Si ndryshoi Ansambli pas zhdukjes së kostumeve
Nga
Anila Çuli

Tiranë - Prej disa vitesh, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në kryeqytet kishte mbetur i shkretë. Shumë artistë me eksperiencë ishin larguar përtej kufijve. Jo vetëm kaq, por më skandalozja ishte se në këtë institucion ishin zhdukur dhe gjërat më minimale, si veshje dhe materiale të tjera popullore. Më e vogla që mund të gjendej ishin pasuria kulturore, veshjet e artsitëve, por këto nuk egzistonin. Se kush i ka marrë, është ende enigmë. Drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Haxhi Dalipi, ka vetëm një vit që është vënë në krye të këtij institucioni kulturor. Kjo është pak a shumë një retrospektivë e gjendjes së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore ndër vitet e fundit. “Në këtë ambjent, gjithçka kishte vajtur përposhtë. Për organizime kulturore as që bëhej fjalë fare. Prej mëse 40 vjetësh, Ansambli i Këngëve dhe Valleve nuk egzistonte si institucion i ndarë nga ai i TOB-it. Ka vetëm një vit që ky institucion është ndarë më vete dhe në krye të tij jam vënë unë. Kur unë erdha në këtë institucion, nuk kishte as mjetet më minimale. Ka nisur të rikuperohet çdo gjë nga fillimi, si veshjet, mjetet popullore, ashtu edhe grupi i ansamblit, pasi shumë prej tyre ishin larguar jashtë shtetit. Një punë e mirë është bërë edhe me solistët e rinj, të cilët janë bërë pjesëtarë të këtij ansambli. Shpeshherë solistët kanë kërcyer edhe me këpucë të grisura, vetëm që të mos ndalej aktiviteti. Me ato investime, të cilat m'u ofruan nga shteti, i përdora me shumë nikoqirllëk. Tani me shumë sakrifica ka përfunduar rehabilitimi i kostumeve dhe këpucëve të reja. Tani e tutje ansambli do të ketë kostume korrekte për të gjitha llojet e skenës, si brenda dhe jashtë vendit”, tregoi më tej drejtori Dalipi.
Së shpejti premiera ”Ditë nusesh në Tiranë”
Pas një pauze të gjatë, në datën 17 qershor do të shfaqet premiera koncert-absolut, e titulluar “Ditë nusesh në Tiranë”. Kjo përkon enkas dhe me stinën e pranverës, tregoi drejtori i Ansamblit,Dalipi. Pas një sërë suksesesh të mëdha, që ka dhënë Ansambli në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, nuk kanë munguar dhe turnetë jashtë shtetit, si në Gjermani e Maqedoni. Ky ishte momenti që bilanci i këtij viti të finalizohej dhe të kurorëzohej me premierën “Ditë nusesh..,” Krahas aktivitetit artistik shumë të ngjeshur, është punuar dhe bërë një punë e gjithanshme përgatitore për premierën koncert. Në këtë premierë Ansambli i Këngëve dhe Valleve shfaqet si përfaqësues i denjë i muzikës dhe valleve popullore shqiptare, duke ruajtur e zhvilluar në lartësinë artistike në koncertin se muzika dhe vallja popullore është traditë, është kulturë tradicionale dhe e re. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar lëndës artistike që të ruhet dhe të zhvillohet në skaje.
Të rejat që do të sjellë premiera
Premiera, e cila do të shfaqet në 17 qershor në TOB, do të sjellë për herë të parë pas kaq vitesh harresë, interpert të rinj, të cilët do të zbulojnë tek vetja ndjeshmëri për artin dhe kulturën autentike shqiptare. Do të sjell orkestracione të reja, interpretime të reja me dy duar, larmi, pasuri dhe përpunim të gjuhës muzikore popullore. Në këtë premierë koncert do të marrin emra nga më të rinjtë, deri tek ata më të vjetrit. Të tillë janë Brikena Jaupi, Silva Gunbardhi, Rexhep Çeliku. Në këtë koncert janë të ftuar dhe koreografët Besim Zekthi, Fehmi Shaqiri, kostumografi Gjergj Marko, si dhe koreografë të rinj nga Kosova. Padyshim, kësaj skene nuk do t'i mungojnë dhe figura të njohura, si Hysni Zela dhe Irini Qirjako
------------------------------------------------------------------------------------------------
AlbMuzika.Com