Violina e Aldes

Alda Dizdari
14 Prill 2007
Nga Kristi Pinderi
Revista MAPO
Kur një përfaqësues i Cmimeve Kult e telefonoi për t'i komunikuar se ishte përzgjedhur mes kandidatëve për Cmimin “Instrumentisti i Vitit”, violinistja Alda Dizdari ishte në mesin e një angazhimi jo pak të lehtë artistik në Britaninë e Madhe. Ajo po studionte e njëkohësisht po interpretonte në disa nga skenat më prestigjoze të Britanisë së Madhe.
Pak më vonë ajo do të jetonte edhe një histori të bukur artistike si lidere e kuartetit “Allegri String Quartet”, një quartet me një histori 50-vjecare dhe me reputacion të padiskutueshëm ne skenat e Europë.
29 vjecarja e lindur në një familje artistësh në Tiranë, interpretoi me këtë kuartet në “Dartington Music Festival”, “Cambridge Music Festival”, “Llafyllin Music Festival”, “North Ëales Concert Series”, “Fishguard Music Festival”, ndërsa po këtë vit përjetoi një dimension tjetër të profesionit të saj: mësimdhënien në rezidencat e kuartetit në universitete si Oxford, Nottingham, Bangor, Middlesex, Durham dhe Norwich.
Ndaj edhe telefonata që i mbërriti nga Shqipëria e gëzoi, më shumë sesa e suprizoi.
Kishte disa vjet që ndonëse jetonte larg Shqipërisë, kthehej, kryesisht në muajt e verës për të dhënë koncerte në Shqipëri. Njëri prej këtyre kishte rezultuar sipas jurive të Cmimeve Kult si fort i arrirë, aq sa Alda të klasifikohej në instrumentistet më të mira të vitit. Ky ishte vlerësimi ndoshta më pak i rëndësishëm në tërësinë e vlerësimeve të tjera që Alda ka merituar, por kishte, sipas saj, një vlerë tjetër: atë të vendlindjes...
Ndërsa nuk u ndahet skenave për të interpretuar, Alda ka nisur tashmë të përjetojë edhe kënaqësinë e mësimdhënies. Prej dy vjetësh ajo jep mësim në Junior Guildhall School, megjithëse është “fellow” në këtë shkollë. Më i madhi vlerësim është ndoshta propozimi që ajo ka marrë së fundmi për të dhënë mesim në Royal Academy of Arts, një ndër institucionet më të njohura në Europë dhe shkolla më e vjetër e muzikës në Britani, e themeluar në vitin 1768. Për këtë arsye duket se ajo po kujdeset të përmirësojë cdo detaj të profilit të vet artistik deri edhe paraqitjen apo promovimin e vlerave të veta përmes formave tashmë të njohura të një PR-i serioz.
Përpara se të mendonte seriozisht një karrierë në Royal Academy , dhe pasi interpretoi në evenimentet e mësipërme në Britaninë e Madhe, Alda është ftuar të interpretojë në koncerte të ndryshme me “Ensemble de la Chapelle Saint- Marc” në Luksemburg.
Studimet e para i ka kryer në universitetin e Bukureshtit, Rumani ku ajo studioi me Danial Podlovsky dhe më pas vazhdoi studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë studimeve për Master në Universitetin e Illinoisit me Profesor Sherban Lupu ajo fitoi konkursin Concerto, konkursin Poul Rolland, cmimin “Kate Neal Kinley” si edhe cmimin më prestigjoz “ Krannert Center Debut Artist of the Year 2002 Award”. Ky sukses u ndoq më pas me nxjerjen e CD-së së saj të parë dhe deputimin live në radio nga “Deput Recital” në “Foelinger Hall”, “Krannert Centre”. Mbasi perfundoi Masterin, Alda vazhdoi karierën e saj jokonvencionale të udhehequr kryesisht nga kerkesat e saj muzikore. Megjithëse fituese e nje burse në Juilliard School në New York ajo vendosi të shkojë në Londër për të vazhduar studimet pasuniversitare me profesorin e shquar David Takeno në “Guildhall School of Music and Drama”. Momentalisht ajo është fituese e burses “Leverhulme String Fellowship” në Guildhall.
Pak dinë shqiptarët për disa nga sukseset e bashkëatdhetarëve të tyre. Dinë pak, ngaqë gjithcka kalon përmes situatave aspak të lehta, përmes procedurave që ndoshta në Shqipëri kanë forma të tjera. Pak dinë shqiptarët mbi të gjitha për mundin që u duhet këtyre “ambasadorëve” të vendit të tyre në botë, për t'u bërë ata që janë…
Vetë Alda shprehet se nganjeherë e kupton që gjëja më e mirë është të mos duash asgjë, e t'i lesh gjërat të vijnë tek ti… “Por kjo gjendje nuk është gjithnjë e lehtë për t'u arrirë, sepse qetësia që kërkohet nuk është e lehtë të fitohet në këto vende si Londra, ku stresi sa nuk të merr frymën”, thotë ajo.
Por cfarë është stresi në vetvete? Sipas violinistes së talentuar, vajzë e kompozitorit të njohur Limoz Dizdari, “stresi mund të jetë egoja jote që fryhet çdo ditë, dhe sa më shumë e ushqen aq më e madhe bëhet dhe sa më e madhe bëhet ajo aq më i vogël bëhesh ti, aq sa arrin atje ku nuk di më se kush je… Dhe ke gjetur shprehjen ilac ‘Jam i stresuar'”!
Megjithatë ka dicka që vetëm këmbëngulja e një artisti mund ta mundë…
AlbMuzika.Com