01 Mars 2006
Ana Oksa,
Skualifikohet ne Naten e Dyte
Anna Oxa thyen të gjitha rregullat e festivalit

Nga
Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare
Debatet dhe xhelozitë kanë përfunduar. Anna Oxa dhe “gjyqi shqiptar” janë mbyllur në natën e dytë të Sanremos. Këngëtarja ka qenë e para që është skualifikuar nga kategoria e këngëtareve “big” në konkurim. Ka hapur natën e dytë të festivalit për të mbyllur konkurimin e saj. Performanca e saj ka nisur sërisht me një errësirë. Por në këtë natë motivet aq shumë të përfolura të veshjes shqiptare janë ngjitur në skenën e teatrit Ariston. Oxa e ka ndërruar veshjen në të zezë, ndërsa grupi i këngëtarëve shqiptarë ishte veshur me fustanellat e jugut, qeleshet dhe opingat me xhufka. Nuk dihet se pse Anna Oxa nuk performoi kështu që në natën e parë. Ndoshta ka qenë pjesë e “fshehtësisë” së saj të vazhdueshme për natën e dytë. Pas polemikave për këngën e saj, i është dashur që të respektojë gjatësinë e lejuar. Kjo solli edhe një ndryshim të dukshëm në këngë. E megjithatë sjelljet e saj dhe mënyra se si është paraqitur në skenë janë komentuar gjatë në mediat italiane. Vëzhgimet kanë qenë të hollësishme për këngën, performancën e saj në skenë, idenë për të ruajtur gjithcka të fshehtë, lukun e imtësi të tjera. Madje duke u kthyer edhe në “debate” artistike midis këngëtarëve. Të gjithë i kanë mëshuar mistikes në këtë konkurim të trembëdhjetë të saj në edicionin e 56- të Sanremos. Por edhe pse e veçantë, me sa duket ideja që ajo kishte zgjedhur nuk është kuptuar. Vendimi i jurive për ta renditur të fundit në natën e parë dhe skualifikuar në të dytën është pritur në mënyra të ndryshme. Çështja “Oxa” ka ngelur paksa e mistershme, ashtu sic edhe nisi.
Anna në natën e dytë
Prezantimi i saj ka qenë në të njëjtën linjë. E fshehtë dhe shumë e heshtur. “Processo a me stessa”(Gjyq vetvetes) ka qenë një këngë shumë e vështirë, pa një përcaktim të saktë në llojin e saj. Edhe pse në një skenë të madhe, këtë këngë duket se Oxa e ka përjetuar shumë personalisht. Ka reaguar me një qetësi shumë të madhe ndaj përpjekjeve të Panarelos për të shkëmbyer një dialog pas interpretimit. Shumë e emocionuar, me sytë e ndritshëm ka përqafuar prezantuesin dhe ka derdhur lot. Komentet rreth sjelljes së saj kanë vazhduar edhe pas skualifikimit. Në një shkrim të “Corriere de la sera” natën e parë, pas kuintave, këngëtarja ka krijuar një situatë shumë stresuese. E rrethuar nga tre drejtorët e skenës është arritur nga drejtori artistik i festivalit Gian Marco Mazzi sepse refuzonte të firmoste kontratën me Rai-n për debutimin e saj. Këto sjellje të saj kanë bërë që të përshpejtohet edhe një spot publicitar për të fituar disa minuta kohë. Megjithatë nata e dytë do të shënonte edhe fundin e konkurimit të saj.

Gjate kenges e shoqeruar nga grupi polifonik shqiptar
Alex Britti
Në fakt Anna Oxa ka fituar sepse tashmë po flitet për të. Anna ka një luk të veçantë që si gjithmonë arrin të shënojë në shenjë dhe të mos i lëjë asnjëherë të tjerët të jenë indiferentë ndaj saj. Ne na pëlqen, është koherente dhe stili i saj nuk mund të jetë i ngjashëm me asnjë tjetër. Pas polemikave të natës së parë për gjatësinë e këngës, i është dashur të interpretojë në një version të shkurtuar. Por edhe pse u skualifikua fitoi vëmendjen e të gjithëve.
Cinzia Marongiu
Edhe pse e urrej mënyrën se si Anna Oxa interpreton, nuk më duket aspak e drejtë që e dërguan në shtëpi. Në natën e parë interpretimi i saj nuk më bindi. Por në natën e dytë ishte e madhe, intensive dhe ka kënduar shumë mirë. Ndjeva një të dridhur, nja nga ato pak që kanë qenë në këtë Sanremo. Problemi është gjithnjë i njëjti: derisa të mos gjejnë një juri cilësore që të korigjojë idenë e jurisë popullore, pjesët kurajoze dhe të rafinuara gjithmonë do të përjashtohen. Ashtu siç më ndodhi mua disa vjet më parë me “Se fosse un tango”(Sikur të ishte një tango).

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
__________________________________________________________________________
AlbMuzika.Com