21 Dhjetor 2005

Mirë folku, po këngët ku ishin




Nga Elsa Demo - Shekulli

Një këngë ka jetë aq sa rri në mendjen e njerëzve. Kënga e Ledina Çelos që përshëndeti festivalin e 44 në RTSH, e me të cilën Shqipëria u përfaqësua në Eurofestival 2005, u prit ftohtë nga publiku. I njëjti që para një viti e duartrokiti nxehtë. Ka reflektuar publiku apo ai e kishte rrëzuar që prej verës këngën e Çelos, “duke e ndëshkuar” për fundosjen në klasifikim që pësoi Shqipëria në Turqi? Ishte paralajmëruese ajo marrja me tepri e elementëve të folkut dhe mpleksja keq në skenë e një daulleje me ca violina të vogla false. Publiku e priti ftohtë Ledina Çelon të dielën në mbrëmje. I njëjti publik pret nxehtë pasardhësin e saj. Fituese e festivalit në Radio Televizionin Publik Shqiptar, shpallet një këngë që ka shumë të ngjarë të riciklojë një mentalitet që po prodhohet për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurofestival. Etnos, sa më shumë etnos. Vetëm kështu mund të identifikohemi si shqiptarë në një festival të Evropës të gjysmëbashkuar e që po rrafshoka identitetet kombëtare. Motivet folklorike, veshjet dhe ngjyrat e kuqe të kostumeve tradicionalë popullorë, një gajde, një fustanellë, një iso, ca burra shtatlartë që duket sikur vijnë nga një jetë e shartuar mes natyrës dhe qytetit, ta ndezin gjakun dhe të mbushin me krenari për atdhenë. Po kënga, ku ishte kënga? Zëri i 18- vjeçarit Luiz Ejlli u mbyt nga zërat e burrave, njëlloj siç e shtrëngonte ai brezi i kuq etnografik mbi pantallonat klasike me këpucë mode me majë.

I ngjan një sforcoje jo të natyrshme ky kërkim i “rrënjëve tona” dhe importimi i tyre në muzikën e lehtë. Ardit Gjebrea psh, e kuptoi në kohën e duhur atë që bëri në skenën e festivalit të dhjetorit në vitet 92-94, kur mori pas vetes një grup polifonik dhe e shndërroi në hit këngën “Jon”. Pavarësisht se sot është hedhur në zgjedhje të ngjashme e që i “pëlqejnë publikut”, atëkohë ai u shkëput shpejt nga ky eksperiment që rezultoi me sukses për një kohë të shkurtër.

Po të dielën fituese e çmimit III të festivalit ishte një “këngë me fustanellë”. Zëri i Evis Mulës nuk ka nevojë të maskohet pas skemave që mallgjejnë publikun me etnografinë dhe erën e sënduqeve. Në të vërtëtë kjo ishte atmosfera e përgjithshme e festivalit që fatkeqësisht la në hije ca të rinj të talentuar dhe që pikërisht nga kjo ndezje gjaku e publikut me amplifikimet e folkut, nuk kishin shanse të vlerësoheshin nga juria e profesionistëve.

Festivali i dhjetorit është një festival zyrtar, shtetëror le të themi. E prodhon dhe organizon RTSH. Ndryshe ky mund të quhej edhe “skena e shpëtimit” të muzikës, njëlloj siç do duhej të bënte një ministri kulture me politikat e saj për mbështetjen e veprave dhe artit jokomercial. Edicioni i 44 reflektoi hapur në disa drejtime krizën e muzikës dhe tregut muzikor në Shqipëri. Zërat e këngëtarëve me një karrierë në të shkuarën ka vite që nuk po i shohim në këtë festival. Edhe ata që tentojnë të hyjnë nuk mund t'i dallosh qartë si individualitete të këngës, por si ca artistë që ora iu ka ngelur në vitet e para të pasnëntëdhjetës e që përpëliten të rinovojnë imazhin skenik ku me një trupë baleti, ku me performanca që nxjerrin në dukje rezultatin e frytshëm të dietave apo palestrës. Një pjesë tjetër nga këta e kanë deklaruar tashmë kompromisin me ligjet e tregut muzikor në Shqipëri. Prodhimi i albumeve, përtej garës së festivaleve është një rrugë që këngëtari të bëjë muzikën e zemrës, dhe nëpërmjet saj t'i japë pak minuta jetë edhe njerëzve që e dëgjojnë. Tek ne kjo nuk ndodh. Vetë këta të njohur kanë thënë se që albumi t'iu shitet iu duhet të bëjnë “dhe një nga ato...”, nga ato që nuk ua nxë goja, që shkurt e drejt do të thotë: këngë që s'kanë qejf t'i bëjnë, por janë të “detyruar” prej tregut.

Nata finale e festivalit të këngës tregoi se nuk mund të ketë selektim të mirë, nëse nuk ka prurje të mjaftueshme, aq sa kur del nga një festival të mbeten në mendje të paktën 2-3 syresh. Kështu këngëtarë të ardhur nga jashtë kufijve, megjithë performancat e kushtueshme, balerinët, investimin në look, kanë sjellë kopje të niveleve të ulëta të muzikës që bëhet në vendet ku ata jetojnë. Si mundet të futet në natën finale një këngëtare e cila nën lojën e ngjyrave kombëtare dhe lëvizjet koreografike që krijonin një figuracion shqiponje, sjell jo vetëm atmosferë 100% buzuku, por sikur të ishte në koncertin e vet recital fton me thirrje publikun si në dasma: “Hoopa, këndoni pas meje”. Apo ca më tej, banderola me thirrjet “Peace”. Shtoji kësaj edhe tekstet që me ndonjë përjashtim flisnin të gjitha për dashurinë. A thua në këtë vend nuk ndodh asgjë. Njerëzit dashurohen shumë.

Iluzioni se një ftesë për në Eurofestival mund të ndryshojë për mirë edhe problemet me këngën e lehtë në Shqipëri është dritëshkurtër. Më shumë se kaq ai rri brenda atij iluzioni total të bërjes së punëve kur për të ndryshuar përfytyrimin që bota ka për ne, duhet o të kërkohen rrënjët e identitetit, e Shqipërisë arkaike, të veçantës, të çuditshmes, o të imitohen modele sa për të qenë i modës.


Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com

__________________________________________________________________________

AlbMuzika.Com