13 Janar 2006
Ana Oksa, një surprizë shqiptare në Sanremo

Nga
Oliverta Lila
- Gazeta Shqiptare
Vizita e saj ka qenë shumë e shkurtër. Ka ardhur vetëm për pak orë në Tiranë. Këngëtarja e njohur italiane Ana Oksa ka vendosur të rikthehet në origjinën e saj. Dhe kjo jo vetëm fizikisht. Ajo çka e ka sjellë në Tiranë është një projekt ambicioz bashkëpunimi. Mësohet se do të krijojë diçka që të ketë aromë shqiptare. Ura lidhëse në këtë rast ka qenë Ardit Gjebrea. Ndërsa garant i mbështetjes së këtij projekti është AMC dhe Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Bëhet fjalë për realizimin e një albumi në të cilin do të jenë të përfshirë shumë elementë shqiptarë. Në konferencën për shtyp të dhënë ditën e djeshme, kanë zbuluar pak gjëra. Dëshirojnë që surpriza të ngelet e tillë deri në momentet e fundit. Kjo nuk përjashton vetëm publikun shqiptar, por edhe atë italian. Vizita e saj ka pasur pikërisht qëllimin e qëmtimit të këtyre elementëve. Por është bërë e ditur se fillimi i shfaqjes së tij do të jetë pikërisht “Sanremo”. Emri i saj tashmë është renditur midis konkurueseve. “Projekti është shumë i thjeshtë. Të marr të gjitha origjinat që më takojnë e sidomos origjinën e rritjes. Ndihem që jam një person i ndryshëm që nga fillimi i lindjes lindjes dhe nuk mund të mos i shikoja me një sy të interesuar gjithë këto ndryshime. Atehere u shpreha në të gjitha mënyrat e kulturave. Një prej kulturave që është më afër me mua është Shqipëria. Duke respektuar dhe dashuruar në një mënyrë të apasionuar rritjen, ku mund të themi deri në çmenduri, mendova që t'i përkushtohem poezisë. Poezinë e një populli, poezinë e të shfaqurit të një ndjenje, poezia e një kulture që unë dashuroj,që më bën të shprej atë që ndjej akoma edhe më shumë. Kështu e kisha menduar këtë projekt shumë kohë më parë. Ju mund të më pyesni se cili është ky projekt? Por nuk mund tjua them sepse ky projekt do të shfaqet në Sanremo”. Kështu është shprehur Ana Oksa gjatë konferencës për shtyp mbajtur dje pasdite në Tiranë. Filli i këtij projekti ka nisur disa muaj më parë nga një telefonatë me Gjebrenë. Nuk përfundon vetëm në një këngë. “Projekti nuk përfshin vetëm një këngë, por është disa gjëra së bashku”, ka theksuar ajo, duke folur për realizimin e një albumi.

Kliko Ketu per Faqen e Sanremos
Sanremo
Të rezervuar, por kanë zbuluar se Oksa do të konkurojë në Sanremo me një këngë që do të ketë motive shqiptare. Nuk bëhet i ditur titulli, apo hollësi të realizimit. Këto nuk dihen as nga organizuesit e Festivalit. Surpriza do të zbulohet në të njëjtën kohë si për publikun shqiptar, ashtu edhe për atë italian. “Bëhet fjalë për një bashkëpunim shumë interesant. Për një bashkëpunim që do të çojë vlerat e muzikës shqiptare dhe asaj të mirëfillt shqiptare në skenat internacionale. Fillon me Sanremon, por vazhdon më gjatë. Ju do ta shihni në skenën e Sarmenos, por edhe më tutje në albumin e saj”, ka theksuar Ardit Gjebrea duke shtuar se “Ana vjen le të themi e veshur jo vetëm figurativisht, por emocionalisht dhe artistikisht, këtë herë me një erë shqiptare që është shumë e rëndësishme për ne”. Një pjesë të kësaj “ere shqiptare” Ana Oksa e ka zbuluar. Do të jetë një grup polifonik që do të shoqërojë këngën në Sanremo. Bëhet fjalë për një këngë me nota filozofike dhe për pjesëmarrje të disa fëmijëve. Të gjitha do të zbulohen në “Sanremo”. “Më duhet të nisem që tani. Projekti nuk më lë kohë. Duhet të punojmë që gjithçka të jetë gati”, është shprehur Ana Oksa ndërsa po linte ambjentin e konferencës dhe kamerat e gazetarët, që e ndiqnin për të rrëmbyer më tepër detaje.

Ana Oksa
Këngëtarja e njohur italiane me origjinë shqiptare ka qenë dje e pranishme në Tiranë. Një vizitë e shkurtër që shënon bashkëpunimin për një projekt ambicioz. Janë zbuluar pak gjëra, por dihet që Shqipëria do jetë pjesë e tij.
Projekti
Bëhet fjalë për një projekt që synon realizimin e një albumi në të cilin do të ketë elementë shqiptarë. Ideja e tij ka nisur disa muaj më parë. Ardit Gjebrea do të jetë ndërlidhësi i saj, ndërsa si mbështetës AMC-ja dhe MTKRS-ja.
SANREMO - Festivali
Njohja e parë me këtë projekt do të jetë Festivali i “Sanremos”. Ana Oksa është tashmë në listën e konkurrentëve. Ajo do të konkurrojë pikërisht me një këngë që në realizimin e saj do të shoqërohet edhe nga një grup polifonik shqiptar.

Kliko Reklamen - Dyqani Virtual tek AlbMuzika.Com
__________________________________________________________________________
AlbMuzika.Com