27 Shkurt 2006

Ana Oksa, vetëm me 9 shqiptarë në Sanremo
Anna Oxa rrezikon skualifikimin që natën e parë, thyen të gjitha rregullat e festivalit





Nga Alma Mile - Gazeta Shekulli

Përfundimisht Anna Oxa do ngjitet në skenën e Festivalit të Sanremos vetëm me 9 artistë shqiptarë. Të paaftë për të mësuar diçka rreth këngës me të cilën Oxa paraqitet në Sanremo, në mediat italiane qarkulluan lloj-lloj variantesh, duke nisur që nga luku i saj, që gjithmonë ka qenë një surprizë, deri tek artistët që do ta shoqëronin atë në skenë. U fol për indianë, australianë me kitarra, afrikanë…, për kostume Lunxhërie… Vetëm pak orë para se Festivali i Sanremos të ngrejë siparin mësohet se ajo do ngjitet në skenën e Aristonit vetëm me 9 artistë shqiptarë, prej të cilëve 6 koristë të grupit polifonik dhe tre instrumentistë dhe një dirigjent. Por jo vetëm kaq. Duket se e gjithë vëmendja e Sanremos është drejtuar kah Anna. Këngëtarja me origjinë shqiptare gjithnjë është shquar si një artiste e të papriturave dhe jashtë çdo kornize, por këtë herë Oxa ka vendosur t'i thyejë të gjitha rregullat e Sanremos, gjë që mund të rrezikojë skualifikimin e këngës që në natën e parë.

Mësohet se sipas rregullores së festivalit, kënga konkurruese nuk duhet të zgjasë më shumë se 3 minuta e 30 sekonda, ndërkohë që gjyqi i Annës (“Processo a me stessa”) zgjat 4 minuta e 20 sekonda. Gjithmonë sipas rregullores, çdo këngë konkuruese paraqitet në variante të ndryshme gjatë dy netëve, por sigurisht pa ndryshuar elementët bazë të saj. Ndërkohë që mësohet se gjyqi i Annës do të ketë të tjera vargje natën e dytë. Pra ka ndryshuar tekstin, gjë që nuk është e lejueshme. Por lista e rregullthyerjeve është akoma edhe më e gjatë. Dje në mbrëmje, në skenën e Aristonit u zhvillua prova gjenerale e festivalit dhe Anna Oxa nuk mori pjesë në të, ndërsa provat e tjera që bëri në skenën, bashkë me grupin shqiptar i realizoi me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave. Pa llogaritur faktin që Oxa nuk pranoi të dilte në fotografinë e përbashkët të gjithë këngëtarëve pjesëmarrës në Sanremo, siç e kërkon tradita e “Sorrizi e Cansoni TV”.


Sanremo
Kliko Ketu per Faqen e Sanremos


Ndërkohë që të tjera surpriza priten nga Oxa. Të gjitha këto kanë nxitur jo vetëm xhelozinë e konkurrentëve të tjerë, por edhe të organizatorëve, të cilët nuk mund ta skualifikojnë atë para festivalit. Ndërkohë qarkullojnë zëra se organizatorët e festivalit, mes të cilëve edhe udhëheqësi artistik Gianmarco Mazzi, do bëjnë të pamundurën për skualifikimin e këngës. Por ndërsa komentohen pa fund qëndrimet e çuditshme të Annës, një nga pjesëtarës e stafit të ngushtë të Oxës, kantautori Ardit Gjebrea, thotë se mendimet për këngën janë shumë pozitive. Ajo është vlerësuar për frymën e re që sjell në muzikën italiane, madje është quajtur edhe revolucionare. Kënga “Processo a me stessa” është një gërshetim mes recitativit, muzikës së lehtë dhe asaj operistike.

Artistët shqiptarë që e shoqërojnë atë do përcjellin jo vetëm isopolifoninë shqiptare, por do këndojnë edhe shqip. Sa i përket veshjes së tyre dhe të vetë Annës, ende nuk mund të thuhet diçka e saktë. E sigurt është që të gjithë do jenë të veshur me kostume të stiluara nga vetë këngëtarja, që janë diçka mes fustanellës dhe një fundi të gjatë. Por deri në momentin e daljes në skenë, çdo gjë pritet. Sot, në natën e parë të Festivalit të Sanremos do konkurojnë 18 këngëtarë, mes të cilëve Anna dhe grupi shqiptar do interpretojnë të trembëdhjetët (numër me shans, apo ters?), ndërsa nesër do çelë natën e dytë të aktivitetit. Gjatë ditëve të parafestivalit u zhvillua një garë e vërtetë mes shtëpive diskografike për të marë këngën e Oxës, të drejtë që e fitoi shtëpia diskografike multinacionale “EMI”.


Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com

__________________________________________________________________________

AlbMuzika.Com