legenisur sa për të mbijetuar! Në Veri thonë një fjalë të mençur: edhe para vdekjes ke kohë me u korrit! Shumë prej të shquarve tanë në fushat e artit e të shkencës, mjerisht, nuk e kanë përballuar me dinjitet këtë kohë të vështirë e, ndoshta, nuk u duhet vënë edhe shumë faj, sepse politika ka qënë dhe është shumë e egër ndaj njerëzve të kulturës!
Aq vulgare ës
htë kjo ndërhyrje, sa në panairin e librit, pa u tutur as nga kamerat, u bë sherr i madh për të hequr nga stendat e një shtëpie botuese ngjyrën e kuqe! Në Korcë u lyen me blu gurët dekorativë para pallatit të Kulturës! Torta që iu dha Berishës në festën e PD-së ishte me ngjyrë blu…Edhe shalli, edhe gravatat, me sa duket do të jenë edhe në këtë fushatë tejembanë blu në seri…Me një fjalë, po u leve me ngjyrën blu “je me ne”,.ndryshe, e bën beli që nuk je i yni…Atëhere, ç' faj kemi ne po të të sikterrisim nga puna, nga skena, nga fama dhe nga krijimtaria, derisa nuk pranon të “këndosh” me ne e si ne?Këtë mesazh e dha galaja e RTSH! Kultura dhe arti me ngjyrë blu është sot në pushtet! Të gjithë të tjerët janë të përjashtuar!
Ashtu si u hoq nga puna, pas disa muajsh emërimi si drejtor i Galerisë, piktori i shquar Nestor Jonuzi, vetëm pse lejoi të hapej në Galeri një ekspozitë vetiake e piktorit armik Edi Rama, i cili, për fatin e keq të Nestorit, është edhe kryetar i PS-së! Ashtu si u hoq nga ministria e kulturës VasoTole, një specialist i rrallw kulturës dhe i muzikës popullore, për t'u zëvendësuar me një militant partie…Ashtu si po veprohet me Akademinë e Shkencave, me autonominë e universiteteve, apo me Lidhjen e Shkrimtarëve…Shëmbuj të tillë mund të jepen pa fund, nga çdo cep i Shqipërisë, po këta shëmbuj negativë, mjerisht e fatkeqësisisht nuk po vlejnë për të kuptuar sadokudo se në ç'pikë të hallit janë artistët shqiptarë para trysnisë së papërballueshme të arnaut-politikës.
Aspak nuk e teproj po të them se artistët, shkrimtarët, piktorët, kompozitorët, më keq se shkencëtarët, sportistët, madje edhe se gazetarët, janë më të pambrojturit në shoqërinë shqiptare.Ata përdoren si mish për top nëpër fushata elektorale, sidomos këngëtarët, duke u hedhur nga një kockë e kaq! Me të drejtë paraplegjikët, të verbërit, invalidët, madje edhe përpunuesit e produkteve të mishit, kanë shoqatat e tyre, të cilat herë pas here e ngrejnë zërin në mbrojtje të interesave të veta.Kurse shkrimtarët dhe artistët kanë një Lidhje të rënë në duart e ca njerëzve që nuk kanë as edhe një vlerë e që prej vitesh po zihen, grinden e therren për të zaptuar qiratë e mjediseve të godinës, e aspak për të drejtat e nëpërkëmbura të artistëve.
Me sa duket asnjë lloj qeverie, e djathtë apo e majtë, nuk i leverdis që në Shqipëri të ketë organizata, apo edhe klube artistësh me reputacion që mund t'u imponohen qeverive me një autoritet shumë më të fuqishën se OJQ-të, apo OJF-të e panumurta që, tek e fundit, për të marrë financime, janë të detyruara të bëhen puthadore të qeverive e të ambasadave…
Në Shqipëri po bëhet gjithënjë e më e pamundur të mbetesh i pavarur, të jesh një artist me integritet dhe ky shqetësim po kthehet gati në makth sidomos kur shikon që edhe ata që mbahen si më të shquarit e kombit, si artistë të mëdhenj, fillojnë e bëhen lapërdharë para politikës e politikanëve, duke u shtirë kotnjasikoti si ish të persekutuar, si ish liberalë, si sjellës të demokracisë, si baballarë të kombit për të garantuar podiumet, po edhe ca më tepër lavdi, po edhe ndonjë truall në bregdet, apo ndonjë objekt me qira për të afërmit…
Ndaj Limoz Dizdari, në këtë kuptim, nuk është as i pari dhe as i fundit i përjashtuar dhe i arratisur me dashje nga Tirana.
Marre nga Gazeta Shqiptare
__________________________________________________________________
AlbMuzika.Com