20 Tetor 2004
Tragjedi e Rende ne New York
Ndahet nga jeta kengetarja Anita Bitri bashke me vajzen dhe nenen e saj
Në 1 nëntor niste ligji i ri për mbrojtjen nga djegia në kaldaja.
Kaldaja mbyt në gjumë Anita Bitrin. Bashkë me të vdesin e ëma dhe vajza 7-vjeç, Sibora.

Tashmë mbetet vetëm një hidhërim që të këput shpirtin prej kësaj tragjedie familjare. Tri jetë u morën nga një vrasës i heshtur, pa erë, pa shije. Të martën rreth orës 8.30 të mëngjesit zjarrfikësit zbuluan nënën, vajzën dhe mbesën të helmuara nga monoksidi i karbonit. Kur njësitë e emergjencës hynë në shtëpinë që ndodhet në bulevardin Ocean Avenue, ata konstatuan se niveli i gazit CO (monoksidit të karbonit) në ajër ishte më i lartë se njëmijë për milion, ndërkohë që niveli normal konsiderohet nga 0 deri 9 për milion. "Me shifra të tilla, mjaftojnë disa frymëmarrje që njeriu të humbë ndjenjat", thotë shefi i zjarrfikësve, Thomas Haring.
Ngjarja
Një nga viktimat ishte 38-vjeçarja Anita Bitri, një këngëtare e njohur në vendin e saj, Shqipëri, e cila kërkoi të fitonte famë në SHBA. Bashkë me të, humbën jetën edhe nëna e saj 60-vjeçare dhe vajza Sibora, shtatë vjeç. Familja ishte transferuar në Staten Island rreth dy vjet më parë për t'u vendosur në këtë rrugë të qetë të seksionit South Beach. Vetëm pak javë më parë këngëtarja shqiptare kishte humbur edhe bashkëshortin, i cili kishte vdekur pas një kanceri. Për fqinjët anëtarët e familjes ishin njerëz aktivë dhe të dashur. "I takoja përditë. Pinim kafe bashkë. Akoma nuk arrij ta besoj atë që ka ndodhur", thotë mes lotëve fqinja Leonora Ruçi.

Helmimi nga kaldaja
Shkaku i tragjedisë ka qënë kaldaja e ndodhur në bodrumin e shtëpisë ngjyrë rozë të këngëtares shqiptare. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Ndërtimit, Llyse Fink, kohët e fundit ishin kryer disa punime rikonstruksioni në shtëpi dhe si rrjedhojë ishin vendosur disa qese plastike në vrimën e ventilimit të kaldajës. Bllokimi i kaldajës ka bërë që gazi CO (monoksid karboni) i lëshuar nga lënda djegëse që përdoret brenda saj të depërtojë gjatë natës në shtëpi duke i kapur në befasi në gjumë banoret e saj. "Bllokimi i kaldajës ishte një aksident, që solli është këtë tragjedi", deklaroi zëdhënësi Fink. Sipas autoriteteve, monoksidi i karbonit krijohet gjithnjë në rastet kur digjet benzinë, naftë, dru ose gaz propan. Shifrat zyrtare flasin për rreth 300 vetë që vdesin çdo vit në këtë mënyrë në SHBA. Familja vdiq më pak se dy javë para hyrjes në fuqi të një vendimi bashkiak, që u kërkon të gjitha shtëpive të vendosin dedektorë të monoksidit të karbonit në një rreze pesë metra larg nga ambjentet e fjetjes. Kjo pajisje funksionon njësoj si dedektorët e tymit, duke lëshuar alarm zanor sapo konstatohet prania e gazit. Për fat të keq, familja e këngëtares shqiptare nuk kishte siguruar një aparat të tillë, i cili mund të kishte evituar në kohë tragjedinë.

Zihni Sulaj: Si ndodh vdekja nga gazi
Një vdekje e shpejtë dhe e pashmangshme nëse përqëndrimi i gazit të helmët, monoksid karboni është shumë i madh në ajër. Helmimi vdekjeprurës ndodh edhe kur monoksidi i karbonit çlirohet më pak, veçse në këtë rast proceset e pakthyeshme që ndodhin në organizëm dhe konkretisht në venat e gjakut janë më të ngadalta. Njeriu vdes në gjumë, pa ndjerë asgjë. Kryetoksikologu Zihni Sulaj sqaron se në raste të tilla të helmimit me gaze, monoksidi i karbonit zhvendos oksigjenin në gjak dhe bashkëvepron me hemoglobinën, duke formuar një substancë të qëndrueshme, karboksihemoglobina. Qelizat "vuajnë" pasi nuk transportojnë më oksigjen. Ky proces bëhet gjithnjë e më i pamundur deri në humbjen e jetës.
Pak javë më parë Anitës i vdiq bashkëshorti
Fati i keq nuk i është ndarë familjes së Anita Bitrit. Vetëm pak javë më parë, sëmundja e kancerit i kishte marrë asaj bashkëshortin. Gjatë vizitës së saj në korrik, Anita kishte programuar një turne të madh në të gjithë vendin. Për këtë ishin gjendur edhe sponsorët, kryesisht në vendlindjen e saj Vlorë. Por gjithçka është shkatërruar për shkak të lajmeve të këqija që vinin nga pjesa tjetër e familjes në SHBA. Bitri u detyrua të lërë pas dore planin për koncertin dhe të kthehej në New York, për t'i qëndruar pranë në grahmat e fundit bashkëshortit të saj të sëmurë.

Flasin kolegët shqiptarë: Pengu i fundit dhe koncerti më 28 nëntor
Pëllumb Kulla: S'kemi vendosur për varrimin
Ende nuk jepen detaje për përcjelljen që do t'i bëhet këngëtares. Artistët shqiptarë në New York shprehen se lajmi ka qenë befasisht tronditës dhe është përhapur në mënyrë kaq të rrufeshme saqë s'u ka lënë atyre kohë të mendojnë për shërbesën e fundit. "Nuk kemi menduar për organizimin e funeralit. S'ka shumë që ndodhi, por çdo gjë është përhapur me kaq shpejtësi. S'mund t'u them detaje për ceremoninë", tha në linjë telefonike publicisti i njohur Pëllumb Kulla, ndërsa rrëfeu momentet kur ishte njoftuar për tragjedinë dhe eksperiencën me këngëtaren, njohjen, koncertet. "Më telefonuan nga gazeta Iliria duke kërkuar dhe ata informacion për tragjedinë. S'e kisha marrë vesh. Ishte herët akoma, pa u përhapur lajmi. Kjo gjë më ka tronditur jashtëzakonisht shumë për arsye se sapo kishim biseduar me Anitën dy ditë më parë dhe sot po matesha përsëri për ta marrë në telefon". Regjizori Kulla ka qenë organizator i mjaft koncerteve të këngëtares. "Disa këngë të saj kishin mjaft sukses. Publikut sidomos i ka mbetur në mendje Anita e Festës së Vitit të Ri, katër vjet më parë me këngën arbëreshe me violinë. Tani së fundi kishim një koncert ku ishte e ftuar dhe ajo, që nuk erdhi për shkak të tragjedisë që i ndodhi, vdekja e të shoqit. U bë tërë kjo kohë zie në këtë familje. E çuditshme!". "Ne me Anitën prisnim koncertin e Bostonit më 28 nëntor", tha Edmond Kushi, një tjetër muzikant-koleg i këngëtares. "Kjo që ndodhi ishte shumë tragjike. Unë u lajmërova nga një kolegu im në telefon, sot paradite", tregoi ai. Kushi tha më tej se familjarisht kishin hyrje-dalje me këngëtaren Bitri, meqë jetonin dhe në një qytet. "Kohët e fundit Anita po përgatiste një disk, po që nuk arriti dot…". "Ajo ishte një fenomen i shkëlqyer i muzikës pop në Shqipëri", thotë producenti i regjistrimeve të saj, James Avatar, që shton se këngëtarja shqiptare e dashuronte ëndrrën amerikane, i pëlqente Aretha Franklin dhe yje të tjerë të muzikës. Një tjetër muzikant që ka bashkëpunuar me Bitrin, Maksim Vathi, sapo kishte dëgjuar lajmin për vdekjet, kishte rendur me të shpejtë në shtëpinë e tyre. "Jam ende i shokuar", tha ai pas pak. "Nuk mund ta besoj. Më vjen me të vërtetë keq".
Nga New York,
Marcus Solis
BallkanWeb
__________________________________________________________________
AlbMuzika.Com